Kur u takua Kadare dhe Agolli me Aristidh Kolën

Prof. Nasho Jorgaqi –

PËR HERË TË PARË EMRIN E ARISTIDH KOLËS e kam dëgjuar nga bashkëfshatarët e Fan Nolit, kur shkova në Trakë aty nga fundi i viteve 80 të shekullit të kaluar. “Si nuk e njihkërkeni?!”, më pyetën duke u shprehur në mënyrën habitore, aq të pranishme në shqipen e tyre të vjetër. “Në ka njeri që i ka bashkuar arvanitasit e shpërndarë nga viset e Trakës gjer në ishujt e Egjeut, më tha kryetari i komunës së Feresit, Panajoti,-ky është Aristidh Kola, që vërtetë s’e kemi pjekur ndonjëherë, po fjalët e mençura ia kemi dhjavasur (lexuar) te “Besa”. Është një revistë, siç i thoni ju nga Alvania, pun’ e madhe, që e nxjerr ai tok me disa të pakë shokë dhe na e dërgon gjer këtu.” Më treguan pastaj disa numra të revistës, që, në fakt, vetëm emrin e kishte shqip, kurse gjithë ç’botonte ishte në gjuhën greke, me përjashtim të disa teksteve arvanitase, të shkruara në alfabetin helen. Madje, të nesërmen, stërmbesa e Nolit, Ksanthia, që kish kryer studimet në Universitetin e Selanikut, më solli librin e tij voluminoz “Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve”, një studim monografik, që kish bërë jehonë të madhe në opinionin e gjerë, veçanërisht te sivëllezërit e tij arvanitas.

Gjithë sa dëgjova për Aristidh Kolën nga bashkëfshatarët e Nolit në Trakë, m’u duk një zbulim mbresëlënës, që, kur u ktheva në Shqipëri, ua tregova miqve. Por mbeti me kaq në kushtet e atëhershme të vështirësive të komunikimit të lirë. U desh një rastësi tjetër fatlume që të ngjante ajo që nuk e kisha çuar as nëpër mend. Vetëm disa kohë më vonë unë, së bashku me Dritëro Agollin, Ismail Kadarenë dhe Androkli Kostallarin, u gjendëm në Siçili në një kongres ndërkombëtar të minoriteteve gjuhësore, me rastin e 500-vjetorit të themelimit të Horës së Arbëreshëve (Piana degli Albanesi). Atje u takuam me intelektualë të ardhur nga të gjitha vatrat arbëreshe, me gjuhëtarë e shkrimtarë nga Kosova, intelektualë të diasporës, si Martin Camaj e Aleksandër Zoto, me albanologen ruse A.Desnickaja etj. Gati të gjithë këta të ftuar i njihja ose kisha pasur rastin t’i takoja.

I vetmi nga të ftuarit, që më ra në sy qysh ditën e parë, tek prisnim të hynim në sallën e Kongresit, disi i mënjanuar e duke thithur llullën. Ai më tërhoqi vëmendjen dhe më bëri kurioz. Vetëm në pushimin pas seancës së parë pyeta një nga organizatorët e kongresit dhe ai më tha se burri me llullë ishte Aristidh Kola, delegate i arvanitasve të Greqisë. Sikur ma kish ndjellë zemra, prandaj menjëherë nxitova ta takoja. Pa u prezantuar iu hodhëm në qafë njëri-tjetrit dhe zumë të flasim në gjuhën e nënës. Në këto raste mjafton të flasësh shqip dhe kupton ç’mrekulli bën gjuha. Ishte gjuha shqipe ato ditë që na kish mbledhur në një kuvend ndërkombëtar.

Kështu, të zënë për krahu, gjithë emocion, braktisëm seancën e kongresit dhe shkuam e u ulëm në lokalin më të afërt. Nuk mbaj mend se çfarë thamë në fillim, por më kujtohet që qëndruam ballë njëri-tjetrit dhe më mbeti e fiksuar pamja e tij. Në radhë të parë buzëqeshja e tij e çiltër, sytë e ngazëllyer, fytyra që rrezatonte mirësi, flokët shtruara të ndara anash, ku më vonë dallova dhe thinjat e para. U bë një pauzë, pastaj fola unë, kurse atij sikur iu lidh gjuha. Ishte heshtja, që unë ua njihja mirë sivëllezërve të diasporës, që druhen të flasin në fillim, kur takohen me shqiptarët nga Shqipëria. I tregova për gjithë ç’më kish ndodhur në Trakë, i thashë se ai nuk ishte vetëm një emër, por më shumë se kaq. Ai më dëgjonte me gaz në buzë duke tymosur llullën, deri sa më në fund zuri të flasë. Ishte një zë i ëmbël, i butë, me tonalitete gati fëminore, ndërsa fytyra i rrëzëllinte nga një dritë e brendshme. “Edhe unë ju njoh, -tha.-Më erdhën fjalët nga Traka, pa arritur mirë zotrote në Shqipëri. Sa miri kini bërë që kini vajtur te njerëzit e Nolit të madh. Ata janë të mençur e të urtë, me mendje të qëruar, besnikë të rrënjëve, si ati i tyre shpirtëror.’

Në këtë takim të parë nuk u zgjatëm, sepse na priste seanca e kongresit, por në ditët që erdhën u takuam jo vetëm një herë. Kur u ndamë, në fund, nuk e patëm të lehtë. Nuk dihej se kur do të takoheshim. Na mbante vetëm një shpresë e vakët.

Por ja kohët çuditërisht ndërruan shpejt dhe në fillim të viteve 90 unë shkova në Athinë. S’kish dyshim se një nga takimet e para e bëra me Aristidhin dhe për këtë nuk hasa vështirësi. Kush nuk e njihte avokatin arvanitas në rrethin e intelektualëve emigrantë të Athinës! Miku im i paharruar Spiro Xhai do të ishte ai që më çoi te Aristidhi, me të cilin qe njohur e miqësuar edhe ai. I shkuam drejt e në zyrë, që e kish në qendër të Athinës, me sa mbaj mend, në rrugën Filipiadha, në katin e gjashtë të një pallati shumëkatësh. Ai na priste, dhe sapo u gjendëm përballë, u rrokëm në qafë të malluar dhe të çuditur, që po takoheshim në një kohë që s’e kishim menduar. Pastaj u ulëm në krah të njëri-tjetrit. Më tërhoqi menjëherë zyra e tij, që zinte një apartament të tërë e që m’u duk më shumë se një studio avokatie, si një copë Shqipëri në mes të Athinës. Një vatër e vërtetë arvanitase,ku binin në sy një shqiponjë prej argjendi dhe portretet e Skënderbeut të Marko Boçarit, vendosur ndërmjet gravurave dhe fytyrave të heronjve arvanitas të Revolucionit Grek të 1821-shit. Nga që hidhje sytë, shihje relike të kulturës materiale shqiptare varur nëpër mure e vendosur sipër mobilieve. Pastaj libra pa fund, të shpërndara gjithandej. Dhe, sikur të mos mjaftonin këto, nga një derë e hapur vura re rafte librash dhe kjo ishte biblioteka e tij, me të cilën do të na njihte më pas. Njëherë për njëherë Aristidhi nuk dinte si t’I gëzohej takimit tonë dhe, ashtu i ngazëllyer, pyeste dhe interesohej për çdo gjë që na lidhte. Pastaj unë ngava bisedën e studimeve të tij dhe e urova për suksesin që kish pasur me librin “Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve”. Ai kish arritur të botohej plot nëntë herë. Një ngjarje jo e zakontë në jetën intelektuale të arvanitasve. Më pas ishte botuar një vepër tjetër albanologjike e Aristidhit, “Gjuha e perëndive”, kushtuar gjuhës shqipe dhe lidhjeve të saj me greqishten e vjetër e të re. Autori kish kaluar kështu nga fusha e historianit në atë të gjuhëtarit, një detyrë e vështirë, plot probleme, por, me sa kisha dëgjuar, e kish kaluar me sukses.

Dhe këtë do ta kuptoja atë ditë nga shpjegimet e Aristidhit, që me zërin e tij të shtruar, duke thithur llullën, më tregonte për tezat dhe hipotezat, që kish shtruar dhe motivuar në studimin e fundit. Nga gjithë sa më thoshte dhe mënyra se si i arsyetonte, ajo që më tërhoqi më shumë vëmendjen nuk ishte aq problematika, të cilën unë e njihja përciptazi, sesa patosi, angazhimi i tij total, zgjimi i ndërgjegjes së prejardhjes, ethet e kërkimit për të zbuluar rrënjët e komunitetit të vet në botën helene. Një komunitet ky tepër i hershëm, i shtrirë në viset kryesore të Greqisë, me vlera të spikatura shpirtërore e intelektuale, me gjuhë, histori e kulturë autoktone, që e kish ruajtur nëpër shekuj individualitetin e arbërve në detin grek.

Vërtet, sipas Aristidhit realiteti arvanitas gjatë kohëve të reja paraqitet i mjegulluar, madje si i përgjumur. Po kjo është dukja. Sepse, në fakt, me gjithë heshtjen dhe shpërfilljen, diskriminimin e stigmatizimin nga disa qarqe të shoqërisë e kulturës greke, ai ekziston. Mjaftoi dalja në dritë e një libri si “Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve” dhe menjëherë sivëllezërit e tij sikur u zgjuan për të treguar se ne gjendemi këtu dhe nuk jemi shuar. Dhe ky zgjim i kish dhënë zemër Aristidhit të vijonte punën e tij, edhe pse kish të bënte me një terren të mbuluar me ferra, në një atmosferë herë-herë të helmatisur nga propaganda e hidhur nacionaliste. Nga ana tjetër, Aristidhi, me mendjen e tij të hapur, në librat e tij, por edhe në biseda, shprehte bindjen për një origjinë pellazgjike të përbashkët shqiptaro-greke. Ai besonte, me gjithë pengesat dhe paragjykimet, në një bashkëjetesë vëllazërore, siç e kish treguar në rastet më të mira historia dhe jeta greke e kohëve moderne.

Nga biseda e Aristidhit atë ditë mora vesh se ai nuk ishte vetëm njeri kabineti, intelektual që shkruante e botonte libra që merrej me studime dhe hulumtime arvanitase, por edhe një veprimtar aktiv ose më mirë lideri i lëvizjes së sivëllezërve të një gjaku. Për mua ishte i njohur fakti që Aristidhi drejtonte “Lidhjen e arvanitasve të Greqisë” dhe organin e saj, revistën “Besa”, por, duke dëgjuar atë, kuptova se detyra e kish bërë të lëvizte e të shkelte kudo ku jetonin arvanitasit , të merrte kontakt me ta. Të shpërndarë në mbi 500 fshatra të Greqisë, ata ishin kudo, në Atikë e Peloponez, në Korinth e Arkadia, në Trakë e në ishujt e Egjeut (Hidra, Poros, Psara, Specia). Merret me mend se ç’ndërmarrje e punë e madhe ishte kjo për Aristidhin dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, se ç’pengesa e probleme, madje dhe rreziqe paraqiste. Por ata nuk deshën t’ia dinin. Ishte kjo një kauzë fisnike, që ia vlente të punoje dhe të sakrifikoje. “Kur isha i vogël,-tregonte Aristidhi,-dhe luaja me shokët e fshatit, duhet të flisja në gjuhën e mëmës dhe të tatës, përndryshe të tallnin e të largonin. Megjithëse duket e pabesueshme, deri në vitet 50 të shekullit XX, gjatë fushatave elektorale, kandidatët për deputetë në fshatrat arvanitase detyroheshin të flisnin arvanitshe ose të komunikonin me përkthyes, pasi gjindja nuk i kuptonte. Por me kohë, do të krijohej një atmosferë mbytëse, për t’I detyruar njerëzit tanë të gjorë që ta flisnin arvanitikanë vetëm brenda familjes ose jashtë saj nën zë. Para kësaj situate që u krijua dhe që vazhdon, Lidhja jonë u vu në mbrojtje dhe punon me ç’ka në dorë që arvanitikoja të mbetet për jetë e mot gjuhë e vatrës, e shtëpisë dhe me të të mëkohen brezat që fëmijë. Një punë e vështirë, por jo e pamundur.”

Tek rrinim atë pasdite athinjote në studion e tij, ndërsa në sfond dëgjohej lehtazi muzikë arvanitase, unë isha harruar i tëri pas rrëfimeve të Aristidhit, që më ngjanin si balada të trishtuara të kohëve moderne. “Më kujtohet,-vazhdonte ai,-kur nisëm nga puna dhe vajtëm në fshatrat tona. Besomëni se këto takime ktheheshin në të kremte të gëzuara. Na prisnin krahëhapur, mblidheshin me qindra, në një rast u mblodhën dy mijë vetë, dhe veç t’i shikoje sytë e tyre të përlotur. Flisnim në gjuhën tonë dhe qanim hallet e mbijetesës sonë arvanitase. Por kjo pranverë nuk zgjati shumë, sepse u zgjuan gjarpërinjtë. Sapo e mori vesh Asfalia dhe Sfeva, një organizatë ekstremiste nacionaliste, filluan presionet e kërcënimet, përndjekjet gjithandej, aq sa njerëzia u trembën dhe puna jonë sikur ngeli me kaq. Na u desh kohë, sa e morëm veten dalëngadalë. Gjetëm urtësi dhe mençuri në mes tonë, që të tregojmë dhe një herë se jemi pasardhësit e Boçarit e Kollokotronit, të Bubulinës e të Mihaulit. Botuam kalendarin e parë arvanitas me portretet e dhjetë kryeministrave e dy presidentëve të Republikës, që i kishim dhënë Greqisë. Pastaj vitin tjetër nxorëm një kalendar me heronjtë arvanitas të Revolucionit Grek. Më tej e zgjeruam veprimtarinë tonë, kur organizuam festivale të folklorit tonë burimor, që arriti kulmin me një koncert të madh me muzikë arvanitase në mes të Athinës, ku këndoi këngëtari ynë i madh Thanas Moraiti. Këtë iniciativë tonën e mbështeti dhe e lavdëroi publikisht i madhi Mikis Teodoraqis, duke shkruar bile për vlerat e muzikës sonë, që ndikoi në opinionin grek.”

Pas bisedës vëllazërore, që nuk di të them sa zgjati, ai u ngrit dhe na ftoi të hynim në dhomën ngjitur, ku gjendej biblioteka e tij e madhe, që zinte të katër faqet e mureve. “Kjo është e vetmja pasuri e imja e vërtetë,-tha duke na treguar me dorë raftet ballore.-Këtu renditen librat e literaturës albanologjike, më i çmuari fond që kam dhe e ruaj si sytë e ballit jo vetëm për vete, por për gjithë komunitetin tonë e më gjerë. Kam dhe libra të rrallë të historisë e të gjuhësisë së botës, që flasin për ne. Kam shumë nga botimet tuaja, por dhe të gjitha botimet tona që kanë shkruar arvanitasit, që nga Marko Boçari e Anastas Kullurioti e deri te Tito Johallasi e Jorgo Marugasi. Po kam dhe koleksione revistash e gazetash. Të gjitha këto janë burimet nga marr lëndë unë për të ngritur veprat e mia.”

Para së të largoheshim Aristidhi na dhuroi librat e tij me autograf në gjuhën shqipe si dhe disa numra të revistës “Besa”. Na përcolli deri poshtë pallatit. Mbaj mend se kur dola në rrugë isha i ngarkuar me aq emocione e mbresa. E ndjeja veten me fat që kisha fituar një mik për kokë si Aristidh Kola.

2

Dhe vërtet, gjatë qëndrimit tim në Athinë ne do të takoheshim disa herë. Kështu do të niste miqësia jonë e bukur, që do të hidhte pastaj shtat nga viti në vit. Ndonëse larg, kjo nuk do t’i pengonte kontaktet tona; dhe në këtë mes nyja e lidhjeve do të ishte miku ynë i përbashkët Spiro Xhai. Spiroja ishte dhe mbeti një nga miqtë e rrallë të jetës sime, që, dhe në raportet me Aristidhin, u tregua bujar e solidar ndaj përpjekjeve të tij për kauzën e arvanitasve. Pa asnjë paragjykim dhe gjithnjë i mirëkuptueshëm, ai do t’i gjendej pranë Aristidhit sa herë e lypte nevoja. Madje, do t’i përkthente në shqip librin “Gjuha e perëndive”, pa përmendur përkthimet e shkrimeve të ndryshme të Aristidhit, disa nga të cilat do të m’i dërgonte mua, sidomos ato të revistës “Besa”. Në bisedat e herëpashershme telefonike me Spiron, unë merrja vesh gjithë ç’ndodhte me Aristidhin. Nga ajo kohë mbaj mend reagimin e ashpër të Aristidhit ndaj ngjarjes tronditëse të Peshkëpisë, kur banditët e një organizate terroriste vorioepiriote masakruan rojet tona të një poste kufitare, e cila tensionoi rëndë marrëdhëniet shqiptaro-greke. Në këtë atmosferë të ndezur Aristidhi guxoi të ngrejë zërin, duke shkruar artikullin kritik “Pas masakrës në Peshkëpi qëndrojnë serbët”, që e botoi në gazetën autoritare “Elefterotipia”. Me porosinë e tij Spiroja e përktheu artikullin në shqip dhe ma dërgoi brenda disa ditëve nga Athina. E lexova me një frymë dhe mbeta i prekur nga kuraja qytetare e mikut tim, që, nga një anë, denonconte hapur masakrën dhe, nga ana tjetër, kritikonte mefshtësinë dhe heshtjen e qeverisë greke, e cila u mjaftua vetëm me një komunikatë të thatë. Më tej ai do të zbulonte se pas kësaj masakre barbare qëndronte Serbia e Milosheviçit, e cila kërkonte dhe nxiste një konfrontim shqiptaro-grek, me synimin strategjik të Beogradit për të larë hesapet me Kosovën. “E gjitha kjo,-e mbyllte artikullin Aristidhi,-qelbet nga duhma e diabolikut Arkan, trimit të Milosheviçit dhe klikës së tij.”

Do të më prekte patosi me të cilin shprehej Aristidhi, madje nuk e prisja që prej atij njeriu aq të qetë e fjalëpak të shpërthente gjithë ai zjarr. Por ky ishte Aristidhi, që do ta njihja akoma më mirë më vonë, kur qe fjala për mbrojtjen e së vërtetës dhe të një çështjeje të drejtë. Në fakt, artikulli do të ishte vetëm prologu i angazhimit të tij për Kosovën, kur kujtoj se çfarë do të bënte ai pak vite më vonë. Në përgjigje të urimeve të mia për artikullin, Aristidhi më dërgoi fjalë me Spiron se po përgatitej për një betejë të madhe, pa më treguar se ç’ishte kjo betejë. Ishte kjo një enigmë fisnike, që unë nuk e ngava, sepse isha i bindur që një njeri i urtë e i mençur si ai dinte ç’bënte dhe nuk u gabova.

Nuk u gabova, pasi një vit më vonë (1995) Aristidhi botoi librin “Greqia në grackën e serbëve të Millosheviçit (1991-1994)”. Vepër e një historiani, shkruar nga pozitat e një politologu. Një analizë e thukët dhe realiste, ardhur në kohën e duhur, drejtuar opinionit grek, kur forcat ekstremiste greke kishin krijuar një atmosferë antishqiptare, që rezononte drejtpërdrejt dhe hapur me interesat serbe. Përmbajtjen e librit Aristidhi do të ma shprehte pak a shumë me këto fjalë: “Është një denoncim që i bëj politikës së jashtme greke, që, duke u joshur nga premtimet djallëzore serbe, besoi e beson se Millosheviçi e Karaxhiçi do ta zgjidhin çështjen e Maqedonisë. Në shpërblim të kësaj, qeveria dhe politika jonë jo vetëm u vunë krah Serbisë, por e ndihmuan në aventurën e saj kundër të tjerëve, sidomos kundër shqiptarëve. Kështu, ata u izoluan nga bota dhe, më e keqja në këtë mes, tronditën marrëdhëniet me Shqipërinë. Nisur më shumë nga motive fetare, nga solidariteti i krishterë, ata janë bashkuar me serbët dhe i kanë kthyer krahët shqiptarëve. Por historia ka provuar dhe jeta po tregon hilenë e serbëve dhe besën e shqiptarëve. Në libër sjell të dhëna të rëndësishme arkeologjike dhe historike, dokumente dhe burime serioze, që dëshmojnë për autoktoninë e shqiptarëve të Kosovës. Dua patjetër që libri të përkthehet sa më parë në shqip që ta lexojnë dhe shqiptarët kudo që janë.”

Por, me gjithë dëshirën dhe interesin e madh që kisha për librin e ri të Aristidhit, atë do ta lexoja vonë, sepse u desh kohë që të përkthehej e të botohej në gjuhën shqipe. Megjithatë, veç fjalëve që më kish dhënë Aristidhi, do të njihesha me përmbajtjen dhe problematikën e veprës përmes opinioneve të atyre që e kishin lexuar e, në radhë të parë, nga Spiroja. Më shumë se një vepër burrërore, ajo ishte një vetëtimë shkrepëtitëse për të shpërndarë mjegullnajën, që mbulonte të vërtetën e asaj që ndodhte në politikën greke. Dhe kjo u duk qartë në heshtjen, me të cilën u prit libri. Një heshtje totale e shtypit dhe e medias, një shpërfillje zyrtare e publike. Askush nuk do të merrte kurajo të shprehte qoftë edhe një fjalë për këtë vepër heretike. Deri dhe librarët, në shumicën dërmuese, do të refuzonin ta ekspozonin në raftet dhe vitrinat e tyre. Gjithë këtë situatë, siç më thonin, Aristidhi do ta përballonte qetësisht dhe denjësisht.

Atmosferën e rëndë që krijoi libri i Aristidhit, pjesërisht do ta përjetoja dhe unë drejtpërdrejt. Ishte një rastësi që verën e vitit 1995, kur ndodhte kjo gjë, u gjenda përsëri në Athinë. Bashkë me Spiron do të shkonim të takonim Aristidhin, apo Arin, siç e thërrisnin miqtë. Kësaj here takimi u bë jo në studion e tij, por në Panairin e Librit, që organizohej çdo vit në një nga zonat piktoreske të kryeqytetit. Atje Aristidhi kish ngritur tendën me libra të shtëpisë së tij botuese, që e kish pagëzuar me togfjalëshin e lashtë shqip “Thamiris”, që do të thotë “e tha mirë”. Ishte një gëzim i përbashkët, kur u rrokëm në qafë. Nuk di ta shpreh saktë se përse më emociononte çdo takim me Aristidhin. S’ishte vetëm buzëqeshja e tij aq e ëmbël, ajo mirësjellje aq e natyrshme, komunikimi aq njerëzor, por ai burrë rrezatonte fisnikëri, kulturë të brendshme, thjeshtësi prekëse. Gjithnjë i malluar dhe i përzemërt, me llullën në dorë, i hapur e i gatshëm për të biseduar. Gjëja e parë që bëri, më mori për krahu dhe më çoi te stendat e ngarkuara me libra. Libra të letërsisë dhe të kulturës arvanitase, ku zotëronin ato të vetat, por dhe të sivëllezërve të tij. Një stendë e veçantë ishte e tëra me kopje të librit të fundit “Greqia në grackën e serbëve të Millosheviçit (1991-1994)”. “Të lumtë!” i thashë dhe i hodha dorën në sup.Ai buzëqeshi, siç buzëqeshte vetëm Ari, me dritë dielli, dhe shtoi duke shqiptuar fjalët: “ Lëre se ç’bëhet këtu te ne. I trëmben librit dhe jam i detyruar ta shes vetë. Me qeverinë nuk bëj dot luftë, por të vërtetën e them dhe për këtë s’më ndalon dot njeri.” Dhe pastaj u çapitëm më tutje, ku vinte stenda e revistës “Besa”, që përçonte në publik zërin e arvanitasve. Më tej kalendarët e disa viteve, kasetat dhe videot me muzikë arvanitase. Më tha se shtëpia e tij botuese, brenda mundësive, do të botonte edhe letërsi shqipe dhe do të niste me “Historinë e Skënderbeut” të Fan Nolit.

Panairi, të cilin e vizitova rrufeshëm tok me Aristidhin, ishte shumë i madh, një festë e librit, i pasur dhe i hijshëm. Më erdhi keq që, duke mos e ditur greqishten, nuk pata mundësi të njihesha me tërë atë begati letrare, artistike, shkencore e kulturore. Kur u kthyem, pata ndjesinë sikur tenda e Aristidhit ishte një ishull tepër i vockël në detin e kulturës helene. Por kjo gjendje më kaloi shpejt, kur u ktheva para tendës dhe gjeta një grup intelektualësh emigrantë, që na prisnin. U takuam me mall dhe s’dinim ç’të flisnim më parë. Ishin kryesisht letrarë e gazetarë, një pjesë të madhe të të cilëve i njihja, si Robert Goro, Kolec Traboini, Stefan Martiko, Albert Zholi, Agim Pepa, që kishin ardhur të nderonin e mbështesnin mikun dhe atin e tyre shpirtëror. Aristidhi, ndonëse s’kishte ndonjë diferencë të madhe moshe me ta, i quante “djemtë” në shenjë dashurie dhe afërsie vëllazërore. Dhe këtë e ndjeva qartë atë ditë kur u ulëm e u shtruam në muhabet, tek dëgjonim përqark muzikë arvanitase dhe flisnim në gjuhën e përbashkët. U krijua kështu në mes të panairit një kënd arbëror, që na ngazëlloi të gjithëve e, në radhë të parë, Aristidhin. Ata do të më tregonin gjithë nostalgji njohjen dhe fillimet e bashkëpunimit me Arin. Ai u ishte gjendur pranë në ditë të vështira, i kish ndihmuar e orientuar, u qe bërë mik për kokë, duke u kthyer, siç thoshin ata, në avokat dhe mecen i intelektualëve shqiptarë në dhe të huaj. Aristidhi, fisnik e modest, tek dëgjonte “djemtë”, që thoshin fjalë të mira për të, ndjehej ngushtë. Gjithnjë me gaz në buzë dhe pa shumë fjalë, por unë që e njihja tanimë, ia lexoja mendimet. E dija se, ajo ç’kish bërë ai për vëllezërit e një gjuhe, kishte qenë një detyrim shpirtëror. Kushtrimi i të parëve gjallonte brenda tij. Këshilla e parë që u kish dhënë “djemve”, ishte të mbanin kokën lart, të ruanin dinjitetin, të mos druanin të flisnin me zë të lartë gjuhën e mëmës. Është gjuha e Skënderbeut, e Marko Boçarit dhe e Bubulinës. Por më shumë se këshilla, Ari do t’i ndihmonte e mbështeste në hallet dhe problemet e vështira, me të cilat ata ndesheshin. Do të çmonte dhe inkurajonte aftësitë dhe dhuntitë e tyre. “Jam habitur dhe prekur nga talentet e djemve dhe vajzave shqiptare këtu,-do të më thoshte. –Edhe pse në dhe të huaj, ata kanë shpërthyer në letërsi, në teatër, në muzikë, në balet, në artet figurative, në kinematografi.” Ai do t’i nxiste për të nxjerrë gazeta shqip, për të botuar libra, për të hapur ekspozita, për të dhënë koncerte. Zyra e tij u bë shtëpia e tyre, dera gjithnjë e hapur ku hynin e dilnin “djemtë”, që me punën e tyre nderonin para publikut emrin e shqiptarit. Ari do të ishte nga frymëzuesit e mitingjeve dhe të demonstratave të emigrantëve për të drejtat e tyre qytetare. Jo më kot atë do ta quanin “engjëlli mbrojtës i shqiptarëve”. Për gjithë ç’kish bërë Ari për ta, do të flisnin e do t’i evokonin me nostalgji atë ditë. Por edhe ai, që rrinte e dëgjonte me buze në gaz, duke thithur llullën, nuk do të qëndronte indiferent. “Po pse nuk thoni, -theu heshtjen Aristidhi,-se si më kini ndihmuar ju mua! Kur erdhët ju, “Besa” kish falimentuar dhe qemë gati ta mbyllnim. S’kishim para, por ishit ju që hoqët nga buka e fëmijëve dhe e bëtë “Besën” të mbahet në këmbë. A nuk jeni ju, që kini krijuar klimën dhe për ne arvanitasit, që kishim rënë në gjumë? Jemi bashkuar e gjallëruar për të treguar se kemi në gjak jo vetëm krenarinë e trimërinë, por dhe qytetërimin, një qytetërim tonin. Ne këtu tani me këtë zgjim nuk jemi më pakicë, por shumicë. Kjo s’do të thotë aspak kundërvënie. Shqiptarë e grekë janë vëllezër, vijnë nga një rrënjë e përbashkët, nga rrënjë pellazgjike.”

Aristidhi dinte se ç’thoshte. Ishte i qartë, i bindur në atë që thoshte, pa kurrfarë kompleksi, që të ngjallte respekt dhe besim. Njeri dhe intelektual mendjehapur, që më shumë se kohës sonë i takonte të ardhmes, po të mbaje parasysh atmosferën e ngarkuar e të rënduar të shoqërisë greke, plot paragjykime, mendime anakronike, ëndrra byzantine, prirje të mbrapshta.

Atë ditë në Panair, pasi ikën “djemtë”, erdhi një burrë i vjetër me kapele republike e me bastun dhe, pasi u përqafua me Aristidhin, m’u prezantua me emrin Jorgo Zografi. Ky ishte stërnipi i Koto Hoxhit, rilindasit të njohur, që në kohën e tij kish përhapur e propaganduar shkrimin shqip. Jorgoja ishte mik i hershëm i Aristidhit dhe punonin tok për një çështje të përbashkët. Ai kish ardhur, me sa kuptova, për të nderuar stendën arvanitase, të hapur në Panairin Kombëtar. “Këtë e kemi dhuratë nga Ari,-më tha,-si sa e sa dhurata që ai na jep herë pas here.”

Ditët e qëndrimit tim në Athinë Aristidhi do të gjente kohë të më takonte e të më shoqëronte. Në radhë të parë, do të më çonte në Plakë, lagjen e njohur arvanitase, ngritur mu në zemër të kryeqytetit helen. “Këtu flasim në gjuhën tënë”, më tha, kur zumë të shkelim nëpër udhët e saj të kalldrëmta. Dhe vërtetë, nuk vonoi të dëgjoja përshëndetjet e para në shqip. Aristidhi ishte i njohur në Plakë. Burra e gra, sidomos pleq, do t’i afroheshin e do ta takonin ose do t’ia bënin me dorë tek kalonin nga pragu i portave të oborreve me avlli, apo dhe nga dyert e dyqaneve. E takonin me gëzim, të përmalluar e gjithë respekt, siç edhe e përgëzonin për punët e mira që bënte. E falenderonin për librin e tij “Arvanitët”, që dikush e quajti “bibla e jonë, ku dhjavasim për rrënjët tona.” I përmendnin revistën “Besa”, shkrimet e saj, me të cilën ai dhe shokët e tij mbanin lidhje me komunitetin e tyre. Dhe Aristidhi, gjithnjë i afërt e buzagaz, i dëgjonte, i falenderonte a i përgëzonte, ndërsa nuk harronte të më prezantonte mua. Dhe atëherë atmosfera bëhej akoma më e ngrohtë. Ne kalonim mes dyqaneve dhe shtëpive të ulëta, që vetëtinin nga muret e bardha, të hijeshuara nga lulet, rrethuar me kangjella karakteristike. Do të na ndalnin para ndonjë porte, ku qëndronin pleq apo plaka, me duar të kryqëzuara në prehër ose duke tymosur duhan. Një plakë na dha një tufë me borzilok, kurse një tjetër na ftoi brenda e na gostiti me gliko. Nuk dinin si të na gëzonin. “Ne fjasëm gjuhën e zogjve, jeto,-më tha një plakë,-është e bukur shumë gjuhë. Dhe zotrote kështu kuvendon.” Unë ndjehesha i emocionuar. Më prekte sidomos shqipja e tyre, që më dukej sikur bartte një mall të largët dhe kish ngrohtësinë e intimitetit familjar. Po ndërkaq, më bënte përshtypje pritja vëllazërore, veçanërisht nderimi i veçantë që kishin për Aristidhin, pesha e autoritetit të tij, larg çdo qëndrimi zyrtar. Ishte besimi i vetvetishëm që ai gëzonte tek këta njerëz, të cilin e dalloja në mënyrën se si i flisnin, si e vështronin, si e rroknin në qafë, shoqëruar me fjalë të ngrohta mirënjohjeje dhe falenderimi. Jo rastësisht ai qëndronte prej vitesh në krye të “Lidhjes së arvanitasve të Greqisë”. Por më shumë se posti zyrtar që mbante, ishin studimet që kish bërë, veprat që kish botuar, aksionet kulturore e politike që kish ndërmarrë e ndërmerrte sa herë e lypte interesi i arvanitasve.

Nuk më hiqet nga mendja imazhi piktoresk që mora me vete atë ditë: shtëpitë karakteristike të Plakës, që rrinin mbledhur nën hijen mitike të Akropolit të lashtë. Dhe mendoja i përhumbur: si është pleksur kështu kjo histori e shqiptarëve?! Edhe në mes të Athinës ka hedhur rrënjë! Nuk di se si ia thashë pastaj këto fjalë me zë të lartë Aristidhit tek morëm të ktheheshim nga kishim ardhur. Ai më vështroi i menduar dhe më foli si të psherëtinte:”Eh, është historia jonë kokëfortë, si kokat tona, një farë që ka mbirë dhe në shkëmbinjtë e Akropolit. Një e vërtetë që, duan s’duan të tjerët, qëndron në këmbë. Ajo vjen drejt nga historia. Sepse ishte një kohë kur Athina popullohej më shumë nga arvanitas sesa nga grekë, se këtu flitej më shumë shqip se greqisht, Dhe Plaka, si një shkëmb arkeologjik, është nga dëshmitë e rrënjëve tona në këtë vend, që na ka mirëpritur nëpër shekuj dhe ne nuk jemi treguar bukëshkalë, po përkundrazi, me gjakun dhe djersën tonë ua kemi shpërblyer. Ka qenë mençuria e urtësia jonë, besa dhe trimëria që na ka mbajtur e na ka bërë të mbijetojmë. Në qoftë se kemi jetuar në vëllazëri me grekët, këtë e kemi merituar. Nuk na i kanë dhënë sandaka. Bashkëjetesa dhe historia jonë kanë qenë dhe kanë mbetur të ndershme. Mjafton të kujtojmë Revolucionin e Njëzetenjëshit. Nga njëqind heronj të Greqisë, nëntëdhjetë janë arvanitas. Mbi gjakun e tyre, po dhe të paraardhësve dhe pasardhësve të tyre, Plaka dhe sa e sa fshatra arbërore hodhën rrënjë. S’po shkojmë më tutje. Po ja që ka plot që nuk duan ta pranojnë këtë realitet historik, por dhe realitetin e jetës së arvanitasve në atdheun që tanimë ata kanë adaptuar me dashjen e tyre. Studiuesit arvanitas, por dhe të huajt, deri dhe grekë, e kanë pasqyruar e trajtuar gjithë këtë të vërtetë. Këtë kam bërë edhe unë në studimet e mia. Dhe jo me fjalë e fantazira, por me fakte, me dokumente, me burime shkencore. Deri shqiptarët myslimanë kanë luftuar për lirinë e Greqisë. S’ka si ta harrojë historia ç’kanë bërë Tahir Abazi ,Ago Vashari, Cengua me shokë. As faktin që ishte Ali Pashai ai që përgatiti terrenin dhe i hapi rrugën epopesë së Njëzetenjëshit. Edhe ne brezat e sotëm arvanitas prapë ecim në gjurmët e të parëve tanë. Jemi padyshim qytetarë grekë, jetojmë e punojmë pa hilera, por nuk harrojmë identitetin tonë, bile mburremi me këtë. Lidhja që kemi ngritur, këtij qëllimi fisnik i shërben dhe opinioni i shëndoshë grek na mirëkupton, paçka se ka dhe nga ata që na shohin shtrembër ose na luftojnë.”

Këto mendime të Aristidhit kujtoj nga ajo ditë kur po largoheshim nga rrugët e kalldrëmta të “Plakës”.

Të nesërmen pasdite erdhi rishtazi e më mori, por kësaj here me makinë, dhe shkuam në Likavito. Është ajo kodra e bukur, që e kisha parë kushedi sa herë nga larg, por nuk kisha shkuar kurrë. Kur u ngjitëm lart, para meje do të shtrihej si në pëllëmbë të dorës Athina, e ndezur nga ngjyrat e përflakura të perëndimit të diellit. Një bukuri e pashoqe, që do ta sodisja nga veranda e një lokali ngritur buzë greminës. Aristidhi thithte llullën në heshtje dhe i gëzohej emocioneve të mia duke më vështruar me sytë e tij të qeshur. Ndërkaq, dalëngadalë zuri të bjerë mbrëmja dhe përtej, poshtë nesh, Athina filloi të xixëllonte nga dritat. Një pamje që më magjepsi e më bëri të heshtja për një kohë, deri sa dëgjova që Aristidhi më tha: “Nuk e di, po më habit ky gjaku inë. Jemi gjithë energji e vitalitet. Trima po se po, por dhe me shpirt të ndjerë. E duam të bukurën, të mirën dhe jo vetëm e duam, por dhe e kultivojmë. Shoh emigrantët tanë, që na kanë ardhur nga Shqipëria. Megjithë hallet e jetës që kanë këtu në dhe të huaj, edhe pse një pjesë nuk na bëjnë nder me prapshtitë e tyre, prapë kanë manifestuar vlera të çmuara. Tregojnë një shpirt artistik të pashoq, duke i hapur vend vetes në shoqërinë greke. Dhe kjo s’është gjë e re. Ky gjak rrjedh në historinë e artit e të kulturës helene prej shekujsh, paçka se një pjesë e fshehin ose ua fshehin emrin. S’po shkoj më tej. Le të kujtojmë ata që janë gjallë. Ja, bie fjala, poetin nobelist Odise Elitisin apo aktoren e madhe Melina Mërkurin. E vërteta është se me grekët kemi jo pak përngjasime e afinitete shpirtërore, mentalitet herë-herë të njëjtë. E këto rrjedhin jo vetëm nga fqinjësia mijëravjeçare, por edhe nga prejardhja e përbashkët pellazgjike. Këto problem e kam shtruar dhe jam përpjekur ta argumentoj në librin tim “Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve”. Pati goxha interes, sidomos te arvanitasit, por pati dhe nga grekët kundërshtime, deri dhe shpërfillje e fyerje. Nuk u erdhi mirë, por faji s’është i yni, është i historisë. Dhe me historinë ata ç’nuk kanë bërë për ta shtrembëruar e falsifikuar. Por ne prapë shohim punën tonë. Urtësia na këshillon durim, gjakftohtësi, besim te e vërteta. Kjo, sado të turbullohet, vjen një ditë që del në shesh.”

Atë natë Aristidhi kish sjellë me vete dhe një shishe me raki nga Shqipëria, që ia kish dhuruar një emigrant gati i panjohur. Dhe me atë raki ne do të toknim gotat dhe do të vijonim të bisedonim,ashtu shtruar dhe me sinqeritet vëllazëror. Por fjala, ngado që shkonte, kthehej te temat aq të dashura e të preferuara për Aristidhin. Te historia, te gjuha, te psikologjia, te jeta zakonore e arvanitasve. Nga kjo pikëpamje ai ishte një enciklopedi e tërë, që të bënte për vete, veç të kishe dëshirë e durim ta dëgjoje. Por erdhi një moment, që më zbuloi një pasion të hershëm të tij, të panjohur për mua. Gazeta Dita

SHKARKO APP