Kujtime të trishta në Kryezi të Pukës për një mik nga Polonia

Një mik në Kryezi nga Polonia, i cili nuk jeton më për shkak të një ataku kardiak gjatë udhëtimit turistik në Ksamil të Sarandës na mblodhi ne miqtë e tij tek kulla e Nuh Dervishit. Seicili prej nesh sipas mënyrës së vet fletë për mbresat me mikun e largët. Jemi ulur nën hijen e mollës e meraku i të zotëve të shtëpisë ishte një bllok me shënime,  që miku Wladylaw Zielak e mbante në Kryezi gjatë vizitave që bënte aty. Ai donte të botonte një libër. Asgjë nuk dihet për fatin e atij blloku me shënime për Kunorë Dardhën, Lumin e Kryeziut e Qafën e Benës nga ku duket Gjakova. Ishte “gjahtar” i odave me histori e sidomos i jetës së At Shtjefën Gjeçovit. Para disa kohësh e pata takuar në kullat e Nuhi Dervishit. Një nga djemtë e kësaj shtëpie, Napoloni, i cili është emigrant me dokumente të rregullta në Londër, është martuar me të bijën e Wladylaw Zielakut prej qytetit të Gostyninit të Polonisë. Nusja e Napolonit quhet Darlena dhe ka mbaruar studimet për gjuhë – letërsi. Napoloni dhe Darlena kanë një djalë, të cilit ia kanë venë emrin Henri. Krushku nga Polonia Wladylaw Zielak ishte i mahnitur me Pukën e me Kryeziun, Qe i kënaqur dhe me vizitat nëpër Shqipëri. Mua më fliste me pasion për luginën e Kryeziut, për lumin dhe majat e maleve për rreth. Qyteti i tij në Poloni, Gostynini, është afër Varshavës dhe relievi është fushor. Nuk ka asnjë kodër. Dielli në qytetin e tij matet me fushat dhe kurrë me ndonjë mal. Kur polaku Wladylawi ishte ngritur në mëngjes herët dhe kishte dal përpara vilës së djemve të Nuhi Dervishit e ngritur mbi rrënojat e kullës së Zotnive të Kryeziut kishte mbetur pa mend. Dielli kishte lindur midis dy kreshtave të Malit të Kunorë Dardhës. Kreshtat ishin veshur me një mjegull të hirtë dhe miku nga Polonia qe habitur kur e shikon që dielli si një dem i kuq pasi u fut midis dy maleve u ul poshtë Kunorë Dardhës dhe filloj të zbres dalëngadalë në të tatëpjetën e Luginës së Kryeziut. Nuk kishte parë kurrë një pamje të tillë as në Poloni dhe as në vende të tjera. Wladylaw Zielak i kishte bërë diellit të Kunorës së Dardhës shumë fotografi dhe e kishte filmuar. Ai i mrekulluar e kishte thirrur të bijën, Darlenen, dhe së bashku me Napolonin kishin diskutuar rreth kësaj çudie. Ç’vend i hatashëm do t’më thoshte mua! Atë mëngjes ai kishte ndjekur udhën e diellit nëpër Luginën e lumit të Kryeziut dhe do ta filmonte diellin në këtë udhëtim, të cilin ai nuk e kishte përfytyruar në Poloni. Dielli për të në kamer lëvizte si aktor teatri. Ky ishte thesari më i madh që ai merrte nga veriu i Shqipërisë.

Miku nga Polonia Wladylaw Zielaku fotografonte, filmonte dhe mbante shënime. Wladylawi fliste pak dhe na thotë tek Qershitë e Gjeçovit se njeriu në jetë duhet të luftojë me art dhe jo me luftë. Gjëja që i pëlqente me shumë mikut nga larg ishte jo vetëm peizazhi, por në radhë të parë njerëzit. Unë i thosha se kryeziasit, ku ai ka dhënë vajzën, janë të penës dhe të pushkës. Të gjithë në shtëpinë e Nuh Dervishit me djem dhe vajza u bien veglave muzikore. Edhe dhëndri i tij Napoloni është muzikolog. Ai ka mbaruar shkollën “Jordan Misja” në Tiranë. Dhe ndërsa lëviznim nëpër luginë i tregoj një tregim të hershëm. Disa kositës nga Kryeziu kishin shkuar për punë në Gjakovë. Dhe kishin mundur të gjenin një punë tek një nga bajraktarët e Gjakovës. Me të kishin bërë pazar për të kositur bjeshkën e tij. Dhe kryeziasit me kosat në krah kishin shkuar në fundin e bjeshkës e kishin filluar nga puna. Por kishte qenë e pamundur të vazhdonin. Bjeshka ishte tërë gur e shkurre. Qysh në fillim kosat u ishin bërë copa – copa dhe ata s’kishin kositur asnjë metër vend. Të gjithë ishin ulur nën hijen e mollës dhe ia kishin marrë këngës. Ata ishin këngëtar virtuoz. Këndonin si të ishin në Kryezi. Dhe nuk do t’ia dinin se çdo të bëhej me bjeshkën, ku e kishin të pamundur të vazhdonin kositjen. Dhe këndonin këngë trimash. Kënga përhapej si cikloni i bjeshkës. Bajraktari që kishte dal në kullën e tij të madhe habitet me këngën që gjëmonte nëpër rrafshin e bjeshkës. Zbret nga kulla dhe i hipën kalit. Kur mbërrin tek kryeziasit, të cilët po këndonin për shtatë palë qejfe, i pyet ata se përse po këndonin. Dhe kryeziasit i thonë se po pushonin. Por Bajraktari e kuptoi. Bjeshka ishte gjithë gurë dhe qe e zorshme për t’u kositur. Bajraktari që po mahnitej me këngëtarët e mrekullueshëm pa zbritur nga kali i fton kryeziasit në kullën e tij hijerëndë. Dhe në odën e madhe mbledh djemtë, nuset, kushërinjtë dhe miqtë më të afërt. Tërë natën pinë, hanë dhe këndojnë. Këngët e kryeziasve gjëmonin si gurgullimat e lumit të Kryeziut kur ai zbret nga Kunorë Dardha. Të nesërmen bajraktari qysh herët në mëngjes u bën kafen miqve të largët, u shtron mëngjesin dhe gjithashtu i paguan për bjeshkën, të cilën ata nuk e kositën. Të gjithë këtë histori e bëri kënga aq e bukur e kryeziasve. Kjo ndodhi tregohet brez pas brezi në Kryezi dhe më tutje. Kënga i ka shoqëruar këta njerëz denbabaden. Dhe krushkut nga Polonia,Wladylaw Zielakut, i pëlqente jeta në Kryezi.

Miku nga Polonia kishte kulturë të gjerë. Rokaqiejt e Kryeziut e ç’prangosin nga ankthet “se do të shkojë në një vend të paqetë, ogurzi e gati, gati marsian”. Në drekën e shtruar posaçërisht për të, nën hijen e mollëve të Nuh Dervishit, ku kishte miq nga Tirana, Shkodra, Mirdita, Kukësi, Tropoja e Kosova, Wladylaw Zielaku, dëgjonte të flitej për drama në beteja, ngjarje autentike, protokolle të jetës, thënie mes klasikes dhe romantikes, qarkullimi i librave të vjetër, këndvështrime të shumanshme për jetën, vlera kulturore të mirëfillta, dialekti gjeografik specifik, kryevlera e besës, zhanre të ndryshme këngësh, talenti natyral i njerëzve, identiteti, lufta ndaj nazeve dhe hileve, triumfimi i ekzistenciales, ofshamat e baladave, mjeshtëria e të ligjëruarit në kulla, të jetuarit me muzikalitetin e ngjyrave, dëgjimi i këngëve të gjelit trumbetar të mëngjesit në Kunorë Dardhë, sensi i fjalëve të urta, këngët, vallet, vajet, doket, zakonet e lojërat e pafundme popullore. Në Luginën e Kryeziut janë gjurmët e livadheve, ku bëheshin gara me kuaj, piknikët, poligonet për qitje e sheshet për këngë e për valle.

Nëpër udhëtimet në Kryezi bashkë me mua e me Wladylaw Zielakun ishte dhe e bija e tij, Darlena, e cila së bashku me nënën dhe djalin përjetuan vdekjen tragjike të njeriut të tyre nga ataku në Ksamil të Sarandës. Ajo kishte ardhur dhe herë të tjera në Kryezi. Nuk do ta harroj atë çastin kur nën hijen e mollës unë fillova t’i recitoj mikut vargjet makbethiane të Migjenit. /Do herë shoh qartë e më qartë/ /e vuaj thellë e më thellë/. Kurse Wladylaw Zielak recitonte polonisht vargjet e Miskjeviçit, të cilat na i përkthente e bija Darlena:

Thuaj, çfarë i duhet shpirtit,

që t’i largojë mendimet?

A mos do lavdinë e qiellit,

apo bukë të bekuar?

Ka boll qumësht edhe bukë,

kemi pemë dhe mana toke,

fol, çfarë i duhet shpirtit,

që të shkojë lart në qiell?

SHKARKO APP