Ku çalon arsimi i lartë? Vetëm 1/3 e studentëve gjejnë punë, shpenzimet e qeverisë për student, 5.2 dollarë
Për ata me arsim të lartë të cilët punësohen pasi dalin nga bankat e shkollës, Shqipëria është një ndër vendet më të këqija në botë; renditet në vendin e 113-të në botë ndër 136 shtete të ndryshme.
Kjo renditje vjen nga raporti global i dijes, i cili mban firmën e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP), e që na rendiste në vendin e 67-të në botë.
Renditja mjaft e dobët vjen kryesisht si pasojë e indikatorit që i referohet arsimit të lartë, ku ne renditemi të 83-tët në botë.
Ky indikator është i ndarë në dhjetëra nën-indikatorë të tjerë, pjesa më e madhe prej të cilëve tregojnë një situatë alarmante.
Norma e të punësuarve pas arsimit të lartë, sipas këtij raporti fiksohet në vetëm 32%, pra 1/3 e të diplomuarve, duke na renditur në fund të globit.
Në fund të tabelës, të 122-tët në botë ndër 136 vende, jemi edhe në drejtim të të papunëve me arsim të avancuar.
Norma e të papunëve me arsim të avancuar vlerësohet në rreth 37%. Një tjetër indikator negativ është ai i shpenzimeve të qeverisë për student, vetëm 5.2 dollarë për frymë të shprehur në PPP, e ku renditemi të 98-tët në botë.
Po ashtu, edhe në drejtim të universiteteve të renditura ndërkombëtarisht, zero të tilla, jemi ndër vendet e fundit në botë. /Scan