Kujtim i bukur nga Universiteti Popullor Shqiptar dhe Courrier des Balkans
Courrier des Balkans në Francë njoftoi se Universiteti Popullor Shqiptar (UPSH) në Gjenevë, organizoi disa promovime librash të shkrimtarit dhe gazetarit, Alfred Papuçiu. Librat titullohen : “Meditime për Shqiptarët, Europën dhe Kombet e Bashkuara”, “Nxënësja e etur e gjuhës romanshë” dhe “Me zemër të pastër”. Në të njëjtën kohë, autori paraqiti librin në shqip “Aftësimi për vetëmjekim i pacientëve me sëmundje kronike” të prof. Jean-Philippe Assal dhe psikologes Anne Lacroix. Në promovimin e librave të Alfred Papuçiut merrnin pjesë shkrimtarë, poetë, botues, mjekë, përkthyes, piktorë, pjestarë të familjes së autorit, funksionarë ndërkombëtarë, miq dhe dashamirës të shkrimtarit, zviceranë dhe bashkëatdhetarë nga Zvicra, Franca, Gjermania, Kosova e Shqipëria. Fjalën e rastit e mbajti kordinatorja e UPSH, Albana Krasniqi-Malaj, e cila vlerësoi veprën e Alfred Papuçiut, duke krijuar një lidhje të qëndrueshme midis shqiptarëve që banojnë në Zvicër dhe mikpritësve që kanë ndihmuar dhe ndihmojnë në çdo çast familjet, me krijimin e kushteve të favorshme për banim dhe për afishimin e kulturës dhe gjuhës amtare. Ajo theksoi se, në librat dy gjuhësh të autorit, gjen kujtime të bukura lidhur me integrimin e shqiptarëve në Zvicër. Më tej, fjalën e mori prof. Jean-Philippe Assal, president i Fondacionit RFEM, drejtor i një projekti me OMS-in, anëtar i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (CICR). Ai theksoi se librat e Alfred Papuçiut përmbajnë një sërë takimesh që janë çaste kuptimplote në një udhë jete aq të pasur, me fillim në Shqipëri, vend i prejardhjes së autorit dhe me vazhdim në Zvicër, gjatë këtyre viteve të fundit, ku Alfred Papuçiu ka përfaqësuar Shqipërinë në Kombet e Bashkuara dhe pastaj ka punuar në organizata të ndryshme ndërkombëtare. Kohët e fundit, ai ka luajtur një rol të rëndësishëm në Zvicrën romande, si mediator kulturor, funksion që i ka dhënë mundësi të kuptojë më mire kulturat dhe traditat shqiptare dhe zvicerane. Kjo vijë drejtuese ka bërë që Alfred Papuçiu të hulumtojë kulturat, pra këta njerëz që i kanë krijuar me historitë, traditat dhe ndjeshmëritë e ndryshme. Alfred Papuçiu është një mbledhës i madh. Ai na drejton në hapat e para të humanizmit: “Zbulimin e tjetrit dhe ndarjes së gjithçkaje me të”.
Ky promovim dëshmon për dëshirën e autorit Alfred Papuçiu për të na dhënë çaste të bukura, prekëse dhe tepër domethënëse lidhur me humanizmin e zviceranëve dhe mikpritjen e tyre ndaj shqiptarëve të shumtë në Zvicër. Zvicra me vlera demokratike dhe humane paraqitet me vërtetësi nga autori, ashtu sikurse ai thekson se shqiptarët nuk janë barrë për zviceranët, por përkundrazi, e pasurojnë materialisht se punojnë dhe sjellin vlera të tjera me kulturën, gjuhën dhe zakonet e tyre.