Kush janë fituesit e Çmimeve Kombëtare Letrare 2013
Në ceremoninë e dhënies së këtyre çmimeve mori pjesë Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro dhe të ftuar të tjerë si shkrimtarë, botues dhe përfaqësues të shtëpive botuese. Çmimi për veprën më të mirë letrare për vitin 2013 e mori Thanas Medi me veprën e tij “Fjala e fundit e Sokrat Bubës”.
Thanas Medi në fjalën e tij u shpreh se: “Jam përpjekur që me veprën time të sjell diçka të veçantë që lexuesit ta njohin dhe ta pëlqejnë atë dhe jam shumë i gëzuar që nderohem me një çmim të tillë. Gjithashtu shpreh falënderimet për jurinë, ministrinë dhe lexuesit që më kanë vlerësuar ”.
Ndërsa çmimi për përkthimin më të mirë letrarë për vitin 2013 e mori vepra “Orlandi i Çmendun” , i Guljem Dedës (botim i ISKK-së) , i cili i ka kushtuar plot 17 vjet kësaj vepre.
Ministrja Kumbaro në fjalën e saj u shpreh se: “Para se të përgatisja fjalimin tim lexova rastësisht fjalën e fituesit të Çmimit Nobel për letërsinë Patrick Modiano, të mbajtur në ceremoninë e dhënies së çmimeve ku foli 44 minuta në një fjalim të rrallë dhe me shumë vlera. Më kanë mbetur 2 momente në memorie, ku Modiano thotë “mos na kërkoni ne shkrimtarëve të flasim”.
Ministrja Kumbaro theksoi se Ministria që ajo drejton i ka dhënë rendësi këtij evenimenti sepse letërsia ka nevojë të nxitet, krijimtaria ka nevojë të mbështetet dhe krijuesit duhen falënderuar dhe nderuar nga ne të gjithë.
ÇMIMET
Dy janë çmimet e shpallura nga Ministria e kulturës për vitin 2013 :
1.Çmimi i ‘Veprës më të mirë letrare për vitin 2013’ me vlerën 500 000 Lekë
2.Çmimi i ‘Veprës më të mirë të përkthyer për vitin 2013’ me vlerë 300 000 Lekë
JURIA e përbërë nga Brikena Çabej, Saverina Pasho, Rita Petro, Ridvan Dibra, Ben Andoni, emra të njohur të botës akademike, të botimeve, të gazetarisë dhe të botës së përkthimit, e ka nisur procesin e shqyrtimit të veprave që në fillim të muajit qershor të vitit 2014. Janë lexuar dhe është debatuar në juri për të gjitha zhanret letrare në fokus – tregimi, romani, poezia, novela, sikundër edhe prurjet më të rëndësishme në përkthimin letrar.
VEPRA LETRARE NË NJË VIT
Afro 450 vepra në prozë dhe poezi si dhe vepra të përkthyera në prozë dhe poezi janë veprat e vitit 2013 të shqyrtuara nga juria. Ministria e Kulturës beson se ka një detyrë dhe mision për të dhënë kontributin e saj në nxitjen por edhe vlerësimin e vet të përvitshëm të arritjeve më të rëndësishme letrare dhe përkthimore në vend. Mekanizmi i çmimeve letrare mbetet një nxitës dhe vlerësues i pamohueshëm, për më tepër në një vend si yni ku tregu i librit është modest krahasimisht me atë të vendeve të tjera evropiane dhe nga ana tjetër, ende shkëmbimet letrare me këto vende duhen të intensifikohen në dobi të cilësisë artistike dhe bashkëkohësisë së të menduarit artistik.
TË NOMINUARIT PËR PËRKTHIMIN MË TË MIRË:
ARBEN Dedja- William Blake “Këngët e pafajësisë dhe të përvojës” poezi të zgjedhura
ALKET ÇANI – Saint John Perse, “Poezi të zgjedhura”
ILJAZ SPAHIU – Mo Yan “Bretkosa” , roman
GULJELM DEDA – Ludovico Ariosto, “Orlando i çmendur” , poemë (në dy vëllime)
SOKOL ZEKAJ – Yves Bonnefoy , “Poezi të zgjedhura”
Fitues: Guljelm Deda
MOTIVACIONI PËR PËRKTHIMIN MË TË MIRË 2013
Çmimi i madh kombëtar për përkthimin më të mirë letar të vitit 2013 i jepet Guljelm Dedës për sjelljen në shqip të kryeveprës epike ‘Orlandi i çmendur’ me një përkthim të papërsëritshëm që ruan bukurinë e fjalës, ritmin, harmoninë dhe elegancën e vargut në një regjistër të epërm të gegërishtes.
TË NOMINUARIT NË LETËRSINË SHQIPE:
ALBANA SHALA – “Ngarkesa e fëmijës”- tregime
AZEM QAZIMI i- “Për dhuntinë e mahnitjes” -poezi
FLUTURA AÇKA – “Kukullat nuk kanë atdhe”- roman
SHKËLQIM ÇELA – “Ishulli Ruzvelt” – dy novela
THANAS MEDI- “Fjala e fundit e Sokrat Bubës” – roman
Fitues: Thanas Medi
MOTIVACIONI PËR VEPRËN MË TË MIRË 2013
Çmimi i madh Kombëtar për librin më të mirë të vitit 2013, i jepet Z. Thanas Medi me romanin "Fjala e fundit e Sokrat Bubës" për arritjen e një niveli të lartë në ndërthurjen kompozicionale në veprën e tij dhe krijimin e personazheve që e mbajnë subjektin e tendosur deri në fund drejt një epilogu befasues.