Kopshti im
Nga Arlind Qori
Në kopshtin nr. 41 jam rritur e edukuar në Tiranën e viteve 1985-1988. Mbaj mend edukatoret e përkushtuara (Olin dhe Marikën). Në klasa bënim mësime, luanim dhe tentonim të ishim të disiplinuar, por si çdo fëmijë shumë prej nesh bënin sikur flinin gjatë orarit të drekës. Ende më kujtohet se të enjteve kishim për drekë pilaf me fasule, gjella më e shijshme atë botë.
Sidoqoftë, pjesa më e bukur e ditës ishte kur edukatoret na shpërblenin për sjelljen e mirë duke na dhënë leje për të dalë dhe për të luajtur në oborrin e bollshëm të kopshtit. Përveçse mund të vrapoje ngado, në një pjesë të oborrit kishte edhe një pemë të madhe, ku më të shkathtët prej nesh (jo unë) kacavirreshin.
Kopshti nr. 41 është ende në rrugën Pjetër Budi. Po ndër vite hapësirën rreth e qark tij e kanë ngrënë dhe zaptuar. Në të djathtë është ngritur një hotel, duke rrëzuar murin anësor të kopshtit. Në të majtë një pjesë të konsiderueshme të ish-oborrit e ka zaptuar një ndërtesë disakatëshe.
Nga mbrapa kopshtit, ku vraponim herë pas here, është shembur muri dhe është zaptuar një pjesë tjetër e oborrit për të ngritur një tjetër ndërtesë. Të gjitha të legalizuara kopuk pas kopuku që ka qenë në pushtet në Shqipërinë e këtyre dekadave. Oborri përpara është rrudhur në një vizore vend, ku janë ngritur disa kangjella sa për të ndarë kopshtin me vendin ku mund të parkohet ndonjë makinë.
Sot Erion Veliaj me taborë mediatikë ka shkuar për të përuruar kopshtin “tim”, të goditur nga tërmeti i 2019. (Aq e ngushtë është hapësira përpara kopshtit, saqë ata që po e dëgjojnë ulur fjalimin e Veliajt shohin herë pas here nga rruga me frikën se mos i merr përpara ndonjë makinë.) E dëgjoj tek mburret me punën e bashkisë. Mirëpo për këtë kopsht bashkia nuk ka dhënë asnjë lek, as ka marrë përsipër ndonjë punë, por vetëm ka dhënë lejen e ndërtimit. Fondet për rindërtimin e kopshtit i ka akorduar Bashkimi Evropian, kurse projektin e ka menaxhuar tërësisht UNDP.
Bashkia dhe kryetari i saj mund të mendonin të rikuperonin ndonjë metër katror të oborrit të dikurshëm, por s’e kanë vënë ujin në zjarr. Kanë punë më të rëndësishme. Do të japin ndonjë leje të re ndërtimi që zhduk një copëz parku gjetiu nëpër Tiranë.