Koronavirusi/ Aktori italian i humorit, Lino Banfi: Shumë njerëz tani mësuan të lajnë duart

Aktori italian Lino Banfi ka reaguar në lidhje me epideminë e koronavirusit dhe panikun e shkaktuar prej tij.

“Si fëmijë, kur ende jetoja në Puglia, disa vite rresht kam vuajtur nga sëmundja e tifos, paratifos, malaria dhe disa sëmundje virale…mund të kisha vdekur që 10 vjeç. Sot jam 84 vjeç mund të them që ato sëmundje më kanë fortifikuar dhe forcuar. Si gjysh i ‘lirë’ Libero, u them të gjithë të moshuarve si unë të mos kenë frikë nga koronavirusi dhe të jenë të qetë, sepse ne kemi antikorpe dhe jemi të fortë!”.

Është ky mesazhi që dërgon aktori mjaftë popullor, i njohur dhe si ‘Gjyshi i Italisë’, falë serialit të suksesshëm televiziv Rai ‘Një mjek në familje’.

“Nëse një gjysh vdes, nuk është se ai ka më pak vlerë se vdekja e një personi më të ri – thotë gjyshi Banfi,- por meqë puna ime si aktor humori më ka mësuar të buzëqesh dhe të bëj që njerëzit të buzëqeshin edhe në momente të trishtueshme, mund të them se ky koronavirus të paktën një gjë të mirë e bëri : u mësoi shumë njerëzve të lajnë duart, shpesh dhe mirë. Më parë, ndoshta, kishte shumë nga ata që nuk dinin si lahen duart. Një gjë mund at them me siguri: Shumë shpejt nuk do të ketë më arsye të frikësohet prej koronavirusit dhe ne do vazhdojmë të qeshim”.

SHKARKO APP