Kur hallet e Shkëlzenit, bëhen halle të opozitës
Nga Mero Baze –
Ka një hutim në rradhët e një pjese të opozitës, pse gjithë bateritë e opozitës janë drejtuar mbi Ben Blushin. Filimisht Lesi, si i afërt me LSI e më pas Manjani. Por ka dhe qindra të tjerë që e mendojnë këtë në PD.
Ben Blushi nuk është dikush që duhet të hutohesh pse sulmohet. Ai është një publicist i talentuar me sprova të suksesëshme shkrimtari, agresiv dhe cinik ndaj kundërshtarëve, me një pozicion të pushteshëm në media dhe padiskutim me plotë influenca të fshehura e të hapura mbi punët e pushtetit. Nuk ka pse cuditet njeri pse sulmohet. Unë vet kam nja 20 vjet që e sulmoj më shumë se të tjerët.
Interesante këtu janë dy gjëra.
E para dhe më e rëndësishmja është që axhenda e opozitës është axhenda e familjes Berisha. Dmth meqë berishët janë në konflikt me Blushin prej prodhimit të dokumentarit për Haklajt e deri tek shkrimet e fundit kundër Shkëlzenit për pasuritë e reja në Gërdec, gjithë bateritë e opozitës janë drejtuar ndaj tij. Ky është një tregues që opozita udhëhiqet jo vetëm fizikisht prej berishëve, por axhenda e opozitës është axhenda e halleve të tyre , armiqtë e opozitës janë armiqtë e berishëve dhe fokusi i opozitës është fokusi i familjes Berisha.
E dyta që ka po kaq rëndësi është se kryetari formal i Partisë Dmeokratike Lulzim Basha nuk e ka sulmuar Blushin dhe nuk e ka në axhendë betejën me të. Ai po del nga vilat në Hamallaj ndalon në Manëz, takon ndonjë demokrat tek kafja e fshatit, që sajon halle tërmeti, e kthehet prap në Hamallaj tek vilat. Duket përgjithësisht konstruktiv, me axhendë serioze antiqeveritare dhe jo personale, por nuk ja quan njeri. Nuk ja quan as LSI, as Nikolla, as Manjani, as të tjerët. Të gjtihë thonë pse opozita sulmon Blushin, pasi opozitë quajnë berishët.
Kjo e dyta më duket më e rënd se e para. Nëse në rastin e parë kemi një përdorim të opozitës për axhendë personale të berishëve, në rastin e dytë kemi një diskualifikim të veprimtarisë formale të kryetarit të opozitës duke mos e konsideruar fare si të tillë.
Dhe kjo mendoj se është më e rënd se sa sulmet ndaj Blushit. Ai është nga ajo rracë njerëzish të letrave që mezi pret ti shtohen personazhet negativë se me ata jeton. Ndaj mos ja qani hallin. Mos ja qani hallet as për pare, as për median që drejton, as për ato që fiton zyrtarisht dhe jo zyrtarisht, dhe sidomos as për sulmet që i bëhen. Thjeshtë mezi i pret.
Qauni hallin këtyre opozitarëve, që mendojnë se po bëjnë opozitë, duke mbrojtur Shkëlzenin si të padënuar dhe Ndroqin si të dënuar. Këta i bëjnë dëm opozitës sa 100 Ben Blushër. Gazeta “TemA”