Kur arti zbuste turmat (Foto)

Ollga Shuraja do t’i bashkohej thirrjes së Ministrisë së Shtypit dhe Propagandës e Kulturës Popullore për aktorë të rinj më 17 maj të vitit 1945. Pasi kishte provuar Luftën Nacionalçlirimtare si partizane, ajo kërkon një tjetër sfidë në jetën e saj teatrin. Emri i saj është i pari në listën e gjatë të emrave që i kanë thënë po thirrjes së Partisë. Ajo nuk mund ta mendonte se edhe pse jetëgjatësia e saj në teatër do të ishte e shkurtër, do të ishte aktorja e parë femër në teatër.

Më 30 maj 1945, regjisori Sokrat Mio i jep asaj një rol në shfaqjen “Topazi”. Dosja e saj në teatër mban numrin 1. Aktori Lazër Filipi, i cili ka luajtur rolin e maxhordomit te “Topazi”, e kujton shumë mirë atë shfaqje. Në fakt, është i vetmi protagonist në jetë i kësaj shfaqjeje. “Unë dhe Ollga vinim nga teatri partizan. Unë isha i rrethit të Tiranës, ajo të Përmetit.

Ollga ka qëndruar në teatër deri nga viti 1946 dhe më pas është larguar me dëshirën e saj”, kujton Filipi. Në listën e gjatë të aktorëve që i janë bashkuar nismës është dhe emri i aktorit Mihal Popi. Ai vinte nga një aktivitet në teatër që në vitet 1924, me grupet amatore. Në vitin 1932 kishte krijuar grupin e vet teatral. Ka interpretuar mbi 40 role, ku ndër më të suksesshmit janë roli i prefektit Qazim Mulleti “Prefekti”, Anton Antonoviçi “Revizori”, Falstaf “Gratë gazmore të Uindsorit”, Zhurdeni “Borgjezi fisnik”, senatori Lington etj.

Ai është nderuar me titullin e lartë “Artist i Popullit”. Më 1966 del në pension, por nuk u shkëput nga skena. Behije Çela është një tjetër aktore që i është bashkuar thirrjes. Por çfarë thuhet në shkresën e gjetur në Arkivin e Shtetit si akt themelimi: “Ky dikaster, për t’i dhënë zhvillim më të gjanë e me baza më të shëndosha artit dramatik në Shqipni, mendon të krijojë një grup qendror teatral. Për këtë qëllim nga qytete të ndryshme të Shqipërisë janë thirrur elemente që pak a shumë kanë njohuri mbi artin dramatik, e kryesisht shumë talent.

Prandaj Ministria e Shtypit e Propagandës dhe Kulturës Popullore, ju thërret dhe juve për të dhënë kontributin tuaj në këtë grup teatral, kundrejt rrogës fikse mujore. Shtojmë se përveç kësaj rroge do të keni dhe të drejtën e përqindjes nga çdo shfaqje që do të bëjë grupi teatral. Jemi të bindur se nuk do të kurseheni për të dhënë kontributin tuaj në këtë drejtim sidomos duke marrë parasysh rolin e madh edukativ, që loz për turmat arti dramatik.

E drejta e rrogës do të merret më 1 maj 1945. Deri më 20 të këtij muaji duhet të paraqiteni në Drejtorinë e Kulturës Popullore për të marrë instruksionet e duhura”, thuhet në deklaratën e cila nënshkruhet nën thirrjen “Vdekje fashizmit, liri popullit”. Që pas këtij akti themelimi historia e teatrit është gati gjashtëdhjetë e pesëvjeçare me një repertor prej 500 premierash nga dramaturgjia kombëtare dhe ndërkombëtare duke nisur që nga korifenjtë e antikitetit për të vijuar me autorë si Shekspir, Molier, Çehov, Breht, Ibsen dhe deri te më bashkëkohorët si A. Miller, E. De Filippo, T. Dorts, E. Albee e shumë e shumë të tjerë. Shfaqja e parë është komedia “Topazi” nga Marcel Pagnol me regjinë e Sokrat Mios u quajt si “shfaqja themeluese e TK”. Për herë të parë në Shqipëri për teatër është folur në periudhën e Rilindjes Kombëtare në fund të shekullit XIX.

Në vitet ‘45-‘56 shteti shqiptar u përpoq ta orientonte TK, së paku në tri drejtime: sigurimin e një repertori me drama të “realizmit socialist” me autorë të vendeve të Lindjes. Përpos repertorit me ndikim politik, spikasin premierat nga dramaturgjia botërore: Revizori – Gogol, Othello – Shekspir, shërbëtori i dy zotërinjve – K. Goldon.

Në vitet 1956-1965 flitet për një teatër vërtet profesionist ku radhët e të cilit u shtuan me skenografë, regjisorë dhe aktorë të kualifikuar. Por do veçojmë edhe se në repertorin e kësaj periudhe spikasin vepra madhore nga dramaturgjia botërore si: Intrigë dhe Dashuri – Shiller, Hamleti – Shekspir, Borgjezi Fisnik – Molier, Xhaxha Vanja – A. Çehov, Mbreti Lir – Shekspir vitet ‘65-‘72 dallohen nga trajtimi i dramaturgjisë kombëtare si element kryesor në repertor dhe kufizimi gradual i veprave të shquara nga dramaturgjia botërore.

Vitet 1972-1985 dallohen për nga politizimi i tejskajshëm i repertorit të Teatrit Kombëtar, ndëshkimin dhe largimin nga skena të disa prej regjisorëve, dramaturgëve dhe aktorëve si modernistë, si dhe pakësimin e repertorit dhe të premierave. Vitet 1985-1992 janë vitet e fund-diktaturës, deri më 1990 kur përmbyset ajo dhe kemi fillimet e lirisë, nga ku vihen re: – një prani më e gjerë e repertorit të huaj, -guximi për të prekur tema tabu, eksperimentet e para dhe shija e paprovuar e autorëve të ndaluar.

Mund të veçojmë disa premiera: Vdekja e një komisioneri – A.Miler, Romeo dhe Zhulieta – Shekspir, Zbutja e kryeneçes-Shekspir, Frikë dhe mjerim në rajhun e tretë –B.Breht, Dhelpra dhe rrushtë – G.Figueredo, Rikardi i tretë – Shekspir. Vitet 1992 – 2010 shënojnë vitet e ndryshimeve strukturore rrënjësore në TK, ku veçohen si dukuri: – aplikimi i metodologjive të fundit teatrore, – zotërimi thuajse absolut i repertorit nga pjesët e huaja, kryesisht komedi dhe tragjikomedi, pakësimi në mënyrë të ndjeshme i autorëve shqiptarë, – hapja e hapësirës për ngritjen e kompanive private.

Disa nga premierat – “Dy zotërinjtë nga Verona” – Shekspir, “Fernando Krafti më ka shkruar një letër” T.Dorst, “Don Zhuani” Molier, “Njeriu, virtyti, kafsha” “Gjashtë personazhe kërkojnë autor” – L. Pirandello, “Armiku i Popullit” – H.Ibsen, “Filumena Marturano” – De Filippo, “Gratë Trojane” nga Euripidi, “Elektra “ nga Sofokliu , “Mbreti po vdes” – E. Yonesco, “Portreti i Dorian Greit” – O. Wailde, “Pamje nga ura”, “Shtrigat e Salemit”- A. Miller, “Kush ka frikë nga Virginia Wolf”- Eduard Albee. Nga dramaturgjia kombëtare “Stinë e mërzitshme në Olimp” I.Kadare, “Gomonet” M.Luarasi, “Babai” R. Pulaha, “Kambanat e Muzgut” T. Laço, “Korbi i Bardhë” M.Luarasi, “Alegreto Albania” S. Çapaliku “fituese e çmimit të parë të kritikës në Bienalen e Wisbadenit, Gjermani – qershor 2010, “Darka e Gabuar” I. Kadare, “Një Tablo Absurde” F.Hysi.

/ Shqip

SHKARKO APP