Kredia për ekonominë/ Portofoli, me rritjen më të lartë që nga viti 2012

Në fund të qershorit, kredia bankare ka prekur normën më të lartë të rritjes prej shumë vitesh. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, portofoli i kredisë për ekonominë shqiptare arriti vlerën e 553 miliardë lekëve, në rritje me 4.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Vetëm gjatë muajit qershor, kredia për ekonominë është rritur me rreth 4 miliardë lekë. Gjysma e parë e këtij viti më në fund ka sjellë shenjat e pritura prej vitesh të një rritjeje të qëndrueshme të kreditimit. Rritja vjetore me këto përmasa nuk regjistrohej që në vitin 2012.

Megjithëse kredia e re, në fakt, ngelet në rënie krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar, zmadhimi i portofolit po ndodh sepse maturiteti i kredive në kohë po zgjatet. Në vitet e fundit, vërehet një tendencë e sistemit bankar për të dhënë më shumë kredi afatmesme dhe afatgjata. Pesha e lartë e kredive afatshkurtra, kryesisht overdrafteve të biznesit, ka qenë një tipar disi problematik, sepse këto linja financimi maturohen në jo më shumë se një vit. Mosrinovimi i overdrafteve në vlera të mëdha sillte një efekt gërryes në portofolin e kredisë për ekonominë.

Banka e Shqipërisë gjatë këtij viti është shprehur optimiste për rritjen e kreditimit e ekonomisë. Në veçanti, mbyllja e ristrukturimit të sistemit përmes disa shitblerjeve të rëndësishme, pritet ta kthejë fokusin e bankave drejt zgjerimit të biznesit dhe të rrisë ofertën për kredi.

Rritja e portofolit të kredisë paraqitet e shpërndarë në dy segmentet kryesore të tregut, bizneset dhe familjet. Kredia për bizneset private ka arritur në rreth 328 miliardë lekë, në rritje vjetore me 2.5%. Huadhënia në segmentin e biznesit përbën rreth 60% të portofolit total të kredisë dhe për momentin ka një rol përcaktues në rritjen e kreditimit të ekonomisë shqiptare. Pas një procesi disavjeçar të pastrimit të portofolit nga kreditë e këqija, ky segment i tregut në në fund duket se po gjen frymëmarrjeje. Ndërsa kredia për segmentin e individëve vazhdon prej vitesh të ndjekë një tendencë pozitive dhe ka arritur në 190 miliardë lekë, me rritje vjetore me 5.5%. / SCAN

SHKARKO APP