Kursi i euros po stabilizohet – Leku fitoi sërish terren të premten

Kursi i euros e mbylli javën me një tendencë të mëtejshme drejt stabilizimit. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, të premten euro u këmbye me 126.54 lekë, në rënie me më shumë se një lekë nga dita enjte. Krahasuar me ditën e hënë, kur kursi i euros kishte arritur nivelin më të lartë të dy viteve të fundit, leku ka rifituar 4.5 pikë.

Pas shpërthimit të krizës së COVID 19, euro nisi një mbiçmim të shpejtë, duke fituar rreth 7% në dy javë kundrejt lekut. Ky forcim u shpjegua nga ekspertët me mbylljen e ekonomisë dhe me ndërprerjen e prurjeve valutore hyrëse. Nga ana tjetër, nevoja e lartë për mallra konsumi dhe urdhri i qeverisë për të krijuar rezerva për tre muaj solli një kërkesë të lartë për blerje valute nga importuesit. Kësaj koniunkture, në një moment të caktuar, besohet se iu mbivendos edhe faktori psikologjik. Rritja e shpejtë e euros krijoi pritshmëri për një mbiçmim të mëtejshëm, duke ndikuar kështu sjelljen e agjentëve të tregut.

Megjithatë, rritja e euros u frenua papritur ditën e martë. Gjithashtu, rritja e kursit në nivelin më të lartë në dy vjet mund të ketë shtyrë shumë individë edhe subjekte të shesin, duke e përmirësuar ofertën e euros në tregun valutor.

Ekspertët presin që në vazhdim tregu të jetë më i qetë dhe nuk priten luhatje të krahasueshme me ato të javës së kaluar. Ulja e prurjeve valutore hyrëse pritet të balancohet nga një kërkesë e brendshme më e dobët, për shkak se shumë familje dhe biznese do të pësojnë rënie drastike të të ardhurave gjatë periudhës së kufizimeve. Gjithsesi, ekonomia ka rezerva të konsiderueshme në euro, që mundësojnë përballimin e nevojave afatshkurtra. Rezerva valutore e bankës së Shqipërisë në fund të shkurtit ishte mbi 3.3 miliardë eurove, ndërsa bankat zotërojnë depozita në monedhën europiane në vlerën e 4.5 miliardë eurove./ SCAN

SHKARKO APP