Kriminelë, të kërkuar nga drejtësia dhe përdorues droge, këta janë Rilindja
Nga Patrik Sadikaj –
Në një palë zgjedhje ku nuk kishte kundërshtarë, Edi Rama zgjodhi të mos zgjidhte njerëzit e duhur për ti shërbyer qytetarëve.
Ai megjithëse i kishte në xhep të gjitha bashkitë e vendit, me 30 qershor preferoi të caktonte kriminelë në vend të shërbëtorëve dhe ti vinte ata në kurriz të shqiptarëve. Kjo rrëzon krejtësisht të gjithë hipotezat e propagandës se Edi Rama në këto vite të pushtetit të tij, ka punuar për të ndërtuar shtet.
30 qershori është prova më e madhe se Rilindja që qeveris vendin, ka bërë krejt të kundërtën. Në vend të njerëzve me dinjitet, qytetarë dhe profesionistë, në karriget e institucioneve të shtetit janë ulur minimumi injorantë dhe maksimumi kriminelë.
Nëse në zgjedhjet e 2015 (lokale) apo në zgjedhjet e 2013 e 2017 (zgjedhjet parlamentare) zgjodhi kriminelët për të marrë zgjedhjet, në 30 qershor kishte shansin e artë që të tregonte se po bënte atë për të cilën u përbetua në vitin 2013-të: të bënte një shtet dinjitoz që punonte dhe mendonte për qytetarët.
30 qershori është shansi i humbur i Edi Ramës, por dhe prova më e madhe për shqiptarët, që të kuptojnë se për kë janë detyruar të votojnë dhe që sot po ashtu janë të detyruar ti mbajnë mbi kokë këta persona që jo vetëm që nuk i përfaqësojnë, por mbi të gjitha përfaqësojnë anën më të baltosur të shoqërisë.
Edi Rama mund t’jua kursente shqiptarëve shfaqjen e shëmtuar ku shohin sesi njëri pas tjetrit kryetarët e bashkive, pikërisht ata që kanë punën më të drejtpërdrejtë me qytetarët, të bien një e nga një të damkosur si njerëz me probleme me ligjin apo edhe më keq.
Si mundemi të ëndërrojmë të jemi pjesë e BE-së me këta kryetarë bashkishë që në CV-në e tyre nuk shkruajnë dot asgjë veç profesionin “biznesmen”!
Si mundemi të presim zhvillim në bashkitë që drejtojnë disa njerëz që kanë shkelur ligjin!
Si mundemi të presim të konsiderohemi europianë, kur në krye kemi njerëz që përfaqësojnë të kundërtën e vlerave të Europës!
Si mund të presim të na hapë derën Europa, ku shumë prej këtyre bashkiakëve dhe jo vetëm, janë persona që i fshihen drejtësive europiane?!!!!
Nuk e di, po situata është shumë më keq se sa e mendojmë teksa rrimë pafundësisht lokaleve dhe durojmë të na qeverisin disa halabakë, anadollakë dhe analfabetë.
Mbase për këtë arsye, duhet të marrim si të mirëqenë shprehjen e famshme: çdo popull meriton qeverisjen që ka…