“Kthimet në shtëpi”! Riatdhesimet e shqiptarëve nga kampi i ferrit dhe skaneri i Ballkanit

Qytetarë të vendeve të Ballkanit u bënë pjesë e konflikteve në Lindjen e Mesme ndërkohë që shkatërrimi i shtetit islamik la pas gra dhe fëmijë që e gjetën veten në kampe, nga të cilat nuk është e lehtë të dilet. Një numër i konsiderueshëm luftëtarësh të huaj nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Bosnjë-Hercegovina, Serbia apo Mali i Zi, u përfshinë në këto konflikte në numra që shkojnë në qindra.

Në vend të parë ishin qytetarë të Bosnjë-Hercegovinës me rreth 350, ndërkohë që numri i qytetarëve nga Shqipëria të angazhuar në Siri dhe Irak ishte rreth 140-150 persona. Ndër vendet e tjera të rajonit, numrat variojnë me disa dhjetra, ndërkohë që Kosova mendohej se kishte rreth 300 ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, nga disa dhjetra. Numri i luftëtarëve të huaj nga rajoni u rrit sidomos gjatë viteve 2013 dhe 2014, ndërkohë që pësoi rënie të konsiderueshme gjatë gjysmës së parë të vitit 2015.

Shkatërrimi i shtetit islamik me qendër në Raka të Sirisë, bëri që mijëra prej tyre, përfshi gra dhe fëmijë, të izoloheshin në kampe në veri të Sirisë. Rënia e grupit militant Shteti Islamik, që dikur kontrollonte mbi 100 mijë kilometra katrorë territor dhe së paku tetë milionë njerëz, bëri që shumë luftëtarë të tij të kapeshin ndërsa familjarët e tyre mbahen në kampe të ndryshme. Presidenti amerikan Donald Trump kërkoi vitin e kaluar që Evropa të merrte mbrapsht mbi 800 luftëtarë të shtetit islamik të kapur në Siri.

SHQIPERIA

Federata e Kryqit të Kuq ndërkombëtar  dhe Gjysëm Hëna e Kuqe siriane(Sarc), në koordinim me qeverinë shqiptare, ndihmuan në riathesimin e 4 fëmijëve dhe një gruaje për në Shqipëri, përmes Damaskut, Bejrutit dhe Libanit. Por ky nuk ishte rasti i parë. Një vit më parë, një fëmijë tjetër me origjinë shqiptare, Alvini, i bllokuar në al-Hol, u shpëtua dhe u dërgua tek babai I tij shqiptar në Itali.

Këto riatdhesime janë procese shumë të ndërlikuara që përfshijnë disa shtete. Tomasso Della Longa, zëdhënës i Federatës ndërkombëtare të Kryqit të Kuq, thotë se është një proces që nuk mund të realizohet pa dialog të gjithanshëm.

“Falë rolit tonë asnjanës, kemi aftësinë të dialogojmë me të gjitha palët e interesuara, si me autoritetet e kampit, me qeverinë e Damaskut e edhe atë të Libanit e të Shqipërisë” tha ai.

Përfshirja në ISIS është vepër penale në Shqipëri. Kodi Penal shqiptar e konsideron si krim “pjesëmarrjen në veprime luftarake në një vend të huaj”, pa qenë shtetas i atij vendit, pjesëtar i ushtrive të palëve në konflikt, apo i ndonjë misioni ushtarak zyrtar. Kodi Penal parashikon për këtë veprim dënim me burg nga 3 deri në 8 vjet.

Në rastet kur kjo vepër ka kryer me qëllim përmbysjen e rendit kushtetues apo shkeljen e integritetit territorial të një shteti të huaj, dënimi i mundshëm sipas Kodit, shkon nga 5 deri në 10 vite burg. Shqipëria ka dënime më të ashpra për organizatorët për pjesëmarrje në luftime në shtet të huaj, për të cilët parashikohet burgim nga 8 në 15 vite. Veprat penale që kanë të bëjnë me rekrutimin e personave për terrorizëm apo financimin e tij dënohen me jo më pak se 10 vite burg.

KOSOVA

Gruaja e riatdhesuar në Shqipëri, në tetor nga kampi Al-Hol, ishte bashkëshortja e Diamant Rashës, i vrarë në Siri ndërkohë që më vonë ishte bërë gruaja e Lavdërim Muhaxherit, po kështu i vrarë. Muhaxheri, shtetas i Kosovës, kishte shkuar në Siri në fund të vitit 2012 dhe ishte shfaqur në një numër videosh në të cilat iu bënte thirrje shqiptarëve t’i bashkoheshin xhihadit.

Policia e Kosovës dhe familja e tij konfirmuan se Muhaxheri ishte vrarë më 8 qershor të vitit 2017 në Lindjen e Mesme. Sipas mediave lokale, Muhaxheri ishte vrarë gjatë sulmeve ajrore amerikane.

“Bazuar në të dhënat që posedon Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria Kundër Terrorizmit, në zonën e konfliktit Siri apo Irak, janë gjithsej 102 persona me shtetësi apo origjinë nga Kosova të cilët në periudha kohore të ndryshme nga viti 2012 deri tani kanë udhëtuar nga Kosova apo ndonjë shtet tjetër për në zonën e konfliktit.

Në zonën e konfliktit, janë aktualisht 46 fëmijë të cilët kanë udhëtuar ose kanë lindur në zonën e konfliktit së paku nga njëri prind me shtetësi nga Kosova.  Në forma të ndryshme, Policia e Kosovës ka informata se në zonën e konfliktit janë vrarë ose kanë vdekur (vdekje natyrore) rreth 97 persona. Në qoftë se Qeveria e Republikës së Kosovës merr vendim për t’i kthyer ata në Kosovë, Policia e Kosovës ka kapacitete për të ofruar siguri në Kosovë për personat që do te ktheheshin” tha policia e Kosovës per ABC-ne.

Nuk kam informacione se fëmijët e kujt janë dhe nuk është me rëndësi se fëmijët e cilit individ janë. Unë mendoj se kjo nuk kontribuon në riintegrimin e atyre fëmije se mund të çojë një stigmanitizim dhe kjo nuk është e shëndetshme as për fëmijët dhe as për shoqërinë” tha Shpat Balaj, qendra kosovare për studime të sigurisë.

Nga Kosova në konflikt në Siri dhe Irak kanë shkuar diku 400 persona, prej të cilëve 250 janë kthyer në Kosovë. Para dy vitesh Kosova ishte ndër vendet e para që ktheu në mënyrë të organizuar qytetarët e saj, shumica gra dhe fëmijë. Qasja ka qenë edhe ndëshkuese edhe riintegruruese. 255 konsiderohen si luftëtarë të huaj, 250 janë kthyer, rreth 100 dyshohet se janë vrarë, rreth 100 janë ende në Siri.

Sa i përket grave disa janë hetuar dhe disa dënuar, pasi kanë shkuar në konfliktet e huaja. Fëmijët janë duke marrë programe të ndryshme riedukimi. Deri tani fëmijët e integruar marrin mësime shtesë të organizuar nga ministria e Arsimit. Për gratë dhe burrat ka kontrolle psikologjike nga ekspertët e fushës dhe këtë proces e udhëheq një divizion brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme” tha Shpat Balaj, qendra kosovare për studime të sigurisë.

Kosova ktheu në fund të vitit të kaluar 110 qytetarë të saj që kishin qëndruar në vatrat e luftës në Siri. Ministri i Drejtësisë së Kosovës në atë kohë, Abelard Tahiri, pati thënë se kthimi ishte operacion i qeverisë së Kosovës me ndihmën e Shteteve të Bashkuara. Ambasada amerikane në Prishtinë përshëndeti operacionin e riatdhesimit duke thënë se Kosova kishte treguar një shembull për t’u ndjekur.

“Përmes këtij riatdhesimi, Kosova ka treguar një shembull që duhet ndjekur për të gjithë komunitetin ndërkombëtar dhe anëtarët e koalicionit global për mposhtjen e grupit militant të Shtetit Islamik. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë mirënjohëse për mbështetjen e Forcave Demokratike Siriane në procesin e kthimit dhe ndalimit të qindra luftëtarëve të ISIS nga dhjetëra shtete”.

Policia e Kosovës pati konfirmuar se mes 110 të kthyerve, ishin 4 luftëtarë, 32 gra dhe 74 fëmijë, përfshi 4 fëmijë që kishin humbur prindërit në luftë. Menjëherë pas kthimit burrat u dërguan në burg, ndërsa autoritetet filluan hetimet ndaj 32 grave. Tashmë disa prej tyre janë nën aktakuzë dhe të paktën njëra nga gratë është dënuar me kusht, ndërsa njëri nga burrat me katër vjet heqje lirie. Drejtori i Policisë së Kosovës pati konfirmuar gjithashtu se në zonën e konfliktit mbeten ende 30 luftëtarë, 49 gra dhe 8 fëmijë.

Por edhe Kosova ka ligje të qarta për vepra penale që lidhen me pjesëmarrjen në një konflikt të huaj. Mbi 50 persona janë dënuar deri tani për përfshirje në luftërat në Lindjen e Mesme si dhe nxitje dhe rekrutim të luftëtarëve. Prokuroria e posaçme e Kosovës ngriti akuza vitin e kaluar ndaj disa prej të kthyerve nga Siria, kundër dy grave dhe një burri, për veprën penale”organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist” si anëtar i batalionit “ABU MUSAB Al ZARQAËI”, dhe “UMAR HATTAB” në Damask”.

Ministri i Drejtësisë së Kosovës në atë kohë, Tahiri pati theksuar se ata që kishin kryer vepra penale do të përgjigjeshin para drejtësisë, ndërsa të tjerëve do t’u ofrohej mundësia për rehabilitim dhe ri-integrim.

“Gra dhe fëmijë ishin viktima të papërgjegjësisë së personave që për interesa të ndryshme i kanë shfrytëzuar duke ua mohuar të ardhmen pa vullnetin e tyre, duke i lënë me pasoja të mëdha e në raste të caktuara edhe viktima” tha ai.

Që nga fillimi i konfliktit në Siri, rreth 400 qytetarë të Kosovës besohet se janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme. Mbi 70 veta kanë humbur jetën ndërsa rreth 130 janë kthyer.

MAQEDONI E VERIUT

Vitin e kaluar, një gjykatë në Maqedoninë e Veriut dha dënime me burg për shtatë shtetas, duke i akuzuar ata për pjesëmarrje në luftime me grupin e Shtetit Islamik në Siri dhe Irak. Gjashtë burra u dënuan me gjashtë vjet burg ndërsa i shtati me nëntë vjet pasi u gjet fajtor për akuzat e organizimit të një grupi terrorist. Të dyshuarit u arrestuan gushtin e kaluar në Siri nga forcat e koalicionit ndërkombëtar dhe më vonë iu dorëzuan autoriteteve maqedonase.

Ishte grupi i dytë nga Maqedonia e Veriut i dënuar për bashkim me ISIS dhe rekrutim të luftëtarëve për të. Në Mars të vitit 2016, autoritetet maqedonase kishin dënuar gjashtë persona, përfshirë një predikues musliman, me nga pesë deri në shtatë vjet burg. Parlamenti i Maqedonisë së Veriut ka miratuar ndërkohë një plan gjithëpërfshirës, të rehabilitimit dhe ri-integrimit, si pjesë e përpjekjes për të kthyer në shtëpi rreth 40 qytetarë të saj, kryesisht gra dhe fëmijë, të cilët qëndrojnë në kampe. Plani, i cili ka mbështetje politike, financiare dhe teknike nga bashkësia ndërkombëtare, përfshin edhe ata që do të lirohen së shpejti nga burgu.

Ngjashëm me përpjekjet e një numri të vogël vendesh, përfshi ato të Azisë Qendrore, të cilat kanë kërkuar të riatdhesojnë të gjithë qytetarët e tyre, iniciativa e Maqedonisë së Veriut mund të bëhet model i zbatueshëm. Partnerët ndërkombëtarë janë të përgatitur t’i transferojnë këta qytetarë nga kampet dhe të ndihmojnë në mbledhjen e provave në fushë-betejë për të lehtësuar ndjekjen penale të atyre që mund të kenë kryer krime. Së dyti, një numër personash të dënuar për terrorizëm duhet të përfundojnë dënimet e shkurtra me burg dhe duhet të ri-integrohen në shoqëri. 83 nga 156 shtetas të Maqedonisë së Veriut që udhëtuan në Irak dhe Siri janë kthyer tashmë në vend dhe me sa duket shërbimet e sigurisë vazhdojnë t’i mbajnë në mbikqyrje.

BOSNJE-HERCEGOVINA

Njëzet e pesë ish luftëtarë të ISIS, gra dhe fëmijë, disa prej tyre jetimë, u kthyen në Bosnjë në fund të vitit të kaluar. Shtatë burra iu dorëzuan prokurorit të shtetit ndërsa gjashtë gra dhe 12 fëmijë u dërguan në një qendër pritjeje për ekzaminim të mëtejshëm dhe ndihmë mjekësore. “Të dyshuarit janë nën hetim për veprat penale të organizimit të një grupi terrorist, formimin e paligjshëm dhe bashkimin e formacioneve të huaja paramilitare ose paraushtarake dhe terrorizmit.”

Disa nga këta persona u kërkuan me urdhër arresti ndërkombëtar me urdhër të Gjykatës së Bosnjë-Hercegovinës. Aeroplani që mbante shtetasit boshnjakë që ktheheshin nga Siria u ul në aeroport në kryeqytetin e Sarajevës nën masa të ashpra sigurie. Zyrtarët boshnjakë kanë thënë se rreth 260 shtetas boshnjakë mbeten në kampe në Siri, duke përfshirë rreth 100 burra dhe 160 gra dhe fëmijë.

Bosnja përgatitej që nga tetori i vitit të kaluar për gjykimin e nëntë shtetasve të saj të dyshuar për pjesëmarrje në luftime në krah të ISIS në Siri, por riatdhesimi i tyre u shty dy herë pasi Turqia pushtoi veri-lindjen e Sirisë. Në vitin 2014, Bosnja u bë vendi i parë në Evropë që futi dënimin me burg për shtetasit e saj që kishin marrë pjesë në luftime jashtë vendit. Luftëtarët që u kthyen në vend u gjykuan dhe, në shumicën e rasteve, u dënuan me burg. Gjykata shtetërore e Bosnjës ka gjykuar dhe dënuar 46 persona të cilët u kthyen nga Siria ose Iraku gjatë viteve të fundit.

SERBI

Rreth 20 gra që u larguan nga Serbia për në shtetin islamik mbeten ende në kampe në Siri ndërkohë që nuk duket të ketë ndonjë përpjekje nga shteti serb për të ndihmuar në kthimin e tyre.  Ato janë nga zona e Novi Pazarit. Në prill 2018, një gjykatë në Beograd shpalli fajtorë shtatë persona për terrorizëm dhe bashkëpunim me grupe xhihadiste në Siri dhe Irak. Gjykata vendosi dënime me burg për Abid Podbicani, Sead Plojoviç dhe Tefik Mujoviç me nga 11 vjet, Goran Pavloviç me 10 vjet, Iznudin Crnovrcanin dhe Rejhan Plojoviç me nga nëntë vjet e gjysmë, ndërsa Ferat Kasumoviç me shtatë vjet e gjysmë.

Podbicanin, Pavloviç dhe Ploviç besohet se janë ende në arrati dhe u gjykuan në mungesë. Më shumë se njëqind mijë persona vazhdojnë të mbahen në këto kampe refugjatësh në veri të Sirisë, nga të cilët 60 mijë vetëm në Al Hol, në Hasaka. Këtu jetojnë familjet e ish-luftëtarve të shtetit islamik, mes tyre rreth 28 mijë fëmijë, me prindër me origjinë nga më shumë se 60 vende të ndryshme. Pasaktësia e kuadrit juridik ndërkombëtar dhe shpesh mungesa e gatishmërisë nga qeveritë përkatëse të vendeve nga vijnë, konsiderohet shkaku kryesor për qëndrimin e tyre aq gjatë në këto kampe.

/Abcnews.al

SHKARKO APP