Kulla e Pizës, në krizë identiteti

Kulla e famshme e Pizës, që njihet në të gjithë botën për shkak të pjerrësisë së saj, tani nuk është më edhe aq e pjerrët. Ekspertët e grupit të mbikëqyrjes së kullës, që monitorojnë punimet e restaurimit, thanë se monumenti është i qëndrueshëm dhe në mënyrë shumë të ngadaltë po redukton pjerrësinë e tij.

Monumenti mesjetar 57 metra i lartë ishte anuar me 4 centimetra në dy dekadat e shkuara, por tani gjithçka po ndryshon. “Është sikur të jenë zbritur dy shekuj nga mosha e saj. Gjithsesi, më e rëndësishmja është stabiliteti i kullës, që tani është më i mirë nga sa prisnim”, tha profesor Salvatore Settis.

Në vitin 1990, monumenti i preferuar nga turistët u mbyll për publikun për të parën herë në 800 vite, në mesin e frikës se mund të rrëzohej. Një komitet ndërkombëtar punoi për ta stabilizuar atë mes viteve 1993-2001. Tani që inxhinierët duket se më në fund mund të marrin meritat për shpëtimin e monumentit, vizitorët sërish mund të qëndrojnë të qetë se, kulla e famshme është ende e disponueshme për foto.

SHKARKO APP