Kush na e rrënoi dinjitetin!

Nga Zef Bushati

Po mund të jesh i varfër. Mund të jesh shumë i varfër por jeton me dinjitet. Mund të jesh dhe inxhinier, agronom, artist, ekonomist por përsëri je i varfër. E megjithatë të tjerët kanë respekt për ty, të vlerësojnë dhe të nderojnë. Mund të kesh shumë para, mund të jesh i pasur, mund të jesh biznesmen, ministër, deputet, drejtor, etj je i korruptuar, të mungon karakteri, dinjiteti. Të tjerët të nëpërkëmbin, të përçmojnë, nuk kanë respekt për ty, të përbuzin, të quajnë mashtrues, drogaxhi, kriminel, i korruptuar, gënjeshtar, i pabesë. Të tjerët të largohen, nuk dëshirojnë të flasin me ty, duan që ti të dënohesh, të futesh në burg. More legenë, palaco, nuk e kuptoni ende arsyen? Mendoni se jeni njerëz korrekt? Kujtoni se njerëzit nuk ju njohin? Kujtoni se njerëzit nuk e dinë sesi i keni fituar miliona euro?

Njerëzit ju urrejnë, ata mezi presin që të dënoheni, ata mezi presin që t’iu shikojnë në burg. Njerëzit revoltohen me ju sa herë që kapen 3 ton kanabis në brigjet e Italisë, Greqisë, në portin e Durrësit e Vlorës, në qytetet e Shqipërisë. Qytetarët nervozohen me vehten e turfullojnë pa zë, sa shumë kanabis paska pas Shqiperia, sa shumë drogë nuk mbaron kurrë?

Pak më vonë dëgjojnë në TV se një tjetër të thotë që do arrestohen ish-deputetë për korrupsion, se pritet të arrestohen zyrtarë të lartë për korrupsion, ka prokurorë e gjykatës të korruptuar, ka deputetë që kanë vjedhur vota, ministra e ish-ministra që do arrestohen për korrupsion dhe bashkëpuntorë me krimin dhe qytetarët përsëri nervozohen se nuk besojnë se janë të zhgënjyer. Përsëri takon një tjetër që të tregon se një djalë 10-vjeçar vrau me thikë vëllain e tij 13-vjeçar, se një burrë vrau gruan për prostitucion, se një makinë shtypi një plak që kalonte rrugën, një nënë me fëmijë e përplasi një veturë, se në aksident vdiqën tre vetë, se njëri qëllonte me armë, se tjetri bëri luftë me policinë, se kriminaliteti po bën namin. Krimi organizuar drejton shtetin, se politikanët janë të lidhur me kriminelët, se kryeministri, se ministri, se kreu i opozitës,…se…se. Shqiptarët po ikin nga Shqipëria, se Shqipëria po popullohet me refugjatë që vinë nga Afrika dhe Azia, se Shqipëria do bëhet shtet multi etnik dhe shqiptarët do jenë minorancë në shtetin e tyre se na ikën infermierët, mjeket, se kush do na i vizitojë fëmijët dhe pleqtë kur të sëmurën, se varfëria po bën kërdinë, se mjaft-mjaft se qytetarët nuk po durojnë dot?

Si ju duket vetja? Se jeni të pasur, se keni para shumë dhe jeni të fortë e nuk keni frikë?. Se nuk ju bën përshtypje që jeni pa moral, pa karakter, pa dinjitet? Se mjafton të keni para? Po atëherë pse kërkoni të largoheni nga Shqipëria? Se keni frikë? Se nuk duroni dot? Kërkoni të ruani pasurinë? Edhe në vrimën e miut po të fshiheni do ju gjejnë. E dini pse? Se keni bërë shumë mëkate kundër qytetarëve të këtij shteti. Se ja keni rrënuar dinjitetin qytetarëve shqiptare, se i shkatërruat jetën me takstat, tatimet dhe “Gjobat Marramendëse”. Po, po, sa dalin në rrugë gjobat i ndjekin nga pas, sa shkojnë në punë gjobat i gjejnë mbi tavolinë, sa shkojnë në kafenë i presin gjobëvënësit që kërkojnë para, po çmendem qytetarët, nuk durojnë dot më. Janë bërë si budallenj. Miqtë e mi, qytetarë të ndershëm të shtetit tonë, ruajeni karakterin, ndershmerinë, dinjitetin. Dikush më thotë: “Çfarë dinjiteti më kërkon të ruaj, unë mezi po ruaj mendjen”. Po mirë more mik, a e di se kush e ka fajin, a e di se kush ta rrënoi dinjitetin? Vetvetja. Se hesht dhe nuk flet, se rri në kafe e nuk proteston, se lejon qeverinë dhe politikën qe ta rrënojë gjithçka deri edhe dinjitetin. Prandaj duhet të ngrihesh në një opozitë të re, të ndershme, të pakorruptuar, pa lidhje me krimin dhe kontrabandën e drogës e prostitucionin, të ngrihesh kundër padrejtësisë dhe poshtërsisë që të shpëtosh të ardhmen e fëmijëve të tu dhe vendin tonë.

SHKARKO APP