Krisafi: Rezultati i zgjedhjeve në Malin e Zi surprizues, politika pro serbe ose ruse mund të jetë një problem

Në një intervistë për Ora News, studiuesi Ledion Krisafi u shpreh se rezultati i zgjedhjeve në Malin e Zi ishte një surprizë.

Krisafi tha se kishte një pjesëmarrje të madhe në votime dhe se tashmë pas 30 vitesh, Gjukanoviç nuk do të qeverisë më.

Për Krisafin, krahu fitues që është pro serb, mund të sjellë probleme në lidhje me politikën pro perëndimore.

Ledion Krisafi: Rezultati i zgjedhjeve në Malin e Zi ishte surprizë pasi shumica e sondazheve tregonin që Gjukanoviç do të fitonte sërish, kjo edhe pse opozita ishte e ndarë. Kishte një pjesëmarrje të madhe që gjë sipas analistëve shkoi kundër Gjukanoviç. Pas 30 vitesh Gjukanoviç humbet pushtetin duke mos bërë qeverinë. Në këto 30 vite ai ka dituar të luajë kartën proevropiane, përballë një opozite pro ruse dhe pro serbe. Kjo ka bërë që BE të mbyllë syrin ndaj pushtetin dhe korrupsionit të tij. Kjo opozitë edhe pse është pro serbe, tha se është në mbështetje të BE-së.

Në Malin e Zi ka fituar serbizmi dhe pas tyre Rusia. Kam përshtypjen që nuk do të ndryshojnë shumë gjëra. Një politikë pro serbe ose pro ruse mund të jetë një problem. Kam përshtypjen se në Malin  e Zi ka fituar kisha ortodokse serbe. Edhe sondazhet tregojnë se kisha ortodokse është institucioni më i besuar. Opozita ka rritur votat e tyre në mënyrë të madhe. Duke qenë se ka pasur këtë ndikim të madh të kishës mendoj se do të ketë ndikim edhe në qeverisje. Serbia është rikthyer përgjysmë në Mal të Zi.

Krisafi nga ana tjetër tha se shqiptari Dritan Abazoviç bëri një fushatë të mirë dhe mori vota nga të gjitha anët.

Ledion Krisafi: Dritan Abazoviç mendoj se ka bërë një fushatë të mirë, populistë duke tërhequr vota nga të gjitha anët. Fakti që u bashkua me pjesën pro serbe është se ishte kundër Gjukanovic dhe se janë në të njëjtën linjë për integrimin në BE. Nuk besoj se do të ndryshojë gjë në lidhje me NATO-n fitorja në Malin e Zi. Por duhet parë se si do të balancohet kjo gjendje dhe do të shohim se çfarë roli do të luajë partia e Dritan Abazoviç. Opozita duhet se i ka të sigurta votat dhe duhet parë se cfarë do të bëjë në qeverie. Nëse opozita do të tregohet më e mirë për luftimin e korrupsionit dhe në qeverisjen e vendit, mendoj se në zgjedhjet e tjera do të marrë më shumë vota.

Ndërsa referuar çështjes së bisedimeve Kosovë-Serbi, Krisafi theksoi se administratës Trump i leverdis një marrëveshje mes dy shteteve.

Ledion Krisafi: Administratës amerikane i intereson që të ketë një marrëveshje sa më të shpejtë mes Kosovës dhe Serbisë, më shumë për interesat e veta, ashtu si me marrëveshjen e Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Administratës Tump i duhet një fitore e tillë në fushën e politikës së jashtme. Sa i përket palëve, mendoj se Kosova është më e avantazhuar. Sa më shumë kapituj që të hapë Serbie drejt BE-së, aq më shumë do t’i duhet që të zgjidhë çështjen e Kosovës. Serbia ndodhet në një pozitë të vështire dhe i duhet të bëjë një zgjedhje. Serbia dhe Rusia nuk kanë interes që ta arrijnë shpejt një marrëveshje me Kosovës, ndërsa ShBA po përpiqet që ta mbyllë sa më shpejt një marrëveshje, gjë e cila mund të çojë në çdolloj marrëveshje, që për Kosovën nuk është e pranueshme.

SHKARKO APP