Kura 100-vjeçare që mund të shërojë pacientët me COVID-19, mjekët tregojnë si funksionon
Mjekët në shumë shtete po përdorimin e terapisë me plazmë për të kuruar pacientët e COVID-19, një metodë që është përdorur prej 100 vitesh.
Kura bëhet duke marrë plazmë nga gjaku i të mbijetuarve dhe duke e injektuar në atë të pacientëve të sëmurë.
Ata që shërohen nga sëmundja, e kanë gjakun plot me antitrupa që janë krijuar nga sistemi imunitar për të luftuar sëmundjen.
Mjekët shpresojnë se pacientët e sëmurë mund të përmirësohen më shpejt nëse u injektohet plazma e atyre që janë shëruar.
Sa funksionon?
Në Kinë është provuar me disa pacientë dhe janë përmirësuar, por shkencëtarët mendojnë se këto të dhëna nuk mjaftojnë për të arritur në përfundimin se funksionon.
Për këtë arsye, qendra të ndryshme kërkimesh nëpër botë po përpiqen të vërtetojnë nëse trajtimi është i saktë.
Terapia me plazmën ka nisur që në vitet 1890 dhe ka ndihmuar për mposhtjen e sëmundjeve infektive si fruthi, shytat dhe gripi, sipas Craig Devoe, Prof.As. te Instituti Feinstein në SHBA, që po merret me këto testime.
Megjithatë, presidenti i Aleancës Europiane të Gjakut, Pierre Tiberhien, tha për Euronews se edhe pse kjo metodë ka rezultuar pozitive në të shkuarën, nuk kanë mjaftueshëm prova për të vërtetuar se ka funksionuar më mirë se me pacientët që s’e kanë marrë këtë trajtim.
Në Europë po bëhen gjithashtu prova dhe Komisioni Europian, në bashkëpunim me Aleancën Europiane të Gjakut, po mbledhin të dhënat e pacientëve që kanë dhuruar gjak, dhe të pacientëve që e kanë marrë si trajtim, për të parë nëse përbën ndryshim.
Ka rreziqe dhe a shërben si vaksinë?
E mira e kësaj metode është se mund të gjendet lehtë. Sapo dikush shërohet, i ka antitrupat në gjak. Por injektimi i plazmës përbën rreziqe për disa njerëz, të cilët reagojnë në mënyra të ndryshme ndaj antitrupave që vijnë nga një person i huaj.
Edhe pse metoda mund të shërbejë për t’i shëruar sa më shpejt ata që janë sëmurë, nuk shërben dot si vaksinë. Vaksina nuk mund të zhvillohet përpara vitit 2021.