Kursimi, edhe më i euroizuar – Depozitat i janë kthyer rritjes, por vetëm në monedhën europiane

Ekonomia shqiptare duket se po e rrit sërish aftësinë për të krijuar kursime. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të qershorit totali i depozitave të bizneseve dhe familjeve shqiptare kishte vlerën e 994 miliardë lekëve, në rritje me 2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Pas vitit 2015, rritja e depozitave pothuajse ishte stopuar, për shkak të uljes së normave të interesit, kërkimit për forma investimi më fitimprurës dhe rritjes së shpenzimeve për konsum privat në ekonomi.  Së fundmi, rritja e depozitave është sërish në fazë rritjeje, e mbështetur në masën dërrmuese tek ato në valutë. Me gjithë përpjekjet për të ulur nivelin e euroizimit dhe nënçmimin e monedhës europiane në kursin e këmbimit me lekun, sërish ajo vazhdon të jetë zgjedhja e parë e shqiptarëve për mbajtjen e kursimeve. Në mesin e këtij viti, depozitat në valutë kishin vlerën ekuivalente të 535 miliardë lekëve, në rritje me 22 miliardë lekë krahasuar me një vit më parë. Ato përbëjnë afro 54% të depozitave totale të publikut në Shqipëri.

Ndërkohë, depozitat në lekë kanë ngelur praktikisht në të njëjtat nivele me një vit më parë. Një shpjegim pse depozitat po rriten vetëm në valutë mund të jetë edhe alternativat e pakta të investimit në monedhën europiane. Shumë shqiptarë i kanë investuar kursimet në lekë në fonde investimi, pensionesh apo edhe direkt në bono dhe obligacione të qeverisë shqiptare. Për euron, hapësirat janë më të pakta dhe kthimet nga investimi gjithsesi më të ulëta. Kjo ndoshta bën që përgjithësisht kursimet në euro të mbahen në banka. Rritja e depozitave në euro vazhdon të jetë e përqendruar sidomos te individët./ SCAN

SHKARKO APP