Korça vdiq! Të rrojnë fëmijët (politikanët) Po si ta shpjegojmë anglisht këtë?!
Shkruan Ermal Qori
Në legjendë, që në lashtësi, Korytsa (Korça) u krijua mes kodrave nga një çoban me të njëjtin emër: KORYTSA. Gojëdhënat thonë se Korytsa ishte një bari aq i urtë e i sjellshëm, që jetonte në zonën ku hedh rrënjë sot Korça, sa që tërhoqi vëmendjen e sundimtarit të kohës, i cili i ofroi një truall për familjen e tij. Kështu, Korytsa ndërtoi fshatin shekuj më parë, e shekuj më pas lindi Korça që mahniti osmanët, francezët, grekët e të tjerë. Ironia e fatit duket se e lidh sërish me gjenezën e saj: e largët, e vetme, e izoluar dhe e lirë për çobanët.
Kjo po ndodh sot me qytetin e kulturës, turizmit dhe “Paris-it të vogël”, që francezët e deshën si për vete.
Korça sot është pa biznes, pa vizitorë që flasin në gjuhë të huaj dhe… pa rrugë! Po, pa rrugë Korça. Dita e pestë në izolim…S’ka më as fundjava ku dëgjohen serenata, as arratisje në Dardhë, as shërim për të sëmurët në klimën e Voskopojës… Teksa, ndonjë gotë raki e lakror korçar e gjejmë vetëm në mendime, rrugët e urat vijojnë më shumë të shemben. Çudi!
Kontrast i madh: objektivi për kampion turizmi në Ballkan përballë realitetit të mungesës së rrugës drejt zonës turistike, e cila, për hir të së vërtetës, tradicionalisht mbledh të gjithë shqiptarët në festa e fundjava, por do ti që edhe të huajt e vizitojnë po aq shumë sa patriotët?!
Pyetja është: si t’ia shpjegojmë një turisti që ka rezervuar në Dardhë, Voskopojë apo Korçë se do t’ia anulojmë vizitën, sepse na ra rruga? A ka gjuhë në botë që e përkthen këtë?
Deri në një zhvillim të dytë, këtë situatë tragjikomike do ta përtypim e tretim pa zë… Njësoj si ato njoftimet që i gjejmë në derën ngjitur të hotelit: “Ju lutem mos shkaktoni zhurmë, se shqetësoni fqinjët (politikanët).”
KOHA JONË SONDAZH

