Kutimet e diversanit: Si u hodhëm me parashuta në malet e Mirditës, ku në përpjekje me forcat e Sigurimit, Marka Ndreca vrau babën e vet…

Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon historinë e panjohur e Zef Lukës nga Shkodra, i cili në 1946-ën u arratis nga Shqipëria dhe doli në Greqi, ku qëndroi për disa vjet në kampet e azilantëve politikë. Njohja e tij me Alush Lleshanakun, stërvitja në një qendër zbulimi të financuar nga amerikanët në periferi të Romës dhe zbarkimi me parashutë në malet e Mirditës në 1949-ën, ku ata qëndruan për afro dy vjet nëpër male në përpjekje me forcat e Sigurimit të Shtetit, duke u strehuar në disa shtëpi që i kishin baza të sigurta. Të gjitha peripecitë e “diversantit”, të famshëm që u bë tmerri i Sigurimit të Shtetit deri në vitin 1953, ku emri dhe veprimtaria e tij për vite me radhë tregohej si në legjenda në qytetin e Shkodrës dhe në gjithë Veriun e Shqipërisë, bëhen publike sipas kujtimeve që ai ka lënë të shkruara me dorën e tij në SHBA-ës, ku ai kaloi pjesën më të madhe të jetës si emigrant politik, deri në shëmbjen e regjimit komunist.

Bashkë me dimrin e egër dhe të acartë të dhjetorit 1944-ës e janarit të ‘45-ës, i cili nuk ishte parë prej kohësh, pjesa më e madhe e shqiptarëve, atë kapërcyell vitesh të trishta u përballën edhe me një dhunë e gjenocid të padëgjuar ndonjëherë. Regjimi komunist i porsaardhur në fuqi, intensifikoi në shkallën më të lartë goditjen ndaj kundërshtarëve të tij politik, me arrestime, burgosje, internime dhe ekzekutime në masë, gjë të cilën në një farë mënyre e kishte filluar që pa mbaruar mirë lufta. Si rezultat i këtyre reprezaljeve dhe pasigurisë që mbretëronte në vend prej terrorit të kuq, i cili sa vinte dhe bëhej më i egër, asokohe u shtuan së tepërmi arratisjet e shqiptarëve jashtë shtetit. Madje, në Jug të vendit, ku mundësitë ishin pak më të mëdha, pati dhe largime masive në drejtim të kufirit me Greqinë, ku komunistët dhe nacionalistët helenë vazhdonin të vriteshin me njëri-tjetrin, për shkak të “llogarive” ende të pambyllura që nga koha e luftës. Ndër ata shqiptarë që morën në sy rrezikun dhe rrugën e panjohur drejt kufirit me shtetin fqinj, në atë fillim janari të akullt të vitit 1945-së ishin edhe disa të rinj shkodranë, që kryenin shërbimin e detyrueshëm ushtarak në një repart në rrethinat e qytezës së vogël të Delvinës. Organizatori dhe udhëheqësi kryesor i atij grupi që po ndërmerrte atë aventurë të rrezikshme, ku “luhej me kokën”, ishte Zef Luka, një djalë i ri që nuk i kishte mbushur ende të 20-at. Por a mundën ata ta kalonin brezin kufitar dhe cili ishte fati i tyre i mëtejshëm? Kush ishte Zef Luka, cila ishte e kaluara e tij dhe për çfarë arsyesh ai dhe shokët e tij i kishin hyrë asaj aventure tejet të rrezikshme? Për të gjitha këto na njeh ditari i panjohur i Zef Lukës, i cili pas një sërë peripecive nëpër kampet e azilantëve politikë në Greqi, Jugosllavi e Itali, si dhe aventurës së tij, duke u endur për tre vjet me rradhë si diversant nëpër malet e Veriut të Shqipërisë, në vitin 1956, u vendos përfundimisht në SHBA, ku ka jetuar deri para disa vitesh në një moshë të thyer. Nga ditari i Zef Lukës, të cilat ai i ka daktilografur, ne kemi përzgjedhur për botim vetëm disa pjesë, që ai na i ka pasur dërguar pak para se të ndërronte jetë për t’i bërë ato publike në shtyp dhe po i japim ato pa i bërë asnjë ndryshim (vetëm nëntitujt janë redaksional) dhe në dialektin gegërisht, ashtu siç i ka shkruar dhe përjetuar ai plot gjysmëshekulli më parë.

vijon nga numri i kaluar

Ditari i Zef Lukës: Armatimi ynë si parashutistë

Armatimi jonë përbahej prej: nji marshine të vogël parashutistash, nji karikator prej 25 fishëkësh, 6 karikator prej 50 fishek, 500 fishekë dhe dy bomba doret. Në dy xhepa poshtë pantallonave kishim nga nji “Beretë”. Përveç këtyne pajiseshim me ushqime, hapa, vitamina për 5 ditë dhe medicina të tjera. Unë me Kol Çunin morëm njeni radion, e tjetri xheneratorin, të cilin e kishim në gjoks, pasi kur të delshim prej aeroplanit, e t’u hapte parashuta e jonë, shpërtheshim pakon (qi e kishim në gjoks), e cila kishte një parashutë të vogël por gjithmonë të lidhur me nji konop me trupin tonë për të mos humb radioja e xheneratorit. Kjo bahej pasi disa grupeve të tjera që kishin ra në Shqipni, u kishte hupë radioja e xheneratorit, tuj mos mujt kështu me u bashkue njeni grup me tjetrin. Siç i pat ndodhë grupit të parë të Alush Lleshanakut, të Ndue Pjetrit, Gjo Markajve, të cilët tue mos mujt me e krye misionin, u detyruan që Alush Lleshanaku të dali në Greqi, ndërsa Ndue Pjetër Gjo Markaj të dali në Jugosllavi. Kryetar i grupi tonë ishte Kol Çuni. Përveç materialeve që thamë më sipër, ne furnizohshim edhe me nji paketë të madhe e cila përmbante: radio, rezerva ushqimore, tesha, municion dhe medicina. Kjo do të ishte e para me u hedhë prej aeroplanit, të cilës i jepte të shtymen Pashko Leka. Mbas tij delte Pashko Çuni me radio në gjoks, ma vonë unë (Zef Luka) me xhenerator në gjoks e kështu me rradhë. Na pritshim kohen me ra në Shqipni. Natën unë ikshe e shkojshe në Romë dhe këtë gja e dinte vetëm Kol Bib (Mirakaj). Kola nji ditë mblodhi do pare prej nesh për Dod Nikollën, i cili ishte i mshehun ndër fretënër në Fraskati. Këtu kishte kenë ma përpara edhe vetë Kola. Ky i fundit më tha që të thërras nji fratel dhe ai të më vejë në lidhje me Dodën. Unë e kërkova fratelin, emnin e të cilit ma dha Kola. Ndërkaq erdh major Dod Nikolla, të cilit i dorzova paret, tue i thanë qi Kol Bib Mirakaj më ka thanë qi kah ora 9 e nades, me kalue ka vila e kuqe në Vialle Violatta. Kjo gja ishte shumë sekret.

26 dhjetor 1949, zbarkimi me parashutë në Shqipni

Në ora 4 mbas dite vjen nji autobus i cili na çon në fushën e aeroportit ushtarak të Çento Çelle, që hapej deri në Çine Çita. Këtu marrim nji aeroplan dy motorësh, pritshim që të vijshin dy persona që ishin të veshun me tesha të zeza dhe kishin një makinë të zezë. Pasi arritën na pyetën: Sa jeni telegrafista? Si na lëshuen nga nji sy secilit, u larguen. Aeroplani u çue dhe Conte Coropio, çil nji shishe konjak e na e jep me pi, por unë nuk piva. Pilota na thotë se jemi mbi Shkodër. U shihte vetëm nji varg dritash. Ai na tha se të gjithë kemi me dalë sa të bien sirena (Il Lancio). Të gjithë ishim në rresht. Paketa e madhe ndodhej përpara derës së aeroplanit dhe në krye i pari ishte Pashko Leta. Si u çil dera në njenën anë të saj ishte Conte Coropio, ndërsa në anën tjetër nji oficer, qi të dy ishin të lidhur prej aeroplani. Ra sirena, e Pashko Leta shtyn pakon dhe del Kola, i cili u mat pak, por e shtyna unë me Conte Coropio, e aj oficeri tjetër. Si dola unë, më dukej se bishti i aeroplanit po më bjen. Menjiherë po ndiej nji zhurmë që ishte tuj shkue si plumbi i pushëks. Në këtë çast sytë mu mbushën me ajr. U çil parashuta, shpërtheva pakon që kisha në gjoks në të cilën ishte vendosun xheneratori dhe parakaduta e pakos u hap. Në këtë rast shoh se edhe parakadutat e shokëve të tjerë u ulshin ma shpejt, si topa. U ndishin qejt tuj lehë, u shifshin dritat e shpijave. Era po më shtyte kah pylla e Komit. Hudhja do t’u bante në Livadhet e Surroit, ose ma mirë me thanë për rreth livadheve të Surrojt, ku në shpat ishin shpija. Tuj ra, kambët filluan me më prek majat e halave të pishave. I vuna duart syve që të mos më hinte ndonjë send. Këtu meta i varun 50 metër. Kapa një maje deget bredhi dhe kur u avita afër degës që ishte ma e trasha, shpërtheva parakadutën dhe preka në tokë, ku kishte nja një çarap borë. Hana shndrite si dielli. Gjeta parakadutën në të cilën kishte mbrendë marshinën dhe xheneratorin.

Në malet me borë të Mirditës

Kur ishe tuj ra, shifshe nji parashutë që nuk ishte larg prej mejet. Ajo e bardha ishte e radios së Kol Çunit, pra vetëm të radios dhe të xheneratorit ishin të bardha, kurse të tjerat ishin të gjitha në bojën e gjethit. Shkova në drejtim ku kisha pa parashutën e bardhë të radios. Në këtë çast ndigjova nji zhurmë që po shkapetëte këpucët. Kush je ti, më thotë? Kol, i tham, jam unë Zefi. Edhe ai kishte mbetë i vjerun (varur) dhe thotë eja më ndihmo. Unë i përgjigjem: Ndihmo vedin tue kapë degën qi ke ma afër, e shpërtheju. Si gjeta parashutën e radios, Kola u ul, por pashë se i ra të fikët. Unë mora do borë dhe ja vuna në fytyrë, dhe si u ba ma mirë i tham: Nxjerre revolen, sepse marshinën e tij e kishte Pjetër Gjoci për të mos u randue Kola. Këtë deshtën me ma ngarkue mua, por unë i thashë: jo. E du me vedi marshinën. Para se t’u nisshim, na kishin dhanë do bylbyla që fshikullojshin si zogj. Unë i fshikullova por kurrkush nuk m’u përgjigj. E ishte e pamundur me ndie, prej zhurmës së aeroplanit ende veshët më shungllojshin. Në këtë rast i tham Kolës: Kurkush nuk përgjigjet, pra jam tuj qitë me “Baret” (revolver). E ai m’u përgjegj: Ban ç’ka të duesh. Qita por prap askush nuk m’u përgjegj. Ndoshta mbasi kishim urdhën mos me qitë dhe me pritë 24 orë deri sa tu bashkojshim me njeni tjetrin. Atëherë qita me marshin (armë automatike) dhe dikush m’u përgjegj. Si ju afrova më pyet: Kush je ti? I përgjegjem: Zefi. Pashë se ishin Bardhok Gjeta dhe Ndue Frisku. Ata më pyetën a e ke radion dhe unë i përgjegjem, po. A jena të gjithë, i pyes unë? Po, thonë ata. Tuj ndjekë gjurmat e mija, pashë ku kisha lanë Kolën dhe ky i fundit nuk ishte aty ku e kisha lanë, por pak ma afër. Kola, kur kishte zbritë prej aeroplanit, kishte humbë dhambët që i kishte falco.

Furnizimi me buk te shtëpia e Gjon Kukës në Fan

Kur ishim tuj shkue te shokët e tjerë, i drejtohem Kolës me këtë pyetje: Ku e ke revolen? Dhe ai m’u përgjegj: E kam harrue atje ku kam ndejë përpara. Ma vonë u takuem me shokët e tjerë. Pjetër Gjoci i nep Kolës marshinën, e cila ishte e Kolës, por ky i fundit, prapë ishte i pakënaqun, thotë se kemi ardh kot, jo vetëm ne, por edhe të tjerë. Pata ndie se Kola kishte refuzue me ra herën e parë kur patën ra Ndue Pjetri dhe Ndue Mëlyshi, Alushi dhe Xhevdet Blloshmi. Gjatë kohës në mal, pata harrue marshinën te kroni ku pimë ujë, prandej njenit prej shokëve ju desh me shkue e me e marrë. Mbasi zbritëm në tokë, kërkuem tanë natën deri sa zbardhi drita, pakon e madhe qi kishte radion rezervë, ushqime, tesha, municione etj. Aty afër nesh ndodhi nji çobaneshë, vajzë e re, e veshun me nji kmishë tanë rrypa. Ajo me dyert e saj mlonte gjoksin për mos me u pa. Me vedi kishte dhe nji vlla qi rrinte mbas dhive. Kur na pau, kujtoi se jemi partizanë, por unë i thashë se jemi ushtarët e Gjon Marka Gjonit. Po afrohej ora 9 kur ne do të nepshim me radio. Ishim te Qafa e Lorit, në këtë kohë Kol Çuni vihet në lidhje me Romën, e cila pa shifrar, i përgjgjet “Brunë”, qi don me thanë të jam falë. Gjon Gjinaj na prite dhe ne vendosëm të shkojmë në Fan të Mirditës, katundi i Gjon Gjinajt. Mbasi pritmë që të errej, ky i fundit më tha: Zef eja me mua me ra në katund. Ne ju afruem të parës shtëpi që ndodhi në krye të katundit, kjo ishte shpija e Gjon Kukës. Si ju afruem dritares, (qi ishte e mbyllun) afër derës, Gjoni ven veshin e më thotë: Këtu asht dikush i huej, prandej ne u larguem pak tuj ndejt afër nji dëllinje. Nuk vonoi shumë dhe nji grue po del përjashta për nevojë, e Gjoni i thotë: A e ke burrin te shpija? Kjo i përgjegjet: Jo asht në punë te sharrat. Dhe vazhdon: Ne kemi ndie se ka dalë në Greqi. Po, i thotë Gjoni, por mbramë kemi ra nji grup prej 30 vetash. Na qit do bukë. (Gjoni e rren për me mujt me i marrë sa më shumë bukë) dhe kjo i përgjegjet: Shkoni e pritni ke muri i shtëpisë së re, se po ju çoj vëllanë e burrit, por sa të largohet kryetari i lokalitetit. Mbas nji gjysëm ore, vjen vëllai i Gjon Kukës, dridhej prej friget. Si foli me Gjonin, shkoi te shtëpija e na solli buk. Mbas tre ditësh vjen Gjon Kuka prej sharret të Kryeziut. Gjon Gjinaj i thotë Gjon Kukës: Dy shpija ta dini, ju dhe shtëpia e Zef Vocit, për furnizime me ushqime tanë dimnin.

Si e kaluam natën e Vitit të Ri 1950

Ishim në Majë të Runës. Binte borë tanë natën, kishim do ushqim dhe një spatë. Ndue Frisku dhe Bardhok Gjeta çajshin dru për me mbajtë zjerrmin ndezë. Si dol drita, nuk e njofëm njeni tjetrin se ishim ba të gjithë të zij në fytyrë dhe me e prekë mashinën ajo tu ngjite në dorë prej të ftohtit. Në Majë të Runës, banorët e këtyne krahinave qitshin bagëtinë verës në bjeshkë. Aty ndërtuem nji kolibe dhe bukën e pjekshim me qerebë, herë pjekë e herë pa pjekë. Nga të ftohtit, mua më kapi një dhimbë në gjoks dhe shokët i thanë Gjonit se Zefi asht tuj dekë, por ai i përgjegjet se ajo asht dhimb uthi, prej bukës së pa pjekun. Kur afrohej mbramja delshim me mbledhë dru të thata pa lëkurë që të mos bajshin tym. Nga të ftohtit, më ngrine duart, dhe Gjoni filloi të më bëntë masazh duke m’i shtërnguar fort. Të nesërmen kur zbardhi drita, kishte fillue me më ranë tanë lëkura e gishtave. Krahina ku ndodheshim kishte një pamje vërtet të bukur dhe sidomos nadje kur dielli binte, nuk kishte gja ma të bukur, si të ishte parrizë (parajsë). Degët e pemëve dukeshin si prej kristali. Prej Majës së Runës kur ishte këthjellt, u shihte deti. Kur isha roje pashë se po vinë dy vetë. I njofta, ishte Gjon Kuka me një të arratisun për gjak, Pjetër Gjeta. Ato kishin me vete edhe një dhi. Un e marr dhinë dhe u thom shokëve se Gjon Kuka me një tjetër asht tuj ardhë, kan pru një dhi mashkull, do mish të bardhë e gjysëm thesi me buk. Të gjithë u qeshën me mue se i thoshe “dhi mashkull”. Ma vonë mësova se kësaj i thonë skjap. Çdo ditë në orën 9, lidheshim me Romën por pa i tregue vëndin se ku ndodhemi. Si kaluem dimnin te Maja e Runës, u nisëm teposhtë. Bora ishte deri në brez dhe ne për të mos lanë gjurmë, ecshim nëpër ujë. Udhëtimi zgjati për rreth nji orë. Për rreth ishin katunde komuniste, shkuem në Koravë, afër lumit Zij te stani i Mark Palucës. Mbasi mbaroi sofra, Marku më pyet: Prej kah jeni? Unë i përgjegjem: Jam prej Shkodret dhe më thonë Zef Luka. Në shtëpinë e tij ndejëm rreth dy javë dhe pas këtyne ditëve do të niseshim për në Fushë të Lajës, ku do u bante hudhja, (furnizimi me parashuta nga avionët e huaj). Në Koravë do të lejshim Kol Çunin me radio, Pashko Letën dhe Nikoll Markun. Shtoj se ky i fundit (Nikolla), një natë më parë kishte tentuar me ikë pa shkue në Koravë. Por e kapi Pashko Letaj e Bardhok Gjeta. Në këtë rast Nikoll Marku bërtiti: “Në dorë tande Gjon Gjinaj”. Lena, e shoqja e Mark Palucës, na kishte zi groshë kaq të trashë, sa i kishte shti në një facoletë, tue na dhanë edhe do bukë për rrugë. U takuam me Cuf Palucën, me shokë të tjerë dhe e lamë me u pa te Fusha e Lajës. Edhe me Zef Vocin që kishte dalë në mal.

Si i gjeti Sigurimi i Shtetit parashutat tona?

Nisemi për në Fushë të Lajës: Gjon Gjinaj, Pjetër Gjoci, Bardhok Gjeta, Pjetër Gjeta, Mirash Marku, Ndue Frisku, e Zef Luka. Ndërsa po shkojshim për Laje, Gjoni më thotë: Zef, eja me mue. Unë e ndigjova dhe bashkë me të rame në katund te nji shtëpi qi Gjoni e njihte. Derën na e çili nji grue e re sepse burrë nuk kishte, ja kishte vra Partia. Ajo e dinte se ne kishim ardhë me lyp bukë dhe nuk na e kurseu, por ashtu siç ja kishte qitë fëmijëve në sofër, e mori dhe na e dha ne. Por unë e Gjoni i thona mos e hangshim këtë bukë dhe e refuzuem. Por kjo sojnike na e dha me zor tuj thanë: “Ata hanë nesër, por ju nuk keni ku me e marrë”. Shkuem në Shkozë te shtëpia e Nikoll Pjetër Shkozës, aty na qitën me hangar mish e lakna. Mandej u nisëm për Laje. Marrim vesh se reaksionarët e Fanit të Mirditës kishin shkue në pyll të Komit dhe po pritshin ka dy tre lisa (hala) për me marrë parakadutat, të cilat do t’i përdorshin me ba brakesha grash e fëmijsh. Të veshun me këto tesha, tuj shkue në nji konferencë katundit, i merr vesh Sigurimi dhe i internojnë në Tepelenë. Shtoj se në parashutë ata kishin gjetë edhe pakon e madhe qi përmbante penicilina, radio e shumë gjana të tjera deri letra nevojtoret. Gjon Kuka internohet, ndërsa Zef Voci qi del në mal, merr vesh se ato ditë i kishte falë zoti një djal. Si dolëm prej Shkozet, kaluem Sharrën e Gojanit e Livadhin e Hamzit e mbërritëm në Fushë të Lajës. Aty ndodhej një stan i prishun. Ne pritshem qi t’u errte. Para orës 8 të mbrames ne do të ndizshmim tre zjerrme. Ne kishim porosi qi tu takoshim edhe me Çup Palucën, Zef Vocin qi kishte dalë në mal dhe me besnikë të tjerë, me të cilët kishim takim.

Urdhëri nga Roma: Mos delni në Jugosllavi

Si për herë roje e parë. Shoh se vjen Fran Kola, e pyes pse ke ardhë. Ai më përgjigjet: Kam dalë në terren prej Jugosllavijet. Kam nji letër prej Kol Bibë Mirakës qi ju të delni në radio në orën 1 mbas dite, tue përdor shifrarin e vjetër. Ne si orë të caktueme e kishim orën 9 paradite, por tashti do të na takonte me me dalë dy herë në ditë. Mbasi lexova letrën thashë me vedi: Tash e paska hangër dreqi, kjo letër ka kalue nëpër duer të UDB-së. Mue menjiherë më shkoi mëndja për tradhti. Në sa unë po vazhdojshe rojen, kur erdh ora 1, Kol Çuni thrret simbas shifrarit të vjetër, por nuk mujti të vehet në lidhje. Kol Çuni, këtë gja e majti sekret, por ai nuk e dijte se këtë unë e dije para tij. Mbas disa vjetësh kur shkume në Romë, morëm vesh se Kol Bib Mirakaj e Shyqri Biçaku, ishin takue në mënyrë sekrete me Intelixhens Servisin Anglez, për të ba lidhje me ne. Terrenistat e Jugosllavisë na thoshin se UDB-ja ka porositë që t’ju thona: “Të mundeni me ardh te na, por mos me u përzi me politikën tonë”. Roma ban telegram: Ju parashutistat mos delni në Jugosllavi. Ju furnizojmë me ajër deri sa të delni në Greqi, në Jugosllavi nuk mundemi me ju sigurue”. E për me shkue në Greqi, u donte nji muej, pasi ndjekjet ishin të mëdhaja, pa baza, shpesh herë i pasigurt se delshe i gjallë.

Përgatitja me lanë Shqipnin dhe dalja në Jugosllavi

Përgatitemi me lanë misionin e me dalë në Jugosllavi. Alush Lleshanakut ja mbajta fjalën se deri sa të ishte gjallë ai, unë të mos e lshojsha Shqipnin. Gjëndja sa vinte e përditë e po keqësohej. Populli na thonte se: prej jashtë janë tuj u spiunue. Ata të Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”, i xejshin gjallë porsa vinin kambën në Shqipni, siç ndodhi me Hamit Matjanin, shok i Alushit. Djelmt ma të mirë të Shqipnisë. Zef Luka e Pashko Leti, parashutista, nisen për në Jugosllavi, tuj lanë Kol Çunin, Mirash Markun e Pal Mirakën me shokë, qi të dalin mas furnizimit të hudhjes. Grupi i parë për në Jugosllavi përbahej prej: Zef Lukës, Pashko Letës, Pjetër Gjoni me gruen, Katrinën, Vat Staka, Fran Sokoli, Preng Keqani me Gjinin dhe Fran Kola. Këta dy të fundit ma vonë në terren u vranë. Prenga te nji bazë qi Sigurimi e kishte në atë shtëpi (kur ai shkoi për bukë), e vranë dhe Gjinin shokun e tij, kur ai po ikte për t’u mbytë në Dri. Vazhdojmë rrugën për në Jugosllavi. Në katundin Bugjon, baba i Fran Sokolit, Ismail Qerimi, me Gjinin shkuen përtej Drinit dhe vranë Marka Celin. Ne kalueme Gramishtin, Va Tranzin, Ras Valbonë e Dushaj. U takueme me Sheh Halilin, ma vonë në SHBA, ky ndërtoi Teqen Halvetije në Nju Jork. Sheh Halili na përcolli deri sa dolëm dhe kaluem kufinin në Qafë Gjonej.

“Vrasja e Alush Lleshanaku me shokë në tetor 1950”

Në një nga fletët e ditarit të Zef Lukës, ish-pjesëtarit të grupeve të rezistencës antikomuniste, që zbarkoi disa herë me parashutë në Shqipëri në fillimin e viteve ’50-të, pasqyrohet edhe vrasja e Alush Lleshanakut, njërit prej krerëve të asaj rezistence, i cili ndiqej prej Sigurimit të Shtetit që prej disa vjetësh. Lidhur me këtë vrasje, që edhe sot e kësaj dite ka mbetur një enigmë e madhe, miku i tij i ngushtë, Zef Luka, midis të tjerash ka shkruar:

Por sa u çova dola roje e parë. Natën kisha pa andërr se përreth nji grope ishin do kufoma me gojë hapët. Në orën 9 sipas rregullit, thirrshim Romën e cila na thote se kemi telegrame me ju dhanë. Në telegram thuhet se: “Radio Tirana ka dhanë lajmin se Alushi asht vra, na jepni hollësina”. Menjiherë ditën për diell, ramë në katund te prifti, morëm “Zanin e Popullit” dhe menjëherë i dhamë Romës lajmin se përsa shkruante gazeta: Ai asht vra në ora 4 të nadjes, si pat kalue urën te Shkalla Broshkë. Rinia, nji pjesë e të cilave ishin dhe komunista, thanë: “Alush, ç’ka tu deshtë me ardhë”. Shumë prej tyne kishin kenë dhe studenta të tij. Alushi e donte Shqipninë ma fort se nanën e vet. Grupi i veriut u prek shumë për vrasjen e Alushit, por në veçanti ai i Elbasanit. Por meqë Alushi kaloi nji kohë të gjatë në Shkodër, në Pukë, në Mirditë për furnizime me radio, i vetmi ngushëllim i joni ishte qi ky rrezik nuk ndodhi në Veri, mbasi do t’i kishte lanë marre dhe turp simbas kanunit gjithë Veriut. Me vrasjen e Alushit u ndaluene edhe grupe të tjera qi të bijshin në Shqipni, si ai i Xhevdet Blloshmit, Shyqri Biçakut etj. Për së dekuni e kanë vu Alushin te rrapi i Bolbollës. Kan thirrë edhe të shoqen me ardh me e pa, por ajo nuk ka shkue. Shokët e Alushit, kanë kenë: Halil Hoxha, Rexhep Kasa, Abedin Cengo, Nuri Plaka, qi mbetën të vramë dhe Zenel Cema qi u plagos”.

“Përpjekja me Sigurimin, Marka Zefi vret babën e vet”

Në kujtimet e Zef Lukës, janë përshkruar edhe mjaft momente tragjike, me të cilat u përballën grupet e rezistencës antikomuniste gjatë misioneve të tyre në Shqipëri. Një nga ato është dhe përpjekja me armë me forcat e Sigurimit të Shtetit e grupit të Shkodrës dhe Mirditës, në të cilin bënte pjesë edhe vetë Zef Luka. Lidhur me atë ngjarje, ku mbetën të vrarë disa nga shokët e tij, në mes të tjerash Zefi ka shkruar:

“Grupi i radios së Mirditës bjen në pushkë me Sigurimin. Ai përbahej prej: Gjon Gjinajt, Pjetër Gjocit, Ndue Mëlyshit, Bardhok Shkurtit, Marka Zefit me të vëllanë e babën e vet, Zef Ndrecës e Marka Lleshit etj. Në këtë kohë vritet i vëllai i Marka Zefit, ndërsa mitralozi i këput të dyja duart, Zef Ndrecës. Ky i fundit i thotë djalit (Marka Zefit), që ta vritëte. Por djali i thotë: “Babë shiko për mbrapa se mos vijnë partizanët”. E kur Zef Ndreca, babai i Markut, sjell kryet për mbarpa, Marka Zefi vret babën e vet, për të mos e lënë të gjallë në dorë të komunistave. Në maje të kodrës ishte vendosun mitralozi. Një rrëke e vogël vinte në drejtimin tonë. Marka Zefi qet në ta, por duhma e mitralozit i vjen afër Markut, i cili rrëzohet tuj ra në ujë. Në këtë kohë Ndue Mëlyshi, qet në atë drejtim. Marka Zefi çohet dhe lëshon nji bombë bash te mitralozi, hap rrethimin tuj vra nji oficer dhe dy ushtarë. Sa kaluen rrethimin, plagoset Gjon Gjinaj. Gjoni ishte me pantallona pilotash të gjana dhe të gjata. Në këtë rast Gjoni desh të vrasë vedin, por shokët nuk e lanë. E tërhoqën zharg dhe e çuen te nji shtëpi aty afër. Sigurimi shkon për gjurmë të gjakut deri te shpija për ta kontrollue. E zonja e shtëpisë hap dhe e lën çilë arkën, kurse Gjoni asht mbas arket dhe në këtë rast i heq siguresën bombës. Kur partizanët hapin derën, shohin vetëm arkën çilun dhe dhomën të thatë. Ma vonë atë bume e kam mbajtë në dorë deri sa e kam qitë në lumë. Ma von Gjonin me vig e kanë qit në mal. Na parashutistat e kishim vendosë: Me vra vedin, ose me u vra prej shokëve, qi mos me u kap të gjallë. Po të ndodhte kjo e fundit ata do të na kërkojshin se ku kemi marrë bukë e gjana të tjera. Kur Sigurimi na rrethonte, ai brenda rrethimit, shtite një skuadër qi të losin e të bijshin në pritat e tyne, në mënyrë që të mos mujshim me dalë asnjë i gjallë. E kjo ishte taktikë ruse e cila nuk shikonte fare ushtarët e vet, mjaft që të eliminoheshin çetat antikomuniste”./Memorie.al

SHKARKO APP