Kryemadhi në shtëpi thirrje Ramës: Koha për ndihma sociale dhe masa ekonomike
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi përmes një postimi në facebook, teksa tregon se ndodhet në shtëpi i ka bërë thirrje qeverisë që është koha për ndihma sociale dhe masa konkrete ekonomike. “Është koha për ndihma sociale për më të pamundurit dhe masa ekonomike konkrete, që të sigurohet me çdo kusht mosmbyllja e bizneseve dhe ruajtja e vendeve të punës”.
Postimi i plotë
Prej ditës së djeshme, ka shumë prej jush që vazhdoni më pyesni si e kaloj ditën dhe gjithashtu të ndaj momente të tjera nga përditshmëria. Janë të shumta edhe komunikimet tuaja ku më tregoni si po i kaloni këto momente vështirësie emocionale dhe ekonomike. Ndërsa ne përkujdesemi për familjet tona, priten nga qeveria veprime të menjëhershme për zbutjen e impaktit negativ që kjo situatë do ketë mbi ekonominë e vendit. Është koha për ndihma sociale për më të pamundurit dhe masa ekonomike konkrete, që të sigurohet me çdo kusht mosmbyllja e bizneseve dhe ruajtja e vendeve të punës.