Krizë birre në Gjermani! Mungojnë shishet për të furnizuar lokalet

Një valë e nxehtë rekord vazhdon të prekë Europën. Në Gjermani, ajo po shkakton shqetësime serioze për një sektor në veçanti. Prodhuesit e birrës janë në vështirësi për shishe, për shkak të kërkesës së lartë nga konsumatorët.

Prodhuesit kanë bërë një apel emergjence, duke u bërë thirrje konsumatorëve që të kthejnë shishet bosh në mënyrë që të vijojë furnizimi i njësive tregtare. Birraria Weihenstephan u krijua në vitin 1040, duke e bërë atë fabrikën më të vjetër në botë.

Megjithatë, këtë verë, ajo lufton me një problem shumë të përditshëm, mungesën e shisheve bosh për të mbushur birrën e tyre. Në Gjermani, njerëzit paguajnë 8 deri në 15 cent për çdo shishe birrë të blerë, që i rimarrin kur të kthejnë shishen.

Kjo shishe pastaj dërgohet në fabrikë për t’u ripërdorur. Por vala aktuale e nxehtësisë ka rritur kërkesën për birrë që tejkalon ritmin në të cilin shishet po kthehen.

Në disa pjesë të Gjermanisë, temperatura ka arritur në 39 gradë, një rekord për këtë periudhë të vitit dhe zjarret nuk kanë munguar. Rreth 200 zjarrfikës u angazhuan katër ditë për të shuar zjarret në afërsi të kryeqytetit Berlin. Temperaturat e larta kanë shkaktuar gjithashtu thatësira të rënda në shumë zona të vendit. Fermerët gjermanë po bëjnë thirrje për një miliardë euro në ndihmë qeveritare për të ndihmuar në kompensimin e kulturave që janë prekur rëndë. Sipas vlerësimeve, prodhimi i grurit ka rënë me 18 për qind duke i shkaktuar industrisë një humbje prej rreth 1.5 miliardë euro.

SHKARKO APP