Kozeta Kurti: Fuqia e Zonjave Pop & Rock, përpara jush… rebelet e së shkuarës!

Intervistoi: Albina Gjergji

Bëhuni gati për një super ngjarje artistike. Kush ka siguruar biletat e së shtunës mbrëma për tek “Ladies Pop & Rock Concert”, e di që ka bërë e zgjedhjen e duhur për të përjetuar e arkivuar në memorie ndjesi që do të mbeten gjatë në kujtesë!

Emra dhe zëra brilantë do të ngjiten në skenën e Universitetit të Arteve në orën 19:00 të datës 11 nëntor. Ky aktivitet, i cili jo pa qëllim do të na kthejë pas në kohë, do të sjellë në vëmendjen e nostalgjikëve dhe brezit të ri vlerat e padiskutueshme të artisteve të mëdha, të atyre ikonave që në të shkuarën u privuan për ta jetuar ROCK shpërthimin e tyre artistik.

Për “Koha Jonë”, organizatorja e kësaj ngjarjeje të bukur, Kozeta Kurti zbulon detaje mjaft interesante për mënyrën se si lindi shkëndija për të materializuar idenë, si dhe risitë që do ketë ndryshe nga edicioni i parë, “Ladies Pop&Rock Concert”.

Ladies Pop & Rock Concert”. Kështu keni preferuar ta quani aktivitetin e radhës, që mban firmën tuaj në kreativitet? Pikërisht për këtë të fundit do doja të na flisnit pak Kozeta? Si ju lindi dhe nga buroi idea për të bashkuar në art, të shkuarën me të tashmen?

Ndoshta, sepse kam parë si mënyrën më të mirë, bashkimin e formës me përmbajtjen. Repertori është tërësisht i shkuar. Kënga më e re e koncertit është realizuar në vitin 2000, kurse forma, është e re; interpretimi është i ri, fryma e instrumentistëve dhe ata vetë janë të rinj. Unë udhëhiqem nga energjia, kam besuar gjithnjë në të, jam natyrë e “pakontestueshme” me të gjithë dhe e dija brenda vetes që mundja. Ideja lindi të nesërmen e koncertit të vitit të kaluar. Unë e dija që ai koncert do dilte mirë, sepse i kishim shërbyer me shumë dashuri dhe përkushtim, por jehonën që pati disa javë më vonë, nuk do ta harroj. Ishte nxitja kryesore për të projektuar një tjetër. Ishte tregues që njerëzit, sado pak apo shumë të jenë, dinë të dallojnë çfarë është patetike, meskine e vulgare e çfarë është poezi, muzikë, ngjyrë, aromë…

Emra të mëdhenj do të ngjiten në skenën e Universitetit të Arteve me 11 nëntor. Sa e vështirë ishte t’i bënit bashkë, duke e ditur që të gjitha artistët zhvillojnë jetën dhe aktivitetet e tyre brenda dhe jashtë vendit?  

Dhjetë minuta me secilën prej tyre më është dashur të marr një “po” të sigurtë nga të gjitha. Jam e vetëdijshme që reflektoj dashuri dhe pasion në atë që kërkoj të bëj në një fushë që nuk është njëqind për qind e imja. Dallohem qartë që unë s’bëj biznes a nuk përfitoj në emër të pasionit dhe artistët dinë të lexojnë sytë e qënien më mirë se kushdo tjetër. Ja pse unë s’kam gënjyer kurrë para tyre.

Si e keni konceptuar programin e së shtunës mbrëma?

Pa stisje, pa drama, pa pompozitet të shtyrë e të nxitur për hir të shoë-t. Jam përpjekur ta ruaj emocional e shpirtëror deri në fund. Ja pse koncerti nuk ka moderator/e, por është i ndërtuar mbi bazën e inserteve, me video-arkivat e këtyre këngëtareve në vite. Tekstet prezantuese të inserteve lexohen prej një aktori premtues si Igli Zarka, zëri i të cilit më ka intriguar që herën e parë që e kam dëgjuar. Me Iglin kemi realizuar bashkë të dy edhe çeljen e programit të së shtunës, por këtë po e lëmë surprizë, meqë e kam testuar në disa njerëz dhe kontakti i parë me atë video-mesazh është shumë emocionues. S’po e them që ta ruaj magjinë e sallës atë mbrëmje dhe magjinë e ekranit kur të transmetohet në Digitalb. I jam shmangur formulës klasike dhe dilemës, kush është emri më i madh këndon nga fundi, etj.. Jam përpjekur të ruaj ritmin dhe të parashikoj reagimet e sallës pas secilës këngë. Në skenë janë gjithnjë njëzet persona; njëmbëdhjetë violiniste, pesë djemtë e formacionit elektrik, tre vajzat e e back-vocaleve, ose kompleksi, siç quheshin dikur (qesh) dhe solistja. I kam dashur gjithnjë skenat masive dhe as ky rast nuk do të qe përjashtim.

Bashkëpunëtorët e Kozetës, cilët janë dhe sa e rëndësishme është që të jenë në të njëjtën frekuencë me ju?

Bashkëpunëtorët e mi janë pikërisht ata të cilët janë në të njëjtën frekuencë me mua, ndryshe nuk ndodh të ndjehemi skuadër. Të jenë pak të “çmendur”, siç unë jam. Të mos jenë veëm pritës, që ç’t’u them unë, të bëhet, por të shkëmbejmë ide, të mbajnë presionin e kohës, të mos marrim inat njëri-tjetrin kur ngremë zërin më shumë se ç’duhet, ta duan muzikën dhe një event të tillë të mos e shohin si punë që në fund të ditës do marrin ca lekë, sado qofshin ato e do të shkojnë në shtëpi, por ta shijojnë atë që bëjnë. Të kënaqen edhe vetë me atë që bëjnë, ndryshe, nuk kuptohemi. Kjo është arsyeja që punoj me njerëz që i njoh prej vitesh nga angazhimi im në media. Ama përsa i takon pjesës së muzikës nuk mund ta mohoj që, Gjergj Kaçinari, të cilit unë i besova edhe këtë vit drejtimin muzikor, më duket sikur e kam njohur në një jetë tjetër, kushedi se kur, kushedi se ku. Në një projekt të tillë nuk ka të parë e të dytë; ka veç njerëz që e duan atë që bëjnë!

A është e vështirë të realizosh projekte të këtyre përmasave dhe pse?

Është e vështirë veç prej mundësive financiare. Nuk mjafton veç një ide, sepse sado e mirë dhe e bukur të jetë ajo do ushqyer. Në një ngërç të tillë, ti duhet të kërkosh favore nga burimet njerëzore që kontrakton, shërbimet që kontrakton, ndërkohë që secili prej tyre ka dalë në punë për të bërë punën e për të jetuar me të ardhurat që i ofron puna. Nëse unë shkoj dhe i them, ty të bën dhjetë, por unë kam dy… shkon edhe ti po njësoj, edhe tjetri po njësoj… përfundimi është i pritshëm: bie cilësia. Për këtë arsye ti duhet të jesh (ose të paktën unë përpiqem të jem) solare, tolerante, e mirëkuptueshme, mikeshë, energjike, sakrifikuese. Vetëm kështu do marrësh mirëkuptimin e tyre. Po bëre si shefe a si brigadiere, nuk iku vetëm një betejë kot, por e gjithë lufta.

Ky aktivitet vjen pas suksesit që ju (me ekipin) jetuat vitin e shkuar. Keni të njëjtën pritshmëri, apo më shumë?

Të jem e sinqertë? Dëshiroj të paktën suksesin e vitit të kaluar, por e vërteta është se jemi investuar më shumë dhe kjo jo për shkak të emrave pjesëmarrës, se kjo do ta bënte shumë komerciale gjithë ngjarjen e unë nuk jam tipi, por sepse pres që kasti ta shijojë. Nuk e di… është lokacioni, pra ajo sallë, me të cilën shumica prej tyre janë të lidhura shpirtërisht se kanë kryer studimet aty; ka disa gjëra që më bëjnë të mendoj se do ta shijojnë shumë vetë e për këtë arsye do ta përçojnë lehtësisht edhe tek publiku.

A është në vetvete një shenjë mirënjohjeje ky koncert (për këngët e mëdha, artistet e mëdha), apo mesazhe të tjera mbart dhe kërkon të përçojë?

Është padiskutim një shenjë mirënjohjeje që unë dhe skuadra që po drejtoj, po e bëjmë kështu, sepse këtë mundësi kemi. Por është rizgjim i emocioneve të një publiku që hesht para asaj që sheh e dëgjon sot; është mbyllur në guackën e vet dhe nuk reagon. Është për t’i thënë ca pispiruqeve prej gome, ja çfarë bën një pjesë e këtyre zonjave që kanë moshën e mamave tuaja dhe dalin e këndojnë live, kurse juve s’ju skuqet fare faqja nga turpi, kur ju ngec CD-ja në “koncert”. U drejtoj një pyetje shumë të sinqertë: sa përqind mundësi kanë këngët tuaja të njihen e të këndohen edhe pas njëzet a tridhjetë vjetësh.

Në raport me historinë, artin, vetëdijen, nostalgjinë, kuriozitetin… si e shikoni brezin e ri në pasqyrën e asaj çka ne ishim dje e ata janë sot?

Për brezin ka gjithnjë tifozeri. Babai im thotë: në kohën tonë; unë i them motrës sime: në kohën time, e kjo histori nuk do marrë fund kurrë. Ajo që mund të them me siguri është se, sa më shumë gjëra të kesh, aq më pak e ke të mundur të zgjedhësh: shkon në shtëpi, ndez televizorin, kontrollon dhjetëra kanale filmash për shembull dhe si përfundim nuk sheh asnjërin. Kurse kur ke pak, fare pak, do mësohesh se s’bën ta duash atë, do e nxisësh pasionin me hir a pahir dhe shpirtërisht do jesh më i bukur, më i plotësuar. Me këtë nuk dua të them, rroftë izolimi, aspak! Por pak seleksionim nuk i bën dëm askujt.

Pasionante në gjithçka merr përsipër të bësh, ke patur raste dekurajimi, apo që në një fraksion sekonde (nga X pengesa) ke menduar që, “nuk bëhet”?

Mijëra herë…por në fund jam kujtuar cila jam: jam ajo që para qëllimit final, mund të trembet para shumëçkaje, por nuk tërhiqet para asgjëje. Ca e quajnë egoizëm, ca ambicie… për mua është thjesht plotësim i vetes me nevojat që shpirti im ka për të bërë diçka që e dëshiron…

Vitin e shkuar kur realizuat një koncert po kaq madhështor sa ç’pritet të jetë ky i radhës, jeni shprehur se është shumë e vështirë ta ribënit një ngjarje të atyre përmasave. Por… ja ku jemi sot Kozetë, rrethuar mes emrave si… (?)

E kam pasur fjalën për përsëritje të koncertit të vitit të kaluar. Pra, kam thënë që, kështu siç po e bëj tani, nuk kam në plan ta përsëris, që të interpretohet nga të rinjtë dhe interpretuesit e këngëve origjinale të jenë spektatorë. Kam shprehur dëshirën për një “reunion të tyre, ashtu si dikur…në vitet ‘90.  Këtë vit është krejt tjetër. Fuqinë e kanë gratë. Koncerti i ardhshëm do të shkruhet për “Albanian pop rock duets”, por si fillim do t’i japim pak frymëmarrje muzikantëve e do e ruajmë për 2019-ën këtë projekt, meqë 2018-ta do të jetë një vit ekspermental në teatër për mua, me një skuadër që po e ndërtoj dalëngadalë e që shpresoj të ketë suksesin e koncerteve.

Rebelja me shpirt të mëndafshtë, kështu preferoj t’ju drejtohem Kozetë, teksa mbyll intervistën me të fundit pyetje; pas përjetimit të një suksesi, cila është gjëja e parë që ju vjen ndërmend, ndërsa shtriheni në krevatin e qetësisë për të nisur një ditë re nesër?

Në këtë moment që po ju përgjigjem ka kaluar mesnata… unë do të shkoj pas pak të pushoj dhe sonte, gjëja e parë që më vjen ndërmend është: për fat të mirë ka ende gazetarë që dinë si të të mbushin kur të drejtohen ty, dinë si të të frymëzojnë… ndërsa zakonisht, pas përjetimit të një suksesi, mbyllem një orë e shpërthej në lot, pastaj kam dëshirë të festoj e në fund, kur shkoj të përplasem në  shtrat, pyes veten: a e merituam?

 

SHKARKO APP