Kur i kërkohej Laver Bariut të hynte në Parti

 

NGJARJE TË JETUARA

Nga Duro Mustafai

Ndodhesha me shërbim në Përmet, në atë që e quanin “Qyteti luleve”. Vërtetë Përmeti, na dukej i bukur, por jo vetëm nga ato lulet e shumta shumëngjyrëshe mbjellë qytetit e në ballkonet e shtëpive. Por edhe nga njerëzit e tij, që dalloheshin për urtësi, kulturë njerëzore, korrektësi e mikpritje të veçantë. Dhe gjëja e parë që të bënte përshtypje, veç luleve e qetësisë, ishte edhe fakti që shtëpitë e përmetarëve rrinin hapur natë e ditë e se në dyer nuk përdorej çelësi. Po qyteti njihej edhe për këngët e bukura popullore, për sazet e tij dhe për atë mjeshtrin e gërnetës, aq shumë të njohur në Shqipëri, madje, edhe jashtë vendit, Laver Bariun. E kush nuk e njihte, në ato vite, Laver Bariun, artistin instrumentist, ndër të rrallët në Shqipëri e më gjerë, por edhe njeriun e mirë e buzëqeshur në çdo bisedë. Kisha ardhur në Përmet të gjeja edhe ndonjë temë, që kishte të bënte me pranimet e reja në parti nga radhët e artistëve, ku kishte vështirësi dhe numri i të pranuarve që ishte paktë. . .

Dhe rastësisht, afër hotelit, do të takohesha me Lamçe Shemen, Sekretarin e Partisë për rrethin, që drejtonte edhe propagandën. E pyeta për temën e artikullit, që mendova të shkruaj. Është temë e rëndësishme, më tha, po më mirë shkojmë në zyrë të bisedojmë. Po ai, pa e pyetur, përmendi se në Përmet numri i intelektualëve në parti, është i vogël e ne po bëjmë përpjekje për shtimin e radhëve të tyre, megjithatë, e kemi të vështirë. E për këtë jemi kritikuar.  Mu kujtua Laver Bariu dhe pyeta në se është në parti, po sekretari Lamçe, mori një pamje të vrenjtur. A, jo, Laverin më mirë të mos ma kishe kujtuar.

-Pse, ç’i ka ndodhur? E pyes. E ai më përgjigjet… “Jo, Jo, me atë s’ka ndodhur gjë, po me ne ndodhi ajo që s’besonim se do t’i ndodhte njeriut. E thirrëm në Byronë e Partisë, i thamë se Partia ka menduar të të bëjë anëtarin e saj. Na u duk se u gëzua e se ishte gati të shprehte mirënjohjen. Por kur i përmendëm edhe kushtet e pranimit në parti, te Laveri gjithçka do të ndryshonte, edhe fytyra edhe toni i fjalëve, na u duk se nuk ishin të tijat.

-Po mos i keni vënë kushte të rënda, se artistët, janë një çikë delikatë.

-A, jo mor, katër kushte i vumë e Laveri, po të donte, i zbatonte. I thamë, Laver, Partia ka nevojë për ty, po edhe ti ke nevojë për të. Se në një këngë kemi dëgjuar .

“Le ta marrë vesh kjo botë, /Pa ty parti s’rrojmë dot”

-Po cilat ishin kushtet? E pyesim

-I thamë janë katër. E para, të mos shkosh aq shumë në dasma, se ti je Artist, jo ahengxhi. E dyta, edhe kur shkon në ndonjë dasmë, të mos marrësh para, se partia është kundër ryshfeteve. E treta, të heqësh dorë nga rakia, se dehesh e lëshon gjuhën, kjo e ul figurën e komunistit, para masave. Dhe e katërta, ki kujdes, se kemi dëgjuar, (paçka se nuk e besojmë), që dasmave shikon edhe ndonjë fustan, kjo dëmton figurën morale të komunistit, komunisti duhet të jetë i thjeshtë, i kursyer e jo lakmitar. E në fund e pyetëm. -“E, si thua ? Je dakord me katër kërkesat? Po Laveri, u ngrit në këmbë e me një ton të lartë, sikur ishte në miting, na tha: “Unë për partinë, jap jetën”. Na u desh t’i shpjegonim se për partinë të gjithë e japim jetën, por tani për tani, nga ty kjo kërkohet, nuk të kërkohet jeta. Atëherë Laver Bariu na lëshoni bombën.

-“More shokë, po ç’më mbeti mua nga jeta, se të gjitha kërkoni të mi merrni, edhe zijafetet, edhe paratë, edhe qejfin”.

-Më hipi gjaku në kokë. Po ky artisti, tallet, apo e ka me të vërtetë?

-Dhe si vepruat me të, e pranuat në parti?

Jo, jo, e lamë të mendohet edhe njëherë. . Po Laveri përsëri vazhdon avazin me gërnetën e tij, shkon në dasma, në koncerte e ahengje, pi raki… Dhe të gjithë e duan dhe e duartrokasin… Në fakt, Laveri është artist i madh, që na nderon, këtë e ka thënë edhe shoku Enver…

SHKARKO APP