Ky vit akademik me 1000 studentë më pak, mbyllen 17 programe në rrethe

17 programe studimi do të mbyllen pasi nuk ka pasur asnjë student të regjistruar. Për shkak të kufirit të mesatares së vendosur për të fituar një degë, këtë vit akademik do ta ndjekin 1 mijë të rinj më pak. Më të preferuarit këtë vit janë mjekësia, por edhe sportet.

Reforma në arsim për të rritur mesataren e pranimit në universitete në 6.5 ka dhënë efekt në daljen nga sistemi për 1 mijë maturantë që nuk mund të ndjekin studimet e larta.

31 tetori ishte dita e fundit e regjistrimit në universitete dhe rezulton se janë mbi 21 mijë të rinj që kanë përfituar të drejtën e studimit nga 22 mijë që ishin një vit më parë.

Rritja e mesatares nga Ministria e Arsimit ka dhënë efekt, sidomos në Universitetet e rretheve, ku në 17 programe studimi nuk është regjistruar asnjë student, ndërsa janë rreth 56 degë që rrezikojnë të mbyllen për shkak se nuk plotësojnë numrin minimal të studentëve.

Arjan Xhelaj: Në total te mësuesia, numri i atyre që kanë aplikuar nuk ka një ulje. Por në degë të veçanta, kryesisht janë prekur Shkencat e Natyrës si kimi, fizikë, matematikë në rrethe ka pak regjistrime. Në Shkodër dega e fizikës nuk kishte regjistrime. Ka disa degë specifike që hyjnë në degët e vështira të mësuesisë, ku ka një numër të limituar se nuk ka regjistrime.

Plotësim të kuotave në masën 100% ka pasur vetëm Universiteti i Mjekësisë dhe ai i Sporteve.

Arjan Xhelaj: Kemi një ecuri të mirë në Universitetin e Tiranës dhe universitetet e mëdha të rretheve. Besoj që janë ezauruar dhe të gjithë dëshirat e maturantëve. Kush donte të vijonte shkollën ka pasur mundësi në këto tre raunde të aplikimit të regjistrimit për të vijuar studimet e larta.

Interes këtë vit ka pasur edhe për programet e arsimit profesional, ku janë regjistruar 7.6% e studentëve.

Ndërsa një rritje e lehtë e regjistrimeve është shënuar edhe në universitetet private, në auditoret e të cilave janë ulur 25% e studentëve.

/Ora News

SHKARKO APP