Kujtimet e Artan Santos në teatër

 

“Individ” është premiera e re në Qendrën Kulturore “Tirana” (Teatri Metropolit). Teatër i rrëfimit poetik, e ka quajtur regjisori Armand Bora, shfaqjen që ka ndërtuar mbi veprën “Individ” të Artan Santos, të cilën e ka shkruar në vitin 2006.  “Kur Santo më dhuroi librin, bashkë me shënimin e tij, ndjeva një lloj detyrimi, që në një farë mënyre më bënte të gjeja një formë për ta vënë në skenë. Pas leximit të librit, detyrimi u dyfishua edhe më shumë për këtë shfaqje. Padyshim, më vjen keq, që nuk gjeta mundësinë për t’a realizuar gjatë kohës që Santo  ishte gjallë” thotë regjisori Armand Bora. 

Shfaqja, e cila nis sot në mbrëmje dhe do të vijoj deri të enjten, në sallën “Shekspir”, ora 20:00, vjen në formën e një ditari, të ndërprerë herë- herë nga poezi ku do të interpretojnë Ndriçim Xhepa, Suela Konjari, Rozi Kostani.  Nis në mënyrë kronologjike. Duke nisur me kujtimet e fëmijërisë, prindërit, shokët e shkollës e mësuesit e parë. Më pas vazhdon me pushimet në qytetin e Durrësin dhe kryesisht Elbasanin, vendin ku kishte gjyshin dhe gjyshen e tij, personat që e kanë afruar Santon me librin.

“Do ndiqet linja kronologjike e zhvillimit të ngjarjeve ku ndryshe nga çfarë autori ka bërë në librin e tij, nuk korrespondon proza me poezitë, por unë i kam përzgjedhur në mënyrë të tillë që si proza edhe poezia të shkojnë drejt këtij uniteti kronologjik kohor”, shprehet regjisori.

Në kujtimet e tij, një nga momentet më interesante është përshkrimi që bankieri shkrimtar i bën angazhimit të tij në filmin “Guximtarët”, aventura dhe njohja e një pjese të Shqipërisë së panjohur për të, fillimet e para të kontakit me artin dhe letësinë, për të cilin ishte një lloj dashurie me shikim të parë. 

Sipas Borës, në shfaqjen që zgjat diku rreth një orë do të vijojnë në mënyrë kronologjike dhe kujtimet nga adoleshenca me historitë romantike, më tej universiteti, ku nuk harron të kujtoj miqtë e tij më të mirë si Ndriçim Xhepa, Agim Bajko dhe Shkëlqim Cani, me të cilin ndante dhe të njëjtin fakultet. “Më vjen mirë, që në një farë mënyrë gjeta mundësinë për ta realizuar këtë shfaqje, por edhe bashkëpunimi me Ndriçim Xhepën dhe gatishmëria e tij,  për të bashkëpunuar për “ Individ” më bën të mos ndihem borxhli” shton regjisori.

 Në çdo moment autori gjen rastin për të nënvizuar, momentet komike, siç është rasti i prezantimit të tij të parë në punë apo dhe raste të tjera. Për të vijuar më tej, me sfidat e tij profesionale në fushën e ekonomisë dhe sistemit bankar, ku padyshim themelimi dhe rritja e Bankës Credins, është njëri nga më kryesorët. I dashuruar pas muzikës së Çelentanos dhe kjo ndihet në një cikël poezish, po ashtu edhe disa proza të shkurtra që ai ka shkruar.

Familja,  bashkëshortja dhe dy fëmijët janë prezent edhe përmes poezive shumë të ndjera që ka bërë për djalin, vajzën dhe bashkëshorten. “Por edhe në rrëfimet e tij në prozë ku marrëdhënia me bashkëshorten është një marrëdhënie midis miqsh,  të dashurish dhe bashkëudhëtarësh në sfidat e tyre të përbashkëta. Ndaj në shfaqjen “Individ” jemi përpjekur të realizojmë zyrën e Santos, vendi nga ku ndoshta kanë buruar shënimet dhe nga ku ka marrë formën përfundimtare ky libër”, shton Bora.

Skenografia është realizuar nga Hysni Loka. Gjithashtu i gjithë teatri i rrëfimit poetik do të shoqërohet nga muzikë live e intepretuar në piano dhe projektime imazhesh e fotografish, të cilat kanë të bëjnë me Santon,  duke plotësuar sfondin e poezive të tij.

Ndërkaq është menduar që pas spektaklit të bëhet një bisedë me të ftuarit, ata që kanë lexuar librin dhe ata që kanë bashkëpunuar apo e kanë njohur nga afër.

“Individ” është një bashkëpunim midis Bankës Credins dhe Qendrës Kulturore “Tirana” (Teatri Metropol). 

Pjesë nga teksti

***

Nuk mbaj mend si linda dhe ku linda. Më thanë kur përftova paksa vetëdijen time, që jam lindur  në maternitetin e Tiranës, rreth orës 9 të mëngjesit, më 7  shtator të vitit 1956. Qëlloi që isha mashkull. Nuk pata rast të konvertohem gjatë rrugës, kështu që kam mbetur I tillë.

Kopshti…

Reth moshës 3-4 vjeç më kanë çuar në kopësht. Mbaj mend edukatore Buqen, shokët e shoqet e mi të grupit, me disa prej të cilëve kam qenë deri në vitin e fundit të shkollës së mesme. Kopshti ka patur edhe një roje plak, emir I të cilit nuk më kujtohet, por e kam ende në sy flokun e tij të bardhë dhe një kapele, kasketë prej cohe. Luanim shpesh me kukulla në një teatër hijesh, futeshim mbrapa një pëlhure të bardhë dhe sajonim ngjarje të ndryshme.

***

Histori më vetë, pritja tërë ankth për të na dalë emir në listë se në ç’degë do të studionim. Gjatë viteve të gjimnazit dhe veçanërisht gjatë stazhit, kisha lexuar disa nga librat e mjekësisë, të arkitekturës, madje kisha kryer edhe praktika të ndryshme “stërvitore”. Juridiku më pelqente gjithashtu. Por më doli ekonomiku.

Në ditën e dytë të fillimit të fakultetit shtrohem në spital, për një ulcer në duoden. Me mes të vitit të parë, e lë fakultetin për dy javë, pasi s’më pëlqente. Isha në një grup me Çim Canin, shokun tim të gjimnazit dhe shpesh vendimet për të tilla ngjarje I merrnim së bashku. Më pas, e pamë që s’kishte rrugë tjetër, vijova rregullisht mësimet, me të mirat dhe të këqijat që gjykoja në atë kohë.  Në disa provime, për të cilat s’kuptoja përse duheshin, lkam bërë edhe kopje. Tani them që kam bërë fort mirë, pasi tani jo e jo, por as atëherë dhe asnjëherë ato nuk kanë qenë praktikuar, veçse në kokën e atyre profesorëve tanë të dashur dhe të kohës që jetonin.

***

Zbori ushtarak pas fakultetit, për rreth 5 muaj në Golem, kokët e qethura, impenjimi im me grupin e pikëtorëve, më bëri që ta kaloja rehat atë periudhë. Mabj mend që një herë një pedagog I Akademisë së Arteve, erdhi në repart dhe komisari ynë I thotë që kemi këtu tre djem piktorë shumë të talentuar. “Ja-  i thotë ai –gjithë këto tabela, piktura murale, etj I kanë realizuar ata”. Me të drejtë ai I pyet se kush janë këta dhe komisari I sjell në dhomën tonë. Me Borisin dhe Pavllon u përshëndetën sit ë njohur të vjetër, kurse mua më tha: “Po ty pse s’të mbaj mbaj mend?” shokët e mi të mirë ndërhynë përnjëherë duke I thënë që unë kisha përfunduar për skenografi e kështu, ia hodha ndonëse vërtet pikturoja dhe kisha një shkrim që ia vlente të isha pjesëtar I atij hrupi.

Kur shoh fotografitë e asaj kohe me Gim Bajkon, Çim Xhepën, kur kujtoj revoltat për të mos qethur kokën, ditët e ftohta të nëntorit dhe “pozdravin” që e dëgjonim duke perënduar dielli, më krijohet një lëngështim I brendshëm për vitet që s;kthehen më, sikur çfarëdo çmimi të vësh.

Në 1984-ën, filloj punë në Institutin e Studimeve Ekonomike, në Sektorin e Ekonomisë Botërore. Aristotel Pano, më mësoi artin e të studiuarit duke e ngulitur fort në punë, ndërsa Hasan Banja, logjikën e të shkruarit dhe të gjithë së bashku, punën e mirëfillt shkencore.

Në atë vit martohem me Arjanën, me origjinë kosovare. Qeshja aso kohe me shoqërinë time se I thoja “Dëgjoja fjalën e Partistë që ta konsiderojmë Kosovën si çështje tonën” dhe unë I mora njërën prej “cucave” të saj, ndonëse ajo dhe prindërit e saj kishin lindur në Tiranë.

Në 1985, në nëntor, një makinë policie me sirenë e drita të ndezura, nxiton drejt maternitetit. Brenda saj, ime shoqe dhe në bark të saj ishte ime bijë, Emi. Një tigër I butë dhe I ëmbël.

Në 1988, lindi Egi, që më ka çmendur deri në moshën 7 vjeçe me kapriçiot, ulërimat, kërkesat dhe laringitin e tij. Sot është tjetër soj. Ndoshta sepse edhe është rritur, por është konvertuar në njeriun e mirë e të urtë, në një kohë të keqe.   

 

Titulli: “Individ”

Autori:  Artan Santo

Regjia: Armand Bora

Interpretojnë: Ndriçim Xhepa, Suela Konjari, Rozi Kostani

Gjinia: Teatër i rrëfimit poetik

Skenografia: Hysni Loka

Data: 14, 15, 16, 17

Ora 20:00

SHKARKO APP