Kur lamtumira bëhet e pamundur

Nga Besnik Bedollari –
Atëherë kur lamtumira është e pamundur dhe fjalët janë të vështira për të dalë nga thellësia e shpirtit, ngatërrohen psikologjikisht nga sensualiteti goditës. Vdekja është një proces natyror biologjik dhe e pashmangshme, por ajo bëhet mizore dhe shumë e padrejtë kur hyn tinës dhe rrëmben dhunshëm. Kinematografia e para viteve 90’ la gjurmë të thella në kujtesën e telespektatorit. Ato gjurmë që nuk i zbeh dot aspak erozioni i kohës. Përkundrazi ngjizet më shumë në simpatinë e publikut si një nga veprat madhështore të kohës. Por pse vazhdon kjo simpati dhe nostagji e hershme për publikun? Nuk është e vështirë. Janë kolosët e artit skenik që dhanë shpirtin e tyre artistik. Dhanë vlerat e larta sublime dhe mbetën ikonë e gjeneratave. I tillë ishte dhe mbetet i madhi, Xhevdet Ferri. Ai është, nuk ka shkuar. Ashtu dinë të qëndrojnë njërëz të tillë. Ata që të imponojnë me çdo kusht t’i duash aq fort dhe fare lehtë. Është thjeshtësia e tyre ngulitur në rolet plot fisnikëri njerëzore dhe vlerë edukative. Ata që aktruan aq bukur dhe ‘qetë’ pa sforcarje, sepse forca e tyre qëndronte thellë karakterit artistik dhe njerëzor. Ndaj lapsi mprihet fort dhe thyhet pa mbyllur fletën e nisur, pasi boja thahet nga pamundësia e fjalëve që duhet të flasin pa mbarim. A thua mendimet ngatërrohen nga dëshira e madhe apo dhimbja për të jetësuar njerëz të thjeshtë me vlera të jashtëzakonshme. Memorja e çdokujt sot është zgjuar dhe lënduar nga ikja para kohe e njerëzve që duhet t’i ndiejmë çdo ditë, orë e çast. Hutohemi, humbasim , shokohemi dhe nuk duam të pranojmë realitetin ‘goditës’. Veç dhimbjes që marrim ngushëllohemi se personalitete të tillë jetojnë me ne dhe nuk vdesim kurrë. I pavdekshëm mbetesh Xhod! Sot je pranë shokëve të tu, që nuk jeni pak. Keni nisur jetën e re. Atë të pavdeksisë në fronin e qetesisë së përhershme. Dhe qëndroni krenarë për atë që latë pas. Në shumë role jetësove portretin tuaj dashamirës, duke e skalitur në memorjen e çdokujt. Ne mërzitemi me ju kur na braktisni fizikisht, por përsëri jeni dhe mbeteni mes nesh me arkivin e pavdekshëm të krijimtarisë suaj. Sepse vepra juaj ju ngre në piedestalin që vret harresën. Jeni mes nesh çdo ditë që marrim frymë, çdo çast mbreslënës. Lajm i gënjeshtër i dëgjuar aksidentalisht, apo ëndërr e keqe mbetet vdekja jote. Gjithçka mund të jetë, veç me të nuk pajtohemi dot kurrë. Edhe lamtumira bëhet e pamundur. Nuk jam një miku juaj, as kolegu juaj, as i afërmi juaj. Jam thjesht një qytetar si shumë të tjerë brenda e jashtë atdheut që ikjen tuaj e përjetojmë njësoj. Na thahet gryka dhe nuk mund ta përcjellim dot realitetin se sot nuk merr frymë në botën që le pas. Qofsh përjetësi e pandarë në memorjen e çdokujt i Madhi Xhevdet Ferri. Sot i është këputur një tjetër hallkë gjerdanit të kinematografisë shpirtare. Pavdeksi veprës suaj!
Përgatiti: Besnik Bedollari

SHKARKO APP