Kurora e “Miss Globe” shkon në Kanada / Miss Shqipëria, Shoqëruese e Parë e Miss Globe

 

Ndërkaq, juria e përbërë nga Lorenc Luka, Fatmir Gjeka, Julinda Dhame, Ylli Ndroqi, Bianca Paduraru (Miss Globe 2013), Miki Cernokrak, drejtori nacional i Maqedonisë, Danillo da Villa, i Brazilit, Mia Ana Sanra Pilar e Kanadasë dhe Rajne Klein Maurer e Francës, (drejtorët nacionalë të vendeve përfaqësuese që vendosin mes tyre me shorte se cilët do të jenë anëtarët e jurisë), ka votuar për shoqëruesen e Dytë të Miss-it, bukuroshen kolumbiane, Maria Cristina Vergara Navarro. Shoqëruesja e Tretë e Miss Globe u shpall Zania Linton e Trinidad Tobago dhe Shoqëruesja e Katërt, Kinezja, Wu Zhen.

 

Ky ishte momenti magjik i një spektakli që për rreth tri orë dhuroi surpriza dhe emocione në kryeqendrën e veriut të Shqipërisë. Jo rastësisht u zgjodh ky qytet për këtë edicion të 41-të të Miss Globe. Në konferencën e parë për shtyp, producenti Petri Bozo pati deklaruar se ky ishte si një detyrim persional që ndiente ndaj Shkodrës, ndaj këtë edicion, i fundit që do të zhvillohet në Shqipëri, do të organizohej në Shkodër.

 

Kështu skenës madhështore të ndriçuar me mjeshtëri nga Franco Ferrari, ia kanë shtuar bukurinë dhe emocionet konkurentet e këtij viti të ardhura nga të pesë kontinentet. Ethet e finales kanë përcjellë tek publiku emocionet e garës, pa përmendur edhe të ftuarit e shumtë që janë ngjitur duke i dhënë tjetër atmosferë spektaklit. Artistë, miq të “Deliart Association”, si Rovena Dilo, Eranda Libohova, Aleksandër Gjoka, Redon Makashi, Bujar Qamili kane interpretuar këngë të zgjedhura, ndërkohë që emocion ka shkaktuar edhe interpretimi i vetë vajzave konkurente, të talentuara në muzikë.

Vajzat konkurente kanë performuar në katër sfilata e përveç asaj me kostume popullore të vendeve të tyre, ato janë prezantuar edhe me veshjet e stilistes Anila Konomi, me veshje mbrëmje dhe bikini. Dhjetë më të mirat kanë nusëruar me fustanet e Geraldina Sposa. Surprizë e së shtunës së 8 nëntorit është quajtur edhe prezantimi i këtij spektakli nga Orinda Huta dhe Blendi Salaj. Cifti është kombinuar bukur dhe Blendi, në një moment të spektaklit ka thënë se me Orindën janë të njohur të vjetër, qysh kur ajo ishte një vogëlueshe vetëm 9 vjeçare. Ndoshta për këtë arsye prezantimi i tyre i dha tjetër hijeshi rrjedhshmërisë dhe ritmit të spektaklit.

Kështu përfundoi edicioni i këtij viti i Miss Globe, i cili mblodhi në Shqipëri 40 miss-e nga të pesë kontinentet e botës. Pasi kanë parë dhe shijuar bregun shqiptar, Vlorën me historinë e saj, Gjirin e Karaburunit, Llogaranë, malin e Pilurit me me xhip safari, Radhima, gjatë turit turistik nëpër Shqipëri, grupi I bukurosheve, ka ndalur në Pukë dhe vendet e saj turistike. Më pas autobusi i konkurrenteve ka ndalur në Ulqin. Atje vajzat janë pritur nga kryetari i Bashkisë së Ulqinit dhe në ceremoninë e organizuar me këtë rast, secila prej pjesëmarrësve i ka dhënë nga një dhuratë simbolike kreut të qytetit. Në Ulqin gjithashtu, mbrëmjen e së dielës është organizuar edhe finalja e “Miss Talent show”, pjesë e formulës së spektaklit, në të cilin secila prej vajzave konkurrente garon me një talent të sajin. Pas minikompeticioneve të organizuar në Vlorë dhe Pukë, në finalen e Ulqinit, te prezantuar nga Kristi Ziçishti, votat më të shumta i ka fituar përfaqësuesja siberiane, Anna Sopkalova. Ajo ka konkurruar me kërcim, ka interpretuar Brulesque dhe pas paradës me pesë kostume kombëtare nga vendi i saj është votuar si më e mira. Kështu “Miss Globe” ka dhënë kurorën e parë për këtë vit.

SHKARKO APP