Ku po i blejnë veshjet shqiptarët? Afrohen me Kinën, largohen me Italinë
Është e vërtetë që si vlerë, importi më i madh i veshjeve bëhet nga Italia, megjithatë viti 2019 ka treguar se po rikthehet fryma kineze.
Instat ka publikuar të dhënat progresive të shkëmbimeve tregtare të deritanishme, në të cilat dallohet se import i grupmallrave ‘tekstile dhe këpucë’ nga Italia ka shënuar rënie në këtë 10 mujor, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës.
Referuar Instat, në janar- tetor 2018, importi i këtij zëri të grupmallrave nga Italia ishte në vlerën e 35.2 miliardë lekëve, kurse në janar- tetor 2019, ky import nuk arriti një vlerë më të madhe se 34.1 miliardë lekë.
Konkretisht, shqiptarët importuan afro 3.2% më pak veshje dhe tekstile nga Italia. Në një kohë që importi italian ndjeu këtë rënie, e kundërta ka ndodhur me grupmallrat ‘tekstile dhe këpucë’ ‘made in China’.
Në 10 mujorin e parë të vitit 2018, importi i tekstileve dhe këpucëve nga Kina ishte në vlerën e 8.7 miliardë lekëve. Për të njëjtën periudhë të vitit 2019, kjo vlerë u rrit në 9.6 miliardë lekë. E thënë ndryshe, 928 milionë lekë veshje kineze më shumë në 2019, e përkthyer në rritje me 11%
Nga ana tjetër, në bazë të të dhënave të Instat, 10 mujori i 2019 ka sjellë rritje edhe të importit turk, përsa i përket grupmallrave ‘tekstile dhe këpucë’.
Në periudhën janar- tetor 2018, vlera në lekë e importit të këtij zëri të tregtisë së jashtme me Turqinë ishte 13.8 miliardë lekë, kurse në të njëjtën periudhë të vitit pasardhës, vlera u rrit me afro 7%, duke u bërë 14.7 miliardë lekë.
2019 është ende një vit i papërfunduar, megjithatë, të dhënat e këtij 10 mujori arrijnë të krijojnë një panoramë të tendencave të vitit, edhe pse në pritje të të dhënave për 2 muajt e fundit. / SCAN