Krimi real i shtetarit tonë

Placeholder Image

Nga Ilir Levonja –

 Ajo që po ndodh mes Hagës dhe shtetarët e Kosovës, ndofta do i kthjellojë shqiptarët kudo ku ata jetojnë. Të shpresojmë se do ndodhi vërtetë kështu. Por ne zakonisht jemi më shumë zhurmëtarë, ndaj edhe sot shikon një solidaritet gati vullkanik në anën e presidentit Thaçi dhe ish krye parlamentarit Veseli apo luftës së UÇK-ës. Të shohim në ditët në vazhdim shenjat aq shumë të pritura të pjekurisë së shtetarit të domosdoshëm për një vend të lodhur nga koha, si Shqipëria natyrale. Ky lloj solidariteti gati i shfrenuar do ishte mirë të zëvendësohej me normalitetin e respektit reciprok karshi njëri-tjetrit. Pra që më përpara, më herët. Madje pa barrierat bajate me palë paralele duke shkelur mbi shqiptarët dhe dheun e tyre Shqipërinë natyrale. Por nuk e kanë bërë, ndaj sot janë kthyer në zhurmëmëdhenj të një gjoja solidariteti karshi dy emrave. Të gjithë njëshat po flasin në emër të shqiptarëve ndërkohë ku më të qelbur se Haga janë ata që i kanë poshtëruar aradhën e gjakut të tyre. Nga njëra anë them mirë që u goditën tani se ndofta do mësojnë arsyet se përse janë kaq të kollajshëm për t’u ngrënë. Dhe do ndryshojnë, por më ngec në fyt ajo mendja e mirë. Si shumë shqiptarë e kam humbur edhe unë besimin tek kjo klasë politike. Për më tepër kur ndjesia virtuale e ktheu një kryetar partie në Prishtinë, një lloj Drakule me bastunin magjik. Një vemje e ftohtë, verdhacuke që për shkak të shëndetit të lig jo vetëm ecën ngadalë e nuk qesh fare, por të dërrmon me bastunin e tij. E si mund të qeshi vendi pastaj. Nga ana tjetër më duket sikur po bëjnë propagandë dhe nuk janë siç edhe nuk kanë qenë historikisht të sinqertë me popullin e tyre. Eshtë naive të mos e kuptosh se jemi viktima të një konflikti mes Europës dhe Amerikës. Kur them që e kanë shumë lehtë për të na goditur kam parasysh stanjacion tonë për shkak të grindjeve të vazhdueshme mes veti. Të një korrupsioni katastrofik sa mund të themi me plot gojën që demokracia jonë është një demokraci vunerabël. Them vunerabël për shkak se gjithçka është subvencionim i huaj në formën e grandeve, donacioneve por edhe kredive të buta. Kundër kujt Hage e ngrini zërin, kur pak muaj më parë u shqyet nga borxhi që u dhanë për tërmetin e 26 nëntorit. A për lëmoshat e pandemisë. Hagën nuk e krijoi kusht tjetër por Europa. E kanë shumë lehtë për të na goditur për shkak se, në njëqind e tetë vite shtet, prapë jemi të dobët dhe plot dasime. Le t’i referohemi aktualitetit, aktualisht Kosova qeveriset me një përqindje minimale, një minimale historike që do mbahet mend. Pra qeveriset nga kulisat jo nga vota. Nuk shkoj në zgjedhje, në atë që quhet mundësia e sovranit, por veproi si donte bastuni. Iu bind bastunit kur duhej të shkonte në zgjedhje të reja. Shkarkoi publikisht një kryeministër, një krye parlamentare. Tani Europa dhe influenca sllave e shtrëngon të shkoj në Washington pa presidentin e vendit. Pak më poshtë një Shqipëri pa kuvend, me pushtet lokal monist pra jo funksionale veç pordhëve të propagandës, traut të rrugës së kombit etj., nuk ka se çfarë i ofron. Ose i ofron Peter Handken, nobelistët kundër shqiptarëve ata që derdhën lot në arkmortin e Millosheviçit. Kësisoj le të themi më mirë që na godasin se mbase do e kuptojmë më në fund se liria që kemi është më shumë se e çmuar.

SHKARKO APP