Kujtimet e shkrimtarit francez në Tiranën e vitit 1932: Nga e folura dhe paraqitja, në fillim e mora për franceze
Nga ROLAND QAFOKU
Valery Larbaud është një nga shkrimtarët dhe poetët më të njohur francezë. I lindur në 1881 dhe i ndarë nga jeta në 1957, për nder të tij në Francë që nga vitit 1967 u shpall një çmim për letërsinë. Një udhëtar i përhershëm nëpër rruzull, për Shqipërinë ka qenë fat që ai ka qenë disa herë këtu. Tejet i famshëm është ditari i tij i udhëtimeve me prej 1600 faqe ku përshkruan gjithë qytetet e botës. Për ne është interesante pjesa shqiptare e këtij megaditari. I befasuar deri në habi, ai ka përshkruar në ditar detaje nga vizita në Tiranën e vitit 1932. Natyrsht kryeqyteti i ri shqiptar nuk ishte Parisi i tij, por shkrimtari ka mbetur i surprizuar nga zhvillimi që kishte marrë Tirana dhe jeta që bëhej aty. Pjesa më ekzotike e përshkrimit është vizita në muzetë dhe bibliotekat me objekte dhe libra në frëngjisht. Qershia mbi tortë e ditëve të tij shqiptare ishte vizita në Klubin e Tenisit. Mes atyre që frekuentonin këtë klub, Larbaud ka shquar një grua, profesoreshë e Liceut të vajzave për të cilin e mori për franceze. E tillë ishte Tirana që ai pa.
Qeveria shqiptare ka pjesën e vet të përgjegjësisë dhe të fajit dhe kjo nuk vihet në diskutim. Mjafton të kujtojmë se premtimi më i rëndësishëm që kryeministri Rama bëri kur mori detyrën në shtator 2013 ishte se do ta bënte Shqipërinë anëtare të BE-së brenda 10 viteve. Arsyetime të tipit “fajin e ka opozita” si “dhe Berisha që falenderon Macron” janë qesharake. Por, përtej këtij diskutimi, përjashtimi që presidenti i Francës Emmanuel Macron na bëri dje me vendimin për të mos çelur negociatat për anëtarësim, është një zhgënjim për popullin dhe kombin tonë. Arsyetimi i tij se nuk mund tia shpjegonte dot popullit francez një vendimin për po ishte edhe ofendim gjithashtu. Për të mos shkuar akoma te arsyetime të tjera që e mendojnë por nuk e thonë se arsyeja kryesore është se BE është një klub i krishterë dhe shqiptarët po penalizohen se jemi me shumicë popullsi muslimane. Shqipëria ka qenë në Evropë shpirtërisht që nga koha e Skënderbeut me digën që ai u ngriti osmanëve për të mbrojtur krishtërimin e Evropës duke përfshirë edhe Francën.
Ky evropianizim e ka ndjekur Shqipërinë edhe në momentet e saj më të vështira. Edhe në Luftën e Parë Botërore kur francezët luajtën jo pak rol deri në Korçën tonë. Edhe në Konferencën e Paqes në Paris në 1919 kur Franca mund të na kishte zhdukur fare nga harta me aleancat e saj me Serbinë nëse nuk do kishte vënë veton presidenti amerikan Thomas Woodrow Wilson. As edhe në vitin e largët 1932, kur në Tiranën që kishte vetëm 12 vjet kryeqytet kishte muze, biblioteka e deri klub tenisi ku luanin edhe gratë, një prej të cilave Labraud e mori për freanceze. Ja pasazhi që francezi i famshëm Valery Larbaud ku përshkruan Tiranën afro 9 dekada më parë publikuar në librin: Java jonë shqiptare, botuar nga shtëpia “Dituria” në Tiranë, faqe 53-56.
“Para se të shkonim me veturë në klubin e Tenist ne vizituam edhe muzeun dhe bibliotekën. Biblioteka ka dy salla të mbushura me libra. Drejtori i biblioetëkës na tregoi botimi e vitit 1632 të përkthimit të librit të njohur të Kalkondilit nga Blezë Dë Vizhener. Kjo gjë ishte për mua një lidhje e papritur ndërmjet Shqipërisë dhe Burbonesë, ndërmjet Tiranës dhe Sent Pursen syr Siul. Bëmë një ndalesë tek Libraria “Argus”, më e madhja e dy librarive që ka Tirana, përveç një librarie tjetër të vogël ku shiten edhe gazetat. Aty pashë libra shqiptarë, francezë, italianë si dhe disa gazeta e revista gjermane.
Klubi i tenisit të jep përshtypjen e një vendi elegant që të kënaq dhe ka mjaft hije. Aty luhet deri natën vonë. Në klubin e tenisit ishin mbledhur mjaft diplomatë me gratë e tyre. Gruaja e ministrit serb është romane. Në klub flitej qoftë italisht, qoftë frëngjisht dhe herë herë anglisht dhe gjermanisht. Por frëngjishtja dhe italiashtja janë gjuhët më të zakonshme që fliten më shpesh aty. Aty ndodhej edhe një grua e re shqiptare, profesoreshë në Liceun e Vajzave, e cila i ka kryer studimet në Vjenë. Kush do ta besonte se ishte shqiptare? Asaj i ka mbetur diçka nga natyra e studentes të universiteteve gjermane. Në fillim unë menndova se ajo ishte franceze, sepse flet një frëngjishte tepër idiomatike…”