Kumbaro: Kultura nuk duhet të shihet si fasadë por si esencë

Në mjediset e skenës së re Turbina, në kryeqytet, u zhvillua ceremonia përmbyllëse e Bienales së Mesdheut, e cila u mbyll me Forumin Rebirth Tirana – Love Difference, ( projekt i Michelangelo Pistoletto), i organizuar për herë të parë në Shqipëri .

Forumi, i cili është zhvilluar në vende të ndryshme të botës nga Havana , Melburn, Milano etj, bazohet mbi 17 objektiva të United Nation (UN), duke i vënë ato në pikëpyetje dhe duke ngritur diskutimin se ku qëndron roli i artit dhe i artistit në veçanti në përpjekjet për një botë më të mirë.

E pranishme në këtë event të veçantë, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro tha se arti dhe kultura edhe në një vend si Shqipëria me probleme të shumta të ekzistencës e mbijetesës, janë primare për të ushqyer shpirtin, mendjen dhe edukuar shijet.

“Kam menduar shumë gjatë se ku duam të shkojmë ne me vizionin tonë kur flasim jo veç për politikat kulturore, por ku duam të shkojmë ne me vizionin për artin dhe kulturën jo si luks, por si ekzistencë, jo si fasadë por si esencë, duke kujtuar dhe besuar se kultura nuk është diçka që merremi me të pasi kemi zgjidhur problemet e ekzistencës, por është e përditshmja jonë.

Ajo që unë unë kam konstatuar së pari është se në Shqipëri dominon kultura institucionale, që është shumë pak krahasuar me prodhimtarinë e madhe artistike që bëhet tek ajo që quhet skena e pavarur”, tha Kumbaro, e cila theksoi faktin se vetëm pas viteve 2000 kemi një përpjekje të artistëve për të krijuar hapësira të tilla arti.

Ministrja e Kulturës, më tej tha se një event i jashtëzakonshëm ishte Bienalja e Artistëve të Rinj, Mediterranea 18 , e cila e shndërroi Tiranën dhe Durrësin në një skenë të madhe të pavarur, ku artistë nga gjithë mesdheu prezantuan artin e tyre.

SHKARKO APP