Kur Ismail Kadare rrëfente takimin me Peter Handke: S’më besohet, gjithë ai tërbim
Vlerësimi me çmimin “Nobel” i shkrimtarit austriak, Peter Handke, ka shkaktuar zemëratë të thellë në mbarë botën, pasi ai njihet për mbështetjen e gjerë ndaj Slobodan Millosheviç, liderit serb të akuzuar për gjenocid dhe krime lufte në Kosovë.
Deklaratat e shkrimtarit kundër shqiptarëve dhe adhurimi i tij për Millosheviçin e kanë vënë atë edhe më parë në qendër të kritikave, por vlerësimi nga akademia suedeze ka sjellë reagime të ashpra edhe nga krerët e politikës shqiptare e kosovare, madje edhe asaj ndërkombëtare.
Shkrimtari austriak është njohur gjithmonë për deklaratat anti-shqiptare, ndaj dhe ai nuk mund të mungonte në librat e shkrimtarit të madh shqiptar, i cili ka kandiduar për çmimin “Nobel”, Ismail Kadare.
Ky i fundit ka përshkruar qëndrimet e Handke kundër Shqipërisë e Kosovës, në librin e tij “Ra ky mort e u pamë”, ku mes të tjerash rrëfen edhe takimin me të. “Nuk e gjej dot ç’grerëz e ka pickuar”, shkruan Kadare, teksa flet për tërbimin e tij ndaj shqiptarëve dhe mbrojtjen me zell që iu bën krimeve serbe në tokën shqiptare.
Më poshtë, fragment nga libri i Kadaresë “Ra ky mort e u pamë”
“Televizioni austriak më kërkon një mendim për qëndrimin e Peter Handkes. Në Austri dhe në Gjermani ka fushatë të ashpër kundër tij. Ai qëndrim, ç’është e vërteta, më shumë se zemërim, më ka shkaktuar brengë. Siç ndodh me njerëzit që i njeh. Siç ndodh me sjelljet që ndryjnë brenda një mister. Prej vitesh, duke qenë këshilltar pranë shtëpisë botuese austriake “Residennz Verlag”, është ai që ka propozuar librat e mi për përkthim.
E kam njohur para ca vitesh në Paris. Ambasadorja e Austrisë në Francë na ftoi për darkë të dyve, bashkë me gratë. Gruaja e tij franceze është e admirueshme. Nuk e gjej dot ç’grerëz e ka pickuar. Gjithë ai tërbim kundër shkrimtarëve boshnjakë, gjithë ai zell për të mbrojtur krimet serbe në Bosnjë e pastaj në Kosovë.
Një shkrimtar kroat përpiqet ta shpjegojë me zanafillë frojdiste. Nuk më besohet. Ndërkaq, nga darka në ambasadën austriake më kujtohet një frazë e tij. Një frazë disi e veçantë, e thënë me njëfarë pikëllimi: “Nuk jam më i njohur si më parë”. A mund të jetë atje ana e së keqes? Ndoshta, pse jo. Ismail Kadare, prill 1999”