Koronavirusi ‘infekton’ lulet: Dyqanet kanë ulur qepenat, magazinat po boshatisen

Pandemia e koronavirusit ka prekur ekonominë në total, por edhe industrinë e luleve. Stasela Pjetri, sipërmarrëse në këtë fushë shprehet se magazinat mund të furnizojnë tregun edhe për 1 javë, pasi stoku po mbaron.

Nëse pas 1 jave do të dëshironi t’i dhuroni dikujt një buqetë lulesh në këtë kohë pandemie, nuk do të gjeni më as përmes porosive online.

Sipërmarrësja, Stasela Pjetri, që tregton lule me shumicë, shprehet se magazinat po zbrazen për shkak të pezullimit të importeve dhe faktit se lulet po prishen.

“Tregu praktikisht është në limitet e fundit, nuk ka më lule. Jam në kontakt të vazhdueshëm me klientët dhe të gjithë më lajmërojnë se nuk ka më. U sollën për herë të fundit në festën e 8 Marsit dhe pastaj çdo gjë u bllokua. Produkti nuk mund të magazinohet, nuk ka jetëgjatësi dhe është shumë i dëmtuar”.

Dërgesat e luleve që ofrohen nga pikat e pakicës, kanë qenë në nivele tëpër të ulëta, çka do të sjellë dëme të konsiderueshme në këtë industri.

“Dyqanet nuk kanë më furnizim, nuk kanë me se të vazhdojnë punën të paktën online për të nxjerrë shpenzimet e dyqanit se të gjithë kemi kosto, kemi qiratë, tatimet, punëtorët dhe nuk mund ta lëmë të vazhdojë kështu. Janë tonelata të tëra lulesh serash që po shkatërrohen sepse nuk ka treg shitje. Çdo gjë është bllokuar në të gjithë botën dhe për fat të keq dhe ne jemi pjesë e saj”.

Pjetri apelon autoritetet që të ndërmarrin masa lehtësuese për këtë biznes, pasi sipas saj, në këto kohëra të vështira për të gjithë, lulet do të mund të ishin prehje paqeje dhe kënaqësie.

SHKARKO APP