Kur u kremtua për herë të parë 1 Maji në Shqipëri?

Nga Kreshnik KUÇAJ

1 Maji përkujtohet në shumë vende të botës si Dita e Punëtorëve. Kjo datë përkujtohet në referencë të protestave të forta të punëtorëve në 1886 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që sollën përplasje të forta e deri edhe dënime me vdekje për protestuesit që kërkonin më shumë të drejta. Gjithsesi manifestimet e kërkesat për më shumë të drejta për punëtorët kanë lindur më herët.

Për herë të parë 1 maji është kremtuar në Shqipëri në vitin 1905, kohë kur Shqipëria ende ishte ende pjesë e Perandorisë Osmane. Të paktën kjo shkruhet në librin “Kronikë e lëvizjes punëtore e sindikale në Shqipëri” të autorit Stilian Adhami, publikuar në vitin 1969.

Autori shkruan se me 1 maj të vitit 1905, një grup të rinjsh e punëtorësh organizuan në një manifestim nëpër rrugë dhe një piknik jashtë qytetit të Shkodrës, në urën e Mesit.

“Ai nuk ishte një piknik i thjeshtë por zanafilla e një lëvizje të madhe për çlirim social. Aty u mbajtën fjalimet dhe u bënë diskutime rreth rëndësisë së ditës ndërkombëtare të proletariatit dhe të drejtave të punëtorëve.

Ishte hera e parë në vendin tonë që kremtohej 1 Maji megjithëse në një rreth të kufizuar nga punëtorët e ngarkim-shkarkimit dhe nga punëtorët këpucarë” shkruan autori.  Sipas tij, në këtë mënyrë u krijua edhe tradita e përkujtimit të solidaritetit të punonjësve, edhe pse në fakt greva e kërkesa për të drejtat e punëtorëve ka pasur edhe para këtij viti në Shqipëri.

Në këtë manifestim, punonjësit në Shkodër zhvilluan grevë dhe vendosën piketa në rrugët kryesore të qytetit. Po ashtu, Adhami shkruan se në këtë manifestim ishin 60 punëtorë.

Një manifestim tjetër që përmendet në studim është ai i bashkimit luftarak të punëtorëve të Shkodrës të zhvilluar me 1 maj të vitit 1907, dy vite pas manifestimit të parë.

Autori bazohet në raportimet e gazetave të kohës si “Drita” apo “Shpnesa e Shqypnis” të 22 majit të vitit 1907 ku shkruhet se “punëtorë, shegertë e shërbëtorë të panumërt dolën nëpër rrugët e qytetit me vegla muzikore tue hedhun valle e tue këndue” këngën e “Shoqnis së punëtorëve”.

Manifestuesit mbanin shami të kuqe dhe rezeda të kuqe në jakën e xhaketës. Në krye të korteut ishte një tabelë e qendisur me lule me fjalët “1 Maj”. Një pjesë e madhe e manifestuesve u drejtua jashtë Shkodrës, në Bardhaj për piknik “ shkruhet në më tej në studim.

Autori sjell edhe dëshminë e një ish pjesëmarrësi në këtë manifestim  për atë që ka ndodhur në 1 maj të vitit 1907.

Një majin e pritëm prej disa ditësh në filluem me ba pregatitje. Herët në mëngjes, qysh në ora 4 u ngritëm, u grumbulluem e u nisëm për jashtë qytetit.

Por pregatitjet dhe nisjen e bamë fshehtas sepse pushtuesit turq nuk na lejojshin, ata na ndiqshin dhe në burgosshin.atje folëm për ditën e 1 Majit, folëm kundër padronëve që na pinin gjakun. Kishim marrë me vete përveç ushqimeve edhe kitara e mandolin. Dojshim që të mbulojshim qëllimet tona që të mos na e merrshin vesh autoritetet turk” kujton pjesëmarrësi Gjon Kajtani që përmendet në studim.

Që atëhere, kremtimi i 1 majit u bë traditë për punëtorët e Shkodrës dhe më vonë edhe të qyteteve të tjera të Shqipërisë.

Pas shpalljes së Pavarësisë e sidomos gjatë periudhës së qeverisjes e mbretërimit të Ahmet Zogut nuk kanë munguar manifestime të ndryshme në përkujtim të 1 Majit, ashtu sikurse janë krijuar edhe organizata punëtorësh.

Përgjithësisht manifestimet e kësaj periudhë nuk kanë qenë të hapura por të fshehta. Gjatë periudhës së regjimit komunist, 1 Maji u kthye në ditë feste me argumentin se punëtorët tashmë nuk kishin pse të protestonin më apo të organizonin greva dhe se duhej festuar fitorja e arritur nga punëtorët në përmbushjen e kërkesave të tyre.

Manifestimet e 1 majit gjatë periudhës së komunizmit kanë qenë ndër manifestimet më të mëdha që organizoheshin në vend çdo vit.

*Material i përgatitur posaçërisht për SCAN

SHKARKO APP