Kur Albano Carisi këndonte në Përmet

“Albano, ju mirë se vini në Shqipëri, por fjalën nuk e mbajte…”

 Nga Niko Mihali

Në vend të hyrjes: Gjatë një bisede në televizionin “Klan” para disa vjetësh, kur opinionisti B.Fevziu e pyeti këngëtarin Albano, sesi iu duk Shqipëria në vizitën e parë që bëri në tetor të vitit 1985, ai iu përgjigj: – Dukej një varfëri që lexohej qartë në fytyrat e njerëzve. – Po në Përmet, si u ndjeve? – vijon gazetari B.Fevziu – Në Përmet, ah në Përmet! Atje ishte ndryshe, atje ishte tamam Europë…!

***

Duke qenë unë një ndër zyrtarët e parë të shtetit shqiptar që m’u dha mundësia ta pres e ta shoqëroj këtë personalitet të muzikës europiane në qytetin tim, në Përmet, më datën 8 tetor 1985, u ndjeva shumë krenar, kur e dëgjova nga goja e tij këtë pohim, i cili është shumë impresionues dhe që është folur e shkruar edhe nga dhjetëra vizitorë të huaj në hapësirën e shekullit që shkoi, por edhe sot. Ata që i njihja dhe ua kisha treguar si histori takimin e parë me Albanon, më thoshin: “Po çfarë dreqin i bëtë ju atij Albanos, që ju vlerësoi kaq shumë?!” Dhe unë do mundohem të tregoj vizitën e tij të parë në Përmet dhe ‘koncertin’ e dhënë nga ai në një sallë hoteli, por që në shesh e në rrugë pati dhjetëra e dhjetëra dëgjues.

 Ai vjen në orën 11:00

Një ditë më parë të asaj dite tetori të vitit 1985, Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të rrethit, Resul Zani, pasi mori postën e mëngjesit e po lexonte telegramet e mbërritura në adresë të tij, më thërret në zyrë e më thotë: “Niko dëgjo, na këtë telegram e shikoje mirë. Vjen një këngëtar i njohur italian Albano, Albano e quajnë dhe Komiteti i Marrëdhënieve me Botën e Jashtme në Ministrinë e Jashtme kërkon që të pritet mirë. Do vejë këtu e atje, por shoqëroje dhe mos i lër gjë mangët”. Resul Zani, një burrë i mençur dhe me shumë sqimë, edhe pse nuk qe përmetar e donte me shpirt Përmetin dhe donte të dëgjonte vetëm mirë për ‘të. Dola nga zyra dhe teksa po e lexoja edhe njëherë telegramin, më vinin ndërmend fragmente të këngëve të Tij që i dëgjonim fshehurazi më shumë në radio, tek emisioni i RAI I apo tek Radio Praga në orën 13:00. Ishte planifikuar të vizitonte sallën e Kongresit dhe Fabrikën e Verës. Dhe rreth orës 11:00 të asaj dite, ai me një makinë pak të madhe tip “Fuoristradë” të bardhë, hyri në qytet dhe zbriti në sheshin e qytetit. E shoqëronte një makinë “Fiat” e Ministrisë së Jashtme me përkthyes z.TH.N. Veç tij, dy burra paksa të vjetër dolën në shesh dhe po shikonin nga kodrat mbi Përmet e diçka po tregonin me dorë. Dola, iu prezantova dhe ata shumë të kënaqur që ndodheshin këtu, vijonin të soditnin brigjet e malin e Dhëmbelit. Mësova se njëri prej tyre ishte babai i Albanos e tjetri xhaxhai i tij. Babai i Albanos në ato vite të Luftës së Dytë Botërore kishte qenë pjesë e ushtrisë pushtuese italiane dhe në ato vite kur ai ndodhej me batalionin e tij diku mbi kodrat e Përmetit në Lipë e Leusë, kishte marrë vesh se qe bërë me djalë. Dhe meqenëse ndodhej në Shqipëri, kishte vendosur që djalit të tij t’i vinte emrin Albano. Dhe ja sot pas 42 vjetësh ai së bashku me djalin e tij Albanon vinte të shikonte e të sodiste atë moment të lumtur, kur mori vesh që u bë me djalë. Me malin e kodrat u ambientua lehtë, por me qytetin ai, babai i tij, e kishte të vështirë, sepse i kujtoheshin vetëm ca rrugë të ngushta me kalldrëme, ca shtëpi përdhese, një gur i madh disi i veçantë dhe çuditej se si ky qytet kishte ndryshuar për mirë. Tek po shëtisnim në lulishten e qytetit, e cila për hir të së vërtetës ishte shumë ndryshe nga ç’është sot, ishte tepër e gjelbëruar dhe e lulëzuar, i thashë se ndjehesha mirë e me fat që ai kishte ardhur në qytetin tonë, një qytet që veç të tjerash ka dy cilësi të veçanta: është qytet i këngës, i kabave të mrekullueshme, por edhe qytet i verës.

Përkthyesi i delegacionit, z.Th. Nishku ia përcolli qartë këtë mesazh dhe ai nuk priti e vijoi: “Isha me pushime në Korfuz dhe thashë të hidhesha njëherë në Shqipëri, më shumë dëshirë e babait tim, sepse kisha dëgjuar që ky qytet ka një traditë të mirë të prodhimit të verës dhe ne kemi një të tillë në Itali e desha ta shikoja njëherë. Falënderoi z. Jorgo Melica që me cilësinë e kryetarit të Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë e kishte marrë në konsideratë kërkesën tij dhe.. dolëm në Kakavijë e erdhëm këtu e do shkojmë dhe në Sarandë”…

Kishte diçka më shumë se 6 muaj që kishte vdekur E.Hoxha dhe sikur diçka dukej po lëvizte. Këtë e tregonte edhe pika doganore e Kakavijës që kishte filluar të hapej e mbyllej. Një ditë më parë po nga Kakavija kishte ardhur një mik i ish-ministrit plotësues të Greqisë, z.Papulias bashkë me gruan dhe një ish-luftëtar të ushtrisë greke të vitit 1942, për të marrë eshtrat e një ushtari grek që ishte varrosur në Leskovik. Kishin ardhur ta gjenin se ish-luftëtari e kishte varrosur me duart e tij dhe pohonte se e dinte atë vend, por qëndruan një ditë të tërë dhe nuk e gjetën dot. Kur ata ikën, erdhi Albano. Jo rastësisht e me pak ndroje, por edhe frikë, i thashë se kur kemi qenë studentë i dëgjonim fshehurazi, por më shumë kënaqësi këngët tuaja si: “Liberta”, “La verita”, “Shiraz Shiraz”, por tani kam ca kohë që nuk kam dëgjuar (dhe kuptohet, isha shef i Kulturës në Rreth e s’mund të flisja për këngë të huaja!!! ). Ai për një çast qëndroi, më vëzhgoi me vëmendje dhe si për të testuar më pyeti: “Pse njihet emri im si këngëtar këtu, në këtë qytet kaq shumë larg Italisë. I thashë po, të njohin e të dëgjojnë, por pak me ndrojë, madje, një kolegu im që është mësues fizkulture i ka vënë emrin Albano, djalit të tij .. dhe ai di dhe italisht, (e kisha fjalën për mësuesin e fizkulturës në qytet, Ilir Hasimi që vërtet i kishte vënë emrin djalit Albano dhe në rrethe të ngushta e pohonte me këtë fakt). Mandej shkuam në sallën e Kongresit, pa diçka nga dokumentet e asaj salle dhe u larguam pa ndonjë mbresë të veçantë…

 

Në fabrikën e verës dhe glikoja e kaçkës

Në kohën e rusëve, aty nga fillimi i viteve ‘50 në Përmet ishte ngritur një fabrikë vere me ndihmën e specialistëve rusë. Ajo prodhonte verë të cilësisë së lartë, verë shumë, shumë të mirë, e cila shkonte e gjitha për Bllokun, për udhëheqjen dhe ato cilësitë e dyta e të treta shiteshin në qytet apo në qytete të tjera. Të hyje në atë fabrikë, vozat e larta me dru lisi gati tre metra të larta qëndronin si nuse të stolisura që usta Miçua i kishte etiketuar shumë bukur dhe i kontrollonte parametrat çdo ditë. Sa hymë në fabrikë, Miço Stefani, tekniku më i mirë që ka ende ai qytet, doli tek dera, na priti me buzagaz e me ndonjë fjalë italishte relike e kohës së luftës, na uli në një tavolinë të improvizuar, ku kishte vendosur rrush, djathë të bardhë e kaçkavall etj. Ai, Albano bashkë me të atin, u ulën në tavolinë pa ndroje dhe iu lëshuan djathit, por sytë u mbetën nga vozat e drunjta që qëndronin si ushtare të armatosura me verë në hapësirën e fabrikës. Ndërkohë nga jashtë dëgjoheshin e shikoheshin zetorët që vinin nga fushat e Bolëngës e Qilarishtit të ngarkuar me rrush e zbrazeshin në konvertjerët e fabrikës ku shtypeshin e bëheshin pelte mushti.

Midha, vajzë e re që sa kishte mbaruar Universitetin e Tiranës mbesa e Miços, që ishte inxhiniere kimiste në këtë fabrikë filloi t’u servirte tavllanë e mirëseardhjes me gota rakie dhe gliko kaçke, të cilat ato koklat e bukura shkëlqenin e rrëzëllitnin sikur ta bënin me sy. Ishte një pjesë e krenarisë së amvisave të Përmetit, që punonin në atë fabrikë dhe e prodhonin atë gliko, por që edhe ajo e kishte destinacionin te ish-Blloku, edhe pse shumica e amvisave përmetare këtë ëmbëlsirë e kishin pjesë të inventarit të tyre në çdo shtëpi, por ama për miqtë. Dhe teksa morën gotën e rakisë të shoqëruar me djathë, morën atë ëmbëlsirën, mbretëreshën e glikove. Albano teksa e hëngri, qëndroi për një moment, na pa në sy dhe tha: Ç’ishte kjo mrekulli që hëngrëm. Miços nuk iu durua dhe po ia shpjegonte se si bëhej ajo. Sigurisht, edhe z.Nishku, mbase nuk e kishte të lehtë të hynte në këtë shpjegim me fjalë paksa të veçanta. Pritem çdo të thoshte ai, Albano, jo prindërit e tij qëndroi dhe pak, na pa në sy .. dhe tha :

“Kam shkuar e kam bredhur në shumë vende e shtete, por reçel të tille nuk kam ngrënë. Qenka e mrekullueshme, shumë e mirë, molto bene …”. Por nuk e mbaroi me kaq këtë ligjërim, por vijoi. “Sa do të desha ta provonte edhe Romina ime këtë lloj reçeli, sa do kënaqej…”. U ndjemë mirë, të gjithë sa ishim aty. Mesazhi u dha. Diçka i duhej dërguar edhe Rominës, (gruas së tij që e kishte edhe partnere në këngë) por fabrika është pronë shtetërore, nga fabrika nuk dilnin dot gjëra të tilla. M’u desh të bëja disa telefona e disa trokitje nëpër zyra për të përcjellë këtë mesazh, gjersa kryetari ynë i dashur, thërret shefin e industrisë dhe pas pak më thotë: “Kur të shkoni, do ta përcjellësh deri në Këlcyrë dhe atje do të të nxjerrin një arkë me gliko arre për këtë mikun” . Dhe ashtu bëra. Ai u ndje i lumturuar për dhuratën që do i çonte Rominës. Koha e qëndrimit në fabrikë zgjati ca. Ai, babai i tij qe prodhues vere. Fillimisht na dhuroi një çantë të vogël me tre shishe verë. Etiketuar bukur, shishe të zeza, të taposura shumë mirë, por se ç’ishte brenda nuk e dinim. (kur e provuam, ishte një verë e hollë, e lehtë, e mirë .. dhe kaq). Ndërsa ne ia servirëm në tavolinë dhe teksa piu 2-3 gota të shoqëruara me rrush, arra e formacion (djathin) e tij të preferuar, kërkoi një kitarë, donte të këndonte dhe sigurisht këndoi për ne, për 5 veta që ndodheshim me të… Pastaj Miçua e shoqëroi atë dhe babain e tij në mjediset e fabrikës dhe ai i thoshte: “Dua nga kjo fuçia këtu”. Dhe Miçua gati rubinetin, ai provonte e kënaqej: “Molto bene, molto bene, bravo Miço!”. Dhe kështu kaluam pak kohë në fabrikë, ku i përcollëm duke ua kthyer dhuratën, por me 6 shishe vere. Sigurisht, në mendjen e tyre bënin krahasimin, por verën e tyre nuk e shanë, as nuk thanë që kjo qenka më e mirë se e jona!

Dreka dhe takimi me sazet e usta Laverit

Nëse ju ka rënë rasti e shkoni në Përmet, atje tek sheshi, kati i parë i hotelit ka qenë klub e restorant. Në këtë restorant kishte një dhomë të veçantë, ku bëheshin dreka për raste të tilla. Dreka qe porositur tamam për artistë. Zbritëm nga makinat dhe do hynim brenda, por me dhjetëra qytetarë na shikonin me vëmendje. Punonjësit e Komitetit kishin dalë nëpër dritare se donin ta shikonin e mbase ta preknin imazhin e këtij artisti të rrallë që kishte udhëtuar kaq kilometra e kishte ardhur në qytetin e tyre. Ai me një kostum të bardhë, i bukur e i qeshur, na thoshte ndonjë fjalë që ca i kuptonim e ca jo, hymë në sallën e ngrënies. Sazet e usta Laverit u çuan më këmbë e përshëndetën ca shqip e ca italisht sepse usta Laveri i kishte jetuar në fëmijëri ato vite me italianë, ka shumë histori të bukura dhe ia kthente mirë dialogun. Dreka e bollshme, vera, mishi i Përmetit i pjekur, kënga e sazeve e ngazëllyen. Pati një moment që Sulejman Lame ndjesë pastë filloi të këndonte këngën “O sole mio”. Këndonte bukur Sulua! Ishte i madh në këtë fushë, por fjalët ca i dinte mirë ca sikur i ngatërronte dhe kjo këngë ishte kënduar nga artistë të mëdhenj si Pavaroti me shokë. Por ai artisti Albano Carisi, pa dashur aspak ta ofendojë kolegun e tij, merr një lahutë dhe i thotë Sulos: “Shumë bukur, Tu sei grante artista.. por kjo këngë këndohet edhe kështu… dhe filloi të këndonte këngën O sole mio…”. Tani zëri i tij magjik i kapërceu muret e asaj dhome. Lahuta që bënte punën e kitarës, mbeti në duart e tij dhe këngët pasonin njëra-tjetrën. Laveri, i papërsëritshmi usta, ishte gati e shoqëronte me klarinetë këngën e tij.. u bë një koncert i vërtetë. U kënduan dhjetëra këngë, por kabatë e ustait e lanë pa mend. I ngulte sytë dhe shikonte mimikën e ustait që ndryshonte, trishtohej, ngazëllehej, lumturohej dhe çuditej. Ai mund të kishte dëgjuar dhjetëra e dhjetëra instrumentiste, por ky i Përmetit, ky burrë shik e me mustaqe të shkurtra e mahniti … vera sigurisht nuk mbaronte, por koha po afronte për të ikur… Kishte kaluar ora 4 e mbasdites dhe në këtë orë qyteti ka një qetësi gati absolute, por atë ditë jo. Zyrtarët që kishin dalë nga puna e shumë të tjerë aty tek dritarja e kësaj salle, ku drekohej e gjer tutje në rrugë mbanin vesh, dëgjonin e sikur lumturoheshin. Koncerti i parë i Albanos në Përmet ishte dhënë. Sa e dëgjuan? Mbase jo shumë, por ata që e dëgjuan e çuan si mesazh nëpër shtëpitë e tyre që atë drekë e më tepër në darkë, në provat që bëheshin pranë Shtëpisë së Kulturës, takimi me Albanon qe fjala e parë. Mbaruam drekën dhe do ndaheshim. Sazet e ustait u përshëndetën dhe morën rrugën për në shtëpi. Sulua hodhi fizarmonikën në krah, ndërsa ustai futi klarinetën nën sqetull dhe po shkonin në shtëpitë e tyre. Të qeshur, gazmorë, por edhe të lumtur që kishin luajtur me një artist. Tek po qëndronim ashtu në pritje për t’u ndarë, ai shkon tek makina e kthen atë dhe shkon pas artistëve të sazeve. Ç’të kishte ndodhur vallë? Çfarë donte t’u përcillte… Qëndruam pak që po e prisnim kur ai u kthye i çuditur.

-Hë Albano – tha përkthyesi, z.Nishku – ku ishe?

Dhe ai foli ashtu siç e ndjente ne shpirt, tha diçka që më ngjethi dhe më shtyri në mendime.

– Isha tek artistët, -tha- i takova prapë, më pëlqyen shumë, dhe u dhashë ca lekë (e vërteta është se ai i kishte ndaluar dhe kishte nxjerë nga xhepi një tufë me lireta dhe kishte dashur t’ua jepte atyre, por ata nuk ia kishin pranuar).

“Nuk i pamë sa ishin, por as ia pranuam, – më tha Ustai e Sulua në darkë. Nuk i marrim i thanë dhe nuk ia kishin marrë. Dhe si Nishku si unë i themi: “Po nuk marrin ata, Albano nuk marrin para”.

Ai na pa paksa të çuditur sikur ne vinim nga ndonjë planet tjetër dhe na tha: “Po pse nuk marrin?! Në gjithë botën artistët paguhen dhe marrin para…” .

Po ku ta dinte Albano Carisi, se nëse ata sazexhinj të mençur do t’i kishin futur në xhep ato lireta do kishin valuar ditë e natë nëpër hetuesi, ndërsa mua kush e di se ç’fat më priste…

Diktatori vërtet kishte vdekur, por diktatura jo. Ajo ende kërkonte koka njerëzish, edhe pse Albano Carizi donte ta sfidonte atë.

Erdhi momenti që do iknin nga Përmeti. Unë i shoqërova deri në Këlcyrë për t’i dhuruar arkën me gliko arre dhe ai kur iku më tha, e na tha me të vërtetë, saktë këto fjalë: “Po erdha në Shqipëri, këtu në Përmet do vij të jap koncertin e parë…”.

Në vend të epilogut:

Dhe kanë kaluar nga dita e sotme plot 31 vjet. Albano ka ardhur disa herë në Shqipëri, në Tiranë e në Vlorë, ka kënduar e na ka impresionuar, por Përmetin duket sikur e harroi. E tha vetëm në atë emision televiziv te “Klani” dhe nuk u kujtua fare për miqtë e parë që njohu, takoi dhe u argëtua në Përmet. Unë, Miçua, Ludmilla që e pritëm në Përmet, jemi akoma, jetojmë, por ata, pjesëtarët e sazeve, artistët me emër të atij qyteti që mrekulluan me lojën e këngët e tyre, nuk jetojnë më dhe artisti për artistin duhet të pyesë, të dërgonte një urim, një foto, një mesazh: “Do vij për koncert në Tiranë, mundësisht ejani dhe ju të takohemi”, por ai si duket harroi. Pas ca ditësh si iku nga Përmeti në Sarandë e pastaj në Itali, ai u shfaq me këngën “Saranda- Saranda- Okinava”!, e cila ishte fryt i asaj vizite. Ai sot vjen për koncert këtu në Tiranë, ka marrë edhe pasaportë shqiptare, ta gëzojë, por ajo pasaportë që i kujton Shqipërinë, duhet t’i ketë rrënjosur edhe idealin e saj, mbajtjen e fjalës së dhënë.

Albano, nëse më lexon apo dikush të thotë ndonjë gjë për këtë shkrim, unë të them se nesër ne sheshin “Nënë Tereza” do jem në koncert e të uroj suksese, por nëse në dejet e tua do të rrjedhë edhe sadopak gjak shqiptari, mbaje fjalën e dhënë: “Eja në Përmet për një koncert, jo me orkestër e me shumë staf, por vetëm me kitarën tënde dhe një mikun tënd, kaq! Ne të presim se të duam, se në atë qytet ti këndove për herë të parë këngën ‘Liberta & Felicita’, na vrave frikën me këngën e lirisë, që më vonë do të buçiste në stadiumin e Tiranës! Ne të presim! Kohën gjeje vetë…

*Ish-punonjës kulture në Komitetin Ekzekutiv të Rrethit Përmet

SHKARKO APP