Kryeziu turistik

Kryeziu, Bashkia Fushë Arrëz, është përzgjedhur në Projektin e 100 Fshatrave

Nga Gjovalin Alia*

Kryeziu ndodhet në rrjedhjen e sipërme të lumit Fani i Madh ( Ura Bardhetit ), 5 km nga qyteti Fushë – Arrëz, pjesë e Bashkisë Fushë – Arrëz, qarku Shkodër.

Swiss Digital Desktop Reklama

Kryeziu shtrihet në një luginë të bukur ku lumi kalon përmes saj sëbashku me tre deget e tij, me toka pjellore; lendinat, kodrat e malet lartësohen mbi luginë duke u hapur në formën e ballkoneve natyrore. Zona e banuar është në lartësitë 560 – 700 m, ndersa malet Kunorë Dardhë e Krrabi në lartësitë deri 1640 m e perballë. Munella krenare 1992 m.

Swiss Digital Mobile Reklama

Banorët, në shekuj, kanë ndërtuar shtëpitë në këto terrene ballkone natyrore afer njera tjetrës, duke krijuar lagjen dhe lagjet përballë njëra tjetrës në dy anët e luginës duke formuar një mozaik piktoresk natyror e njerëzor. Kështu lagja Gegaj Gojan është përballë lagjes Lulaj, lagja Fercoi përballë lagjes Mejdan, lagja Arifaj përballë lagjes Brahaj etj.

Kryeziu  ka trashëgimi të pasur natyrore e humane. Pasuri natyrore janë relievi kodrinor e malor i larmishëm, pyje dushku, pishe, bredhi, ahu; burime ujore të mjaftushme si për vaditje dhe ujë të pishëm, një numër i madh krojesh; klima e freskët, ajri i pastër pa ndotje; bimë mjeksore e aromatike të shumëllojshme( boronica, luleshtrydhe, sherebela, shqema, kerpudha etj ); dëbora resurs, tetor – mars dhe në lartësi mbi 1000 m, trashesia e saj shkon mbi 2 m; toka bujqësore prodhuese për drithra buke, perime, pemë frutore ; kafshët e egra ( ujku, dhelpra, lepuri, ariu, derri i egër, kaprolli etj. ); tre objekte monumente natyrore ( ujvara, qarrat te kisha e Koder Gegës, qarrat tek xhamija Arifaj );

Objekte  nga lashtësia dhe mesjeta : Rruga Antike Adriatik – Dardani ( një segment i saj ka kaluar nepër Kryezi ). Toponimet si kala, krepat e kalasë, muret e kalasë, Fercoj ( fortesë ), gurët e farkes në Podina, guri i Xhodhisë, guri i Ndrikullës, etj. Në Kryezi janë tre kisha të vjetra dhe xhamia Arifaj. Frang Bardhi në vitin 1637 ka celebru meshë për banorët te kisha e Shna Prenes dhe thotë se është e hershme. Mullinj të blojes në lagjet Gegaj, Fercoj, Lajthizë, Arifaj.

Kryeziu është banuar që në lashtësi; Dy herë është zbrazur, banorët janë larguar për jetë më normale. Hera e dytë rreth vitit 1540. Pas rreth 100 vjetësh erdhën banorët e rinj. Prej 4 shekuj në Kryezi bashkëjetojnë 12 fise dhe dy besime, katolik e mysliman. Theksojmë se bashkëjetesa fetare e fisnore në shekuj ka qenë dhe është model edhe sot. Kjo perbën një vlerë të padiskutueshme, që duhet ta percjellim në breza. Kryeziasit kanë histori, tradita e kulturë. Janë të njohura perpjekjet antiturke. Shembull është Smajl Agë Kryeziu, një patriot i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Për kontributin patriotik e atdhetar ai u internua në Anadoll.

Nga shekulli i kaluar veçojmë : Kryengritja antiturke në Qafë – Mali, në vitin 1911,e cila është e njohur nga historia. Shumë burra kryezias ishin në radhët e kryengritesve. Luftimet zgjaten 3 muaj. Në luftë e siper u vranë Kol Ndue Curri, Gjin Ndue Cara, u plagos Zef Ndue Cara ( Ismet Bala studiues ). Lapidari ne Bardhet evidenton këtë ngjarje historike. Kryeziasit ishin mbështetës aktiv të levizjeve patriotike për pavarësi, liri e demokraci si dhe në mbrojtje të kufive të Shqipërisë e deri te Revolucioni i Qershorit 1924. Strehuan e bashkëpunuan me patriotët e luftëtarët e mëdhenj kosovar, si Isa Boletini, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Shote e Azem Galica etj. Me ditë e javë të tëra janë strehuar tek shtepitë e Mustaf Agës, Marka Ndoc Lulit, Dod Preng Ndoj, Marka Dod Alia etj. lidhjet ekonomike, tregtare e kulturore Kryeziu në shekuj i ka pas me Shkodren e Gjakoven.

Në kohën e Princ Vidit, qeveria e Durrësit u vu në vështersi nga kryengritësit rebel. Në mbrojtje të  rendit kushtetues dhe trojeve shqiptare shkuan burra edhe nga Kryeziu, pjesë e forcave mirditore. Në perpjekje mbeti i vrarë kryeziasi Dod Llesh Gjini ( Jakaj ).

Në Kryezi kanë origjinen dy korifenj të letrave shqipe At’Shtjefen Gjeçov Kryeziu dhe Ndre Mjeda, me të cilët krenohemi me vepren e  tyre madhore në sherbim të historisë e kulturës kombëtare.

Hapja e shkollës së parë shqipe në Kryezi në vitin 1934 ishte ngjarje e rendësishme. Nikoll Preng Rrapi liroi për tre vite shtepinë kullë për shkollë. Mesues i parë ishte Filip Lacuku nga Shkodra. Në klasën e parë vijoi shkollën një vajzë, Lena Mark Alia(Gjinaj ). Në vitin 1932 Kryeziu kishte 77 shtepi ( At Gjon karma ) në vitin 1990, 2100 banorë dhe sot 1150 banorë.

Shkolla dhe mesimi nuk është nderpre për asnjë vit deri në ditet e sotme. Shkolla e Kryeziut mban emrin “Shtjfen Gjeçovi”.

Kryezezët u perfshinë në luftën çlirimtare kundër pushtuesve nazifashist. Në Kryezi vepronte Brigata e 22. S. Shtabi i brigatës u vendos te shtepia e Sherif Vesel Aga dhe tek Mirash Marka Keçi. Partizanet  u mbeshtetën me forca njerzore dhe strehime, ushqime e veshmbathje. Kryeziu ka tre deshmorë të luftës Nikoll Mem Çuku, Dod Mark Lleshi, Nikoll Vorfi dhe dy pas çlirimit, Rasim Kryeziu për rindertimin e vendit dhe Allaman Dervishi renë në vitin 1997 në mbrojtje të rendit.

Që në kohen e Italisë u vendosën sharrat e para në Kryezi. Pas çlirimit u instalua stabilimenti i sharrave,  i drejtuar fillimishr nga drejtoret Jorgo Tako, pas tij Pellumb Dishnica etj. Nd/je nacionale për disa dekada( një gatër e zdrugthtaria ka qene deri vitet e fundit ). Qindra punëtorë erdhen nga rrethet Pukë, Kukës, Mirditë, Has etj. Në sharrat e Kryeziut u punësuan me dhjetra kryezias ( nga 2 – 5 vetë për familje ). Qyteza e re kish zyra, bujtinat e punetoreve, drite elektrike, qendër kulture, njësi tregtare, furrë buke, ambulancë.

Punësimi në sharra solli të ardhura të mëdha financiare. Kryeziasit ndryshuan menyrën e jetesës. Pothuajse të gjithë ndërtuan shtëpi të reja të tipit kullë 2 katëshe. Gjatë ketyre viteve erdhën kuadro, specialistë, arsimtarë nga qytete të Shqipërisë si Shkodra, Tirana e deri Gjirokastra. Ato sollën vlera të kulturës e qytetrimit, por edhe në Kryezi gjeten  vlera, si mikpritjen, bujarinë, respektin. U ndërthurën kulturat, u bë një integrim kulturash e vlerash njerzore duke perfituar nga njëri tjetri.

Pas vitit 1945, rruga hekurudhë, Bardhet – Kryezi, u kthye në rrugë automobilistike, duke i dhënë një zhvillim te ri Kryeziut. Me pas rruga hekurudhë, Lokomotiva terhiqte vagonat, transport trupa në thellesi të pyjeve, njera Orosh – Kryezi dhe tjetra Prrez – Hija e Shoshtit.

Qyteza e re në Kryezi paraqiti interes dhe u vizitua nga intelektual të njohur, si shkrimtari i madh Dritëro Agolli “Nderi i Kombit”, i cili ka shkruar për Kryeziun, po keshtu “Piktori i Popullit” Zef Shoshi, i cili hodhi ne telajot e skicat e tij imazhe nga Kryeziu e portrete njerzish, mjeku Alfred Sereqi ishte shumë i lidhur me kryezezet e veçanërisht për sherbimet shendetësore, studiuesi Xhemal Meçi “Mjeshtër i Madh”, ish drejtor i shkollës ka bërë dhe vazhdon të bëjë studime e të shkruajë për Kryeziun. Keto vitet e fundit kanë shkruar për Kryeziun, shkrimtari Sefer Pasha, artisti i njohur regjisori Fran Vukaj, Profesorët e nderuar Mahir Hoti, Bajram Xhafa, Rexhep Uka, Sabri Laçi, studiuesit Jaho Brahaj, Gjovalin Alia, Bilbil Dervishi etj. Pervojen e tij po e ndan edhe z. Perparim Laçi, pronar i hanit Pukë.

Ndikim të veçantë në komunitet për besimin në zot, për tolerancen fetare, të jetuarit në paqe e në harmoni patën klerikët katolik Dom Ndre Mjeda, Dom Nikoll Mazrreku, Dom Ejll Kovaçi, Kardinal Ernest Troshani, Patër Andrea etj. Në këshillin e kishës në ato vite bënin pjesë edhe dy përsona të besimit mysliman, një tregues i shkelqyer për forcimin e bashkejetesës fetare. Në vitin 1971 kisha e Shna Prenes u shemb në themele nga diktatura komuniste, me stalinjevsk u shkulën lisat shekullor pranë kishës. Në vitin 2015 u rindertua kisha me inisiativen e kontribut të z. Ylli Rrapi, mjeshtër popullor, që në vite ka ndertuar mbi 100 kulla dy katëshe.

E pasur është etnokultura, që evidentohet me kostumografinë, instrumentat, kënget, vallet e lojrat popullore, veglat e punës etj. Tek kostumografia janë tre veshje për gratë, mirditore, kabash, pukore. Nersa veshja e burrave tirq e xhamadan, kapuç të bardhë. Janë përdorur vegla muzikore çifteli, lahutë, fyell, bilbil, daulle, dajre. Këngë me çifteli, këngë me lahutë, këngë maje krahu, valle e lojera popullore janë interpretuar në festa, dasma e evente të tjera gëzimi. Gastronomia është e pasur dhe e shumllojshme. Gratë shtëpiake kanë gatuar bukë e ushqime të shishme, të pastra e cilësore. Këto tradita janë përcjell në breza deri në ditët e sotme.

Kryeziu ka qenë antikomunist, ka përballuar me dinjitet persekutimin komunist. Edhe kolektivizimi la pasojat e tij kryesisht të uljes së nivelit të jetesës.

Kryeziu priti me interes ndryshimin, menjëherë kryzezet u perfshinë në proceset demokratike. Asnjë problem në Kryezi në vitet 1990, 1997, 1998. Çdo gjë në normalitet.

Të gjitha keto vlera natyrore e humane, që ofron Kryeziu, përbëjnë potencial të madh për zhvillimin e turizmit, eko – turizmit, agro – turizmit. Kryeziu është perfshirë nga qeveria shqiptare në 100 fshatrat. Bashkia bën punën e saj, për grumbullimin e informacionit, evidentim vlerash; paisje me çertifikata pronsie dhe pregatitje projektesh. Shoqata Eko – Turistike, sipas misionit të saj, po bën promovimin e vlerave natyrore e humane që ofron Kryeziu, jep mendime e ide zhvillimore. Shoqata e grave organizon panaire për gastronominë sipas traditës, për kostumografinë etj. Shkolla 9-vjeçare, mesuesit, krahas mësimit, bëjnë një punë komunitare për të edukuar nxënësit e prinderit për edukimin mjedisor, edukimin turistik e dashurinë për vendlindjen. Mediat vizive si News 24, TVSH, TV Puka Zeri Amerikës etj. prezantojnë në televizion punën e përpjekjet që po bëhen për zhvillimin e turizmit në Kryezi.

Grupet e interesit ( biznesi, fermerët ) kanë filluar nga puna. Tonin Alia, kullën e gjyshit e ka restauruar dhe kthyer në rezidencë turistike. Po keshtu Pal Papushi kullën e babait e ka kthyer rezidencë. Keto dy rezidenca janë promovuar më heret. Kanë filluar nga puna për restaurimin e kullave Muhamet Brahaj, Ylli Rrapi, Bilbil Dervishi, Hil Kola, Fatmir Arifaj etj. Nikolin Prenga në bashkëpunim me Marjana Graf në afersi të kullës, ka në përfundim një objekt 3 kat që është në prag inagurimi. Janë ngritur ferma blegtorale  ( Fadil Brahaj tek stanet e Brahajve K/Dardhë ) pemtore; qershi, mollë, kumbulla, gështenja etj. Të tjerë janë të motivuar , por kerkojnë mbështetje.

Infrastruktura rrugore është faktor i rendësishëm. Rruga automobilistike nga Bardheti deri në Iballë është e asfaltuar, cilësi e lartë, asfalti ka shkuar edhe në lagjen Jakaj. Lagjet e tjera janë të lidhura me rrugë të pa asfaltuara.

Shoqata Eko-Turistike ka dhënë mendime e ide për Kryeziun Turistik, të cilat i shprehi në një tryezë, me 24 Gusht 2018 në Kryezi, ku ishin të pranishëm edhe perfaqësues të pushtetit vendor grupe interesi etj. Një koncept ide e propozuar, e sjellë nëvemendje.

Më konkretisht :

1.Kullat e vjetra, dy e tre kate të restaurohen e të kthehen në rezidenca turistike. Janë mbi 35 kulla, secila prej tyre ka histori. Tokat bujqësore pranë tyre të kthehen në kopshtari e pemtore për prodhime bio për t’u gatuar e konsumuar nga turistët në rezidencë.

2.Lumi i Kryeziut, një pjesë e tij, nga ish stalla deri te ura e Kodër Gegë të sistemohet në argjenatura, siperfaqja nga dy anët e shtratit të lumit të nivelohet, të sistemohet dhe të ndertohet një kompleks sherbimesh, bulevarde, pishina, gjelbrime, ndiçime, ura të vogla artistike lidhëse etj.

3.Të projektohet e ndertohet qendra historike në afersi të shkollës 9-vjeçare me keto objekte : muzeu i fshatit, muzeu i shkollës (është sot), muzeu i etnokulturës. Aty afër ka qenë stabilimenti i sharrave. Në ato themele të montohet një gatërr, një çekular, të vendosën postera spjeguese. Në koder sipër të ndertohet një segment rrugë hekurudhë 150 – 200 m, në gjurmë të ish hekurudhës po kështu edhe posterat spjeguese. Të restaurohet lapidari i dëshmorëve të sistemohet ambjenti rreth tij. Kompleksi muzeal të gjelbërohet, të ndriçohet, të jetë sa më i bukur e funksional per t’u vizituar nga turistet vendas e të huaj.

4.Në kodër Gegë, në afersi të kabinës elektrike, të ngrihet një memorial ose një shtatore e lartë, atë që mendon komuniteti, të sistemohet ambjenti për rreth me mure dekorative me gjelbrime, me mozaik, me pllakata spjeguese, ndriçime etj.

5.Në lartësinë mbi 900 m ndodhen katër lendina me siperfaqe 10-20 ha, ballkone natyrore, mes gjelbrimit gjithvjetor, me horizont hapsinor të larmishëm, piktoresk  të kendshëm për syrin e shikuesit, me kroje uji të ftohtë. Keto janë : Hurdha, Laver Dardhë, Fushë Mriaj, Kalipjetër. Në keto vende dikur stane, mund të ndertohen komplekse turistike me standarte e cilësi të lartë sherbimi me 4 – 5 yje.

Secili kompleks turistik do të ketë në perbërje disa objekte si : Hotel restorant              4 – 6 kat model alpin, kabina druri familjare, terene sportive, salla konferencash, salla kompiuteri e interneti, bibliotekë, pista e skive, parku i gjuetisë sportive, parcela bujqësore, kopshtari e pemtore, parku i bleteve, në afërsi stallat dhi, dele, lopë, derra, pula, kuaj; pista për ulje e ngritje helikopteri; qendër shendetsore e ndihmës së shpejtë. Katër komplekset e propozuara janë të lidhura me rrugë makine sot të pa asfaltuara, neser të asfaltuara. Keto  mund të lidhen edhe me teleferik.

6.Ndertimi i një ujësjellsi për furnizimin me ujë të pishëm në çdo shtëpi e objekte turistike.

7.Është propozuar edhe ndertimi i një ure pacarelë artistike në hyrje te Kryeziut, kodër në kodër (një këmbë e urës në gjurmet e rrugës antike), rreth 900m e gjatë e 100m e lartë. Ura të shoqërohet me gjera artistike si mozaik, postera, sinjalistike. Mbi urë të bëhen shetitje, filmime, foto në evente gëzimi etj.

Kjo koncept ide e propozuar për Kryeziun turistik ju duket disave utopi, por nuk është ashtu. Nuk ka gjë që nuk behët. Pervojat rajonale e evropiane janë. Teritorin e Kryeziut e ka falë zoti të bukur e që krijon avantazhe e mundesi për turizëm. Njerëzit  janë vizionar, të perkushtuar e punëtor. Projektet bindëse financohen pjesë, pjesë duke u mbështetur nga Bashkia, Qeveria Shqiptare, biznesmenet, donatoret, Bashkimi Evropian etj.

Disa shtrojnë pyetjen, a mund të realizohet ky projekt gjigand? Ne pergjigjemi, një shifër 100 miljon € nuk është tronditese. Të tjerë vene në dispozicion më shumë para. Pyetje tjetër është, a do të vijnë turistë në Kryezi? Ne pergjigjemi Po. Sigurisht kanë ardhur e do të vijnë. Bota ka 7.4 miliard njerëz. Disa prej tyre e kerkojnë ketë vend të bekuar, ketë klimë malore, ketë gjelbrim, ketë histori e traditë, ketë performacë që ofron Kryeziu. Rendësi ka sherbimi që do të ofrohet. Mundësitë janë për sherbim cilësor për zhvillimin e turizmit të gjelbër, të bardhë, kulturor, sportiv, kurativ, agroturizëm etj.   

Djemtë e vajzat e Kryeziut janë të mirëshkolluar, me arsim të lartë, janë tipa të zgjuar e vizionar, dinë të hartojnë politika zhvillimi, strategji e projekte, kanë në gen perkushtimin, tolerancën e punën e ndershme me mund e djersë, dinë të bejnë tregti, biznes e sherbime me kulturë, krijojnë ura bashkëpunimi, e si rrjedhojë bejnë gjera të mëdha. Vetë Kryeziu është i madh, është madhështor. Do ta bëjmë edhe më të bukur, një qendër  turistike të frekuentueshme.

*Kryetar i Shoqatës Eko – Turistike

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?