Kush po i vret vajzat nga Kavaja e gjithë Shqipëria?

Nga Eni Feruli

Tre ditët e jetëgjatësisë së çudisë kaluan, por vajza e Kavajës është ende në qendër të vëmendjes. Me foto, me video, me zë, me citime, ajo është bërë pjesë e menusë së përnatëshme shqiptare, që në raste të tilla thotë: shyqyr sepse ka edhe më keq se ne! Dhe tek viktima e rradhës së goditur nga skandali, vazhdojnë të derdhen të gjitha ankimet dhe frustrimet individuale. Nuk të ka ecur në dashurinë e rradhës? Ajo e Kavajës është k…rvë! Bashkëshorti vazhdon të jetë pa punë? Ajo e Kavajës e ka të vetin në burg! Të bëjnë reaksion antibiotikët? Ajo e Kavajës thith mall! Askush nuk kthen kokën të të përshëndesë? Ajo e Kavajës nuk guxon të dalë dera!

Eshtë e vështirë të mbijetohet në Shqipëri. Nuk mjafton vuajtja, skamja, standartet e dyfishta që nisin nga dikush që “çmend” instagramin tek shumëkush që kërkon me dëshpërim bukën e përditshme, por vjen edhe gjykimi dhe paragjykimi. Shumëkush në Kavajë me gjasë do ta kishte dëshiruar vajzën e lajmeve, por me shpërthimin e dramës së saj, gjakut në shtëpi, me një të vrarë, një të plagosur dhe shumë tmerr për gjithë vendin, secili nga ata thotë: mirë ju bë k…vës! Askush nuk mer guximin e kurajon të pyesë: ishte kjo jeta që zgjodhi vetë ajo vajzë? Kush nuk ktheu një gotë në dasmën e saj kur ishte minorene? Kush mendoi sesi i ushqente të tre fëmijët e saj dhe çfarë mendonte kur shkonte jashtë për të takuar burrin që e kishte brenda?

Kush refuzoi të hedhë baltë nga balta vetjake për atë vajzë që fati por edhe vetë fati i keq I gjithë shoqërisë shqiptare, i sollën një jetë që ndoshta edhe ajo vetë nuk e kupton se çfarë është. Kush nuk e gjykoi atë nga lartësi të rreme morali, pikërisht për të dëshmuar më shumë moral vetjak? Vajza e Kavajës është viktimë e të gjithëve. E medias, e policisë, e portaleve, e komenteve, e thashethemeve, e vetë shoqërisë. Ajo është sakkrifica e rradhës për të bërë më të jetueshme jetë të mjera, tradhëti të pazbuluara, hipokrizi të gjallë dhe shëmti të pafundme morale që thjesht nuk njihen. Si ajo dhe mijëra e mijëra të tjera në Tiranë, Durrës, Shkodër e Sarandë. Shumë më shumë të tilla në provinca. Secilës që i vjen rradha vritet në të njëjtën mënyrë!

Viktima të vajzës nga Kavaja dhe histerisë publike për këtë histori, janë dhe tre fëmijë. Më i vogli pjesë e dëshmive të saj në polici. Dy më të rriturit të qëlluar sot e gjithmonë nga një shoqëri mëkatare që nuk nguron t’i gjejë edhe ata mëkatarë, duhet vetë të shpresojnë tek përfundimi i tre ditëve, tre vjetëve, tre brezave të çudisë: mami kishte të dashur!

Çfarë mallkimi për të gjithë ne!

* Psikologe klinike & terapiste kundër drogave

SHKARKO APP