Kryeministri Edi Rama do të çelë edicionin e dytë të Forumit Ekonomik në Tiranë
Forumi i II Ekonomik i Tiranës me tematikën “Rrugët drejt Reformës” do të zhvillohet në hotelin Maritim Plaza Tirana ditën e enjte, 30 janar 2020, ora 9.00.
Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama do të çelë forumin ditën e enjte, më 30 janar, teksa përfaqësues të tjerë të qeverisë do të jenë pjesë e forumit në Tiranë, përfshirë Ministren e Ekonomisë dhe Financave, znj. Anila Denaj, zëvendësministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Ilir Bejtja, zëvendësministrin e Ministrisë për Europën e Punët e Jashtme z.Etjen Xhafaj, zëvendëskryetarin e Bashkisë së Tiranës, z. Arbjan Mazniku, e të tjerë zyrtarë të lartë të sektorit publik e privat në Shqipëri.
Personalitete të tjera të larta do të jenë pjesë e forumit, si ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, z. Luigi Soreca, presidenti i Bankës së Tregtisë dhe të Zhvillimit në Detin e Zi, z. Dmitry Pankin, Menaxheri i TAP-it për Shqipërinë, z. Malfor Nuri, CEO i Vodafone Albania, z. Achilleas Kanaris, CEO i Alpha Bank Albania, z. George Papanastasiou e të tjerë udhëheqës të opinionit publik në Shqipëri dhe më tej.
Midis të tjerave, në forum do të diskutohet edhe reforma në ekonomi: qëndrueshmëria makro-fiskale dhe klima e përmirësuar e investimit, Ballkani Perëndimor në tranzicion: roli i Shqipërisë në një rajon në zhvillim, roli i infrastrukturës dhe industrisë së ndërtimit në rritjen e fuqisë ekonomike të Shqipërisë, shfrytëzimi i potencialit energjetik të vendit: problematika e strategji, premtimi i një zhvillimi urban smart: gjetja e zgjidhjeve dixhitale për qytetet shqiptare dhe përmirësimi i konkurrueshmërisë në Shqipëri: drejt një modeli të rritjes ekonomike bazuar tek eksporti.
Qëllimi kryesor i forumit është të kontribuojë nëpërmjet dialogut dhe ndarjes së ideve e vizionit, në shndërrimin e suksesshëm të Shqipërisë dhe çlirimin e potencialit për rritje sociale dhe ekonomike.
For more information about the Forum, please contact www.tiranaforum.com or email us info@tiranaforum.com