Kur mbaron “Java shqiptare” dhe nis “Java Europiane”!

Nga Alfred Peza

Realiteti i përditshëm duket shpeshherë shumë ironik në Shqipëri, kur sheh skena si ajo liderëve tanë politikë, teksa përkulen të dielën e 5 majit, përpara monumentit të Nënës Shqipëri. Lulet, shtërngimi i duarve dhe pozat për konsum publik, nuk mund ta fshehin dot realitetin e hidhur. Atë realitet që na tregon se edhe pas 75 vjetësh nga fundi i Luftës II Botërore dhe tri dekada pas Luftës së Ftohtë, Shqipëria vazhdon të mos gjejë paqe. Ndryshe nga sa më parë, tashmë jemi në një “luftë të nxehtë” shqiptaro- shqiptare, për pushtet.

Prej disa javësh në Tiranë, opozita jashtparlamentare ka djegur mandatet e deputetëve të saj, ka deklaruar se nuk futet në zgjedhjet e 30 qershorit, duke rrezikuar daljen nga sistemi politik i vendit. E shitur si një “luftë për demokracinë e pluralizmin”, prapa saj fshihet veç frika e vërtetë të asaj pjese të lidershipit opozitar, që i trembet përballjes me drejtësinë e re që ka trokitur.

Ky shtatë ditësh që sapo ka nisur, duket se do të jetë përcaktues për fatet e zhvillimeve të ardhshme politike në vend. Do të jetë sa një “Javë Europiane”, po aq edhe një “Javë shqiptare”. Ndaj duhet që ta shijojmë këtë, sepse rrallë ndodh që ti jetosh të dyja njëkohësisht.

Aktivitetet e “Javës së Europës” lidhen me datën kur u hodh hapi i parë drejt krijimit të asaj që sot njihet si Bashkimi Europian. Ministri i Jshtëm i Francës Robert Schuman, më 9 maj 1950 i bëri thirrje Francës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera europiane për të bashkuar prodhimet e tyre të qymyrit dhe çelikut në atë që do të ishte “themeli i parë konkret për një Federatë të ardhshme Europiane”. Në Samitin e Milanos më 1985, krerët e BE-së vendosën që 9 maji i çdo viti, të festohej si “Dita e Europës”.

Pas Takimit të Berlinit të pak ditëve më parë, mes Kancelares gjermane Merkel e Presidentit Francez Makron dhe liderëve të Ballkanit Perendimor, u kuptua se Shqipëria pritet të mari këtë muaj rekomandimin pa kushte për hapjen e negociatave të antarësimit në BE. Ndërkohë që brenda 6 mujorit të dytë të këtij viti, do të kemi edhe vendimin pozitiv, përfundimtar.

E ndërsa kemi këtë pamje të re oksidentale të kësaj jave në Shqipëri, ajo pritet të kryqëzohet edhe me anën e saj të vjetër orientale. Shenjat janë dhënë që në paraditen e sotme, kur PD ka refuzuar ftesën zyrtare të Parlamentit, për të dërguar vëzhguesit e saj në Komisionin për Reformën Zgjedhore. Ndërsa në fund të shtunën, më 11 maj PD dhe aleatës e saj të “Opozitës së Bashkuar”, do të zhvillojnë protestën e përmuajshme në Tiranë.

Të gjitha partitë e tjera të mazhorancës e opozitës dhe kandidatët e pavarur, që do të marrin pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit, e kanë këtë një javë vendimtare. Të hënën e javës së ardhshme, më 13 maj përfundon afati zyrtar për regjistrimin pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, të kandidatëve për në garën lokale.

PS do të mbledhi të mërkurën Kryesinë e saj, për të miratuar listën e kanditatëve për kryetar dhe ato të këshilltarëve, në 61 bashkitë e Shqipërisë. Ndërsa dy ditë më pas, të premten e 10 majit, mbledhin Asamblenë Kombëtare për të ndezur edhe zyrtarisht, makinën elektorale.

Siç duket, zgjedhjet e të dielës së fundit të qershorit, do të zhvillohen. Pavarësisht se pjesa jashtë parlamentare e opozitës, deklaron se do ti bojktojë ato. Se kush është pjesa oksidentale e politikës shqiptare dhe ajo orientale e saj, këtë më mirë se kushdo tjetër, pritet ta tregojë pikërisht kjo javë. Kemi mbërritur me sa duket, në momentin kur nis ndarja përfundimtare, mes të shkuarës dhe të ardhmes së Shqipërisë!

Alpenews.al

SHKARKO APP