“La Gazzetta Dello Sport”, tifozët italianë dhe… unë!
Fejton
Nga Skifter Këlliçi/
Për herë të parë një numër të së përditshmes italiane “La Gazzetta dello Sport“ i kam parë nga fillimi i vitit 1960 një zyrën e redaktorëve të “Sportit Popullor”. Dhe me shumë kureshtje, sepse për mua, gazetar i ri i Radio- Tiranës, ishte e para herë që këndoja një fletore perëndimore. Por edhe atë vetëm për disa dekika, sepse një nga shokët e redaksisë, pasi ma hoqi me lezet nga duart, më pëshpëriti mirësishëm në vesh se qe e ndaluar që këtë fletore ta lexonin të huajt, domethënë ata që nuk punonin në atë gazetë. Doemos, sepse krahas artikujve sportivë që ngrinin në hava sportin borgjez italian dhe botëror, qysh asokohe në gazetë kishte edhe foto femrash… edhe gjysmë lakuriqe, si edhe reklama prodhimesh ushqimore, a veshmbathjeje, të cilat xhan-xhin se t’i zinte syri në mëmëdheun tonë “begator” dhe kësisoj unë, ende çunak, mund të infektohesha nga ideologjia… borgjeze.
Mirëpo pasi komunizmi ngriti potkonjtë edhe te ne, edhe unë si shumë shqiptarë, veç të tjerash, u njoha edhe me kompjuterin. Dhe, duke e përdorur pa teklif edhe internetin e bekuar, zura tashmë të lëçitja ç’të ma donte e bardha zemër, pra edhe… “La Gazzetta dello Sport’’, aq të lakmuar. Dhe fare kollaj. Mjaftonte të shkruaje aty te ai katërkëndëshi i gjatë sipër ekranit, ku lexohej fjala “google” titullin e kësaj gazete dhe veç e kur, sa të hapësh e mbyllësh sytë, vrik të dilnin atje tërë faqet e saj…
Vazhdova kështu ta këndoja në kompjuter këtë gazetë sportive italiane edhe këtu në Amerikë, ku jetoj prej 16 vjetësh. S’do mend, edhe shtypin mëmëdhetar, për të mësuar habere të reja nga vatani i shtrenjtë, herë të gazmendura dhe, fat-ligësisht, herë të qederosura, sipas tekave ta atyre që kanë në duar fatet e miletit tonë durim-gjatë…
Por nuk është ky qëllimi i këtij shkrimi…Meseleja është gjetkë…
Që më 2005-n UEFA, pra foltorja e futbollit europian, nisur nga dukuritë që zunë e zaptuan kontinentin tonë të fisshëm, pra qarkullimi i lirë i punëtorëve, globalizmi dhe ai ligji “Bosman”, i quajtur kështu me emrin e këtij qerrata futbollisti belg që pati fituar davanë e një gjyqi për të luajtur në atë skuadër ku ia donte kokrra e qejfit, pra UEFA lëshoi një ferman që disa nga kokat e mëdha të top-këmbës i la pa mend, se nuk e pritnin, por shumë të tjerëve ua shumoi “trutë”, sidoqë nuk i bëri më të mençur. Kaq deshën këta të fundit dhe fët e fët i dhanë karar që jo më një ,dy ose tre futbollistë të huaj të luanin në klubet e tyre, siç kishin rënë në ujdi vite më parë, por sa të duash…
“Epo, -blova me vete,- vërtet do të luanin “sa të duash”, por kokat e klubeve top-këmbëse si atdhetarë të zjarritur që janë, do të lejojnë shumë-shumë deri 5 lojtarë e jo më shumë të zbresin në mejdan, pra më pak se gjysma, sepse, dreqi ta marrë, kampionatet në Evropë nuk i kanë dyert e penxhere të hapura ose “open’’siç i quajnë disa veprimtari sportive të kësillojshme, duke huazuar nga anglishtja këtë përkufizim, por janë të vatanit ose kombëtare. Mirëpo, habitërisht dhe si për inatin tim, pa filluar mirë seneja 2006-07 e kampionateve evropiane, si kërpudhat pas shiut thuajse në të gjitha klubet e tyre buluan me dhjetëra e dhjetëra topkëmbas nga çdo vis i rruzullit tokësor. Dhe pati ndonjë klub, ai i “Interit” të Milanos, i bosit super-miliarder, Masimo Morati, që theu çdo rekord, madje dhe një zot e di dhe…ndërplanetar, sepse jo më 5, 6, 7, por bash të 11 futbollistët në fushë na u bënë jabanxhinj, domethënë të ardhur, ose me demek… të huaj, që do të ngrinin kësisoj la e më la pahanë e këtij klubi, i cili kishte që më 1964 që… agjëronte, shkurt qysh aso kohe nuk kishte fituar ndonjë kupë kampionësh, meritë e babait të Masimos, Anxhelo Moratit.
Dhe më këta djem azganë dhe me ata të stolit pra, rezervë, (edhe prej tyre asnjë për besë i lindur në tokën e romakëve të lashtë), “Interi” , me trajnerin portugez, Murinjo në krye dhe ai jabanxhi, rrumbullak pas 46 vjetësh, më 2010-ën na kurorëzua mbret i Europës midis klubesh, ose fituesja e asaj që quhet Liga e Kampionëve, (Champions Ligue).
Jo vetëm kaq, por ky “Inter”, bëri edhe atë që italianët e quajnë “tripletë”, pra, veç Champions, fitoi hem kampionatin, hem dhe Kupën e Italisë… Hajde ç’u bujë e shkuar bujës që u bë atëherë nga tifozët e “Interit” në Milano e tutje e tëhu tërë nahive të rruzullit tonë!…
Nuk dua të zgjatem në këtë “store”, sepse e kam rrahur bukur-mirë në fejtonin “Futbollistë majmunë dhe jashtëtokësorë në stadiumet europiane?!”, të botuar në faqet e kësaj gazete dhe kështu do të bëhesha i bezdisshëm për këndonjësit, por, kur shihja në faqet e “La Gazzetta Dello Sport”-it himnet dhe ditirambet që ngritën tifozët e “Interit” për skuadrën e tyre, për këtë bëmë, njëmend të rrallë, nuk m’u durua dhe kësisoj edhe unë zografisa komente poshtë artikujve të shkruar me kaq damar prej gazetarësh të thekur italianë, me të cilat faqeza u kundërvihesha tifozëve të shpuztë të përtej detit.
“E’ ç’sukses na qenkej kjo tripletë, – ia këputa në një koment, – kur “Interi” sakën se kishte një lojtar mëmëdhetar në radhët e veta?
Prisja që shumë nga lëçitësit tifozë, të cilët deri asokohe të gazmendur gjezdisnin në qiellin e shtatë, të zbrisnin të paktën me radaken në tokë, se veç së vërtetës asgjë tjetër nuk shkruaja në ato komente, por, veç disave që m’u vunë në krah, të tjerë nuk pipëtinë…Madje disa m’u hakërryen:” Po ti qenke “fuori tempo”,mor zotëri!”, sikur të ndodhesha “fuori gioco”, siç thonë italianët, pra jashtë loje, në futboll, ose, siç e themi edhe më shkoqur ne shqiptarët në të tilla raste se, “qenkësha prapa dynjasë!”.
“Ashtu si skuadra jonë ka emrin “Internacionale” edhe ne jemi internacionalistë dhe e kemi hak të marrim, domethënë të.. ..blejmë lojtarë anembanë botës ”,- mburreshin disa interistë. Atëherë në një koment timin u solla ndërmend himnin e “Internacionales”, vargjet e së cilës i kishte shkruar poeti revolucionar frëng, Puatje që mbyllen me fjalët: “Internacionale do t’jetë bot’ e re!”. Me demek, ashtu si “Interi”, po kështu dhe skuadra të tjera do të mbushen ding me lojtarë të huaj. Dhe, më vraftë zoti se gaboja, sepse si “Interi” që atëherë kishte dhe turli skuadrash të tilla si “PSGj-ja” në Francë, “Real” Madridi në Spanjë , “Çelsi”,”Arsenali”, “Mançester Siti” në Angli e plot të tjera., të fryra deri në grykë me top-këmbës të kësillojshëm.
Por edhe kur gjemia e “axurrëve” pra e përfaqësueses italiane, u fundos në ujërat e Botërorit Jug –Afrikan të 2010-ës nga sllovakët, paraguaianët, dhe nuk ndau veçse nga një pikë në dyluftimin me shegertët neozelandezë të top-këmbës, edhe atëherë tifozët interistë nuk e ndalën yryshin dhe vazhduan hosanatë për ekipin e tyre e tyre të zemrës, thua se, “squadra azzurra” të mos qenkej italiane, por e ardhur në lëmshin ku jetojmë, jo më nga ndonjë planet tjetër, por nga pjesa e pasme… e diellit, ku, jalla, na paskej… jetë, duke hedhur poshtë mallkimin: “vafsh prapa diellit!”.
At botë kuturisa të shkruaja një fejton në gazetën tonë “Sporti Shqiptar”, me titull: “Italia mbretëreshë zbret nga froni, rroftë “Interi” mbret!”. E bëja veten kinse ndodhesha në një hotel luksoz të Milanos, në hollin e të cilit tifozë fatgremisur vajtonin me kuje për dajakun që kishin ngrënë “axurrët” në atë botëror…Kur befas, si me magji atje kishte mbirë signor Morati, bosi i “Interit”, që duke iu afruar, u kishte dhënë zemër:”Gazmenduni, se ja, shkoi në botën tjetër kampionia e botës, por “Interi” mori hak, sepse tani është i parë në mexhlisin evropian!”. Mirëpo, kur njëri nga tifozët i ishte përveshur tërë duf: “Po sa lojtarë italianë i dha kombëtares “Interi” juaj ?”, sinjor Moratti ishte lëmekur dhe si belban mezi kishte nxjerrë nga goja e prushitur fjalët:”Aaaasss…njëëëë!”Doemos se nuk kishte nga t’i jepte kur e tëra skuadra nuk ishte italiane.
Por pasi një vit iku, “Interi” ra nga fiku!… Kështu ndodhi pastaj dhe në të tjera vite dhe aha, ai nuk e ngriti që nuk e ngriti më kokën!… Por tifozët e tij , rronin me kujtimet e lavdisë së shkuar. Dhe vazhdojnë… Aq më tepër që prej tre vjetësh nafakën e këtij klubi e ka marrë në duar Thohiri.
Sefte pandeha se quhej Tahir, vallah, ndonjë nga sheikët arabë që nuk kanë thasë, por male me para, të kërryera nga ai që quhet “ari i zi”…Por na doli se qenkej male, fusha shkretëtira e lumenj këputur, në Indonezi….pra në Lindjen e Largme. (Dhe këtu përfitoj nga rasti t’u kërkoj ndjesë lëcitësve të mi të vyer, se fillimthi mbiemrin e padronit të “Interit” e dija Murati, duke e pandehur për ndonjë nga efendilerët turq që kërkojnë të futin hundët në futbollin perëndimor).
Kësisoj sinjor Moratti, pasi hodhi në erë 1 miliard e gjysmë-euro për të sajuar këtë biçim “Interi” të nakatosur e telendisur , që mbeti vetëm një vit ngadhënjimtar, duke e kuptuar se paratë për ta “ripjellë” po treteshin si vesa e sabahut, ia la teslim në dorë Thohirit me mendje vigani, anipse me shtat është i vockël. Dhe Thohiri dha besën e burrit se do ta ripillte “Interin” dhe madhështinë e tij e vulëhumbur, duke sjellë në skuadër “gjak të ri”.
Kujtova se mos e kishte fjalën për lojtarë italianë, por qenkëshim gabuar, sepse, siç molloisi ai nëpër gazeta e televizione, do të porosiste lajmësit e tij t’i binin kryq e tërthor botës, por jo për 80 ditë, si Fileas Fogu i romanit të Zhyl Vernit, por sa më shpejt, për të ri-sajuar “Inter”-in, si zogu Feniks i mitologjisë, që pas vdekjes u ripërtëri nga pluhuri i vet. Pa t’u ngritën namëta tifozët intervistë e zunë e bënë komente që skuadra e tyre vrikthi do të bëhej sërishmi lavdimtare.
Atëherë më hipën xhindët në kokë dhe poshtë deklaratës së Thohir indonezianit, buckan e kokoroç, qëndisa një biçim intervjuje dhe ia nisa moderatorëve të “La Gazzetës…”. Pyetjes sime se a do të sillte te “Interi” edhe lojtarë nga vatani i tij, ai më gjegjej se kishte pandehur se top-këmba nuk paskësh pasur hiç-fare tradita në Indonezi, mirëpo na dilka se në pyjet tropikale të saj ai luhej që ç’ke me atë punë. Por, ama klandestinçe, sepse ata kopukë, megjithëse kishin arritur të bëheshin ustallarë të magjishëm të kësaj loje, kurrsesi nuk donin të linin mëmëdhenë dhe të mërgonin lart e poshtë sokakëve, pra stadiumeve të botës, anipse e dinin se paguheshin me shuma kiamet të kripura, që as në ëndërr nuk i kishin parë. Jo vetëm kaq, por skuadrat e sipër-menduara kishin të tëra një të njëjtin emër, ” Nacional” dhe, për t’i dalluar nga njëra- tjetra, u vinin pas shifra sipas rendit “Nacional” 1, 2, 3, 4 e kështu me radhë, si për t’iu vënë kundër “Internacionales” së Milanos sime, vazhdonte gazmorisht Thohiri rrëfimin e vet. Dhe, ndonëse ishte rrekur t’i zbulonte këta dreqër edhe me helikopterë, pyjeve ku fshiheshin, shtonte ai, ndërsa një hije e jargavanët i mvishte syfetin, aha, nuk kishte mundur t’i pikaste…Por, gjithsesi për këtë qëllim do të përdorte teleskopë nga më të fuqishmit, do t’i gjente e do t’i sillte qoftë përdhunshëm këta top-këmbës rebelë, bashkëvatanas, që nuk begenisnin të vishnin fanellën e “Inter”-it namë-madh, padron i së cilës tashmë ishte ai vetë.
Ja, kjo me pak fjalë ishte intervista ime imagjinare me Thohirin. Ndonëse nuk e prisja, moderatorët e “La Gazzeta Dello Sport”-it e botuan atë. Mirëpo pas një grime herë pashë në internet se kundër meje vërshuan kundër ca mesazhe. S’do do mend të hidhura, që po i përmbledh me llafet e njërit prej tyre që zografiste: “Për ne rëndësi ka fanella dhe jo ai që e vesh”, pra, me të tjera fjalë, që ne nuk qederosemi se nga na vinë ata që luajnë me “Inter”-in, mjafton që mbajnë në gjoks stemën e tij.
Atëherë dhe unë flakë për flakë iu përvesha atyre dhe këtë radhë me një fejton të shkurtër. Shtihesha me demek sikur UEFA-s i paskësh ardhur një letër nga Federata e Futbollit e… Majmunëve të Afrikës, në të cilën Presidenti, i sojit gorillë, i drejtohej asaj me propozimin që t’u dhuronte futbollistë majmunë, të cilët, falë dhuntive të tyre majmunore, kishin aftësi më të mëdha se K. Ronaldo, Mesi e futbollistë të tjerë zulmëmëdhenj. Kësisoj klubet europine të mbusheshin me futbollistë majmunë për të cilët ato nuk do të paguanin as edhe një kacidhe, kur ndërkohë, flaknin në erë qindra miliona euro për lojtarë që nuk ishin kushedi se çfarë para tyre. ( Nisur nga ky fejton botova pastaj fejtonin tjetër “Futbollistë majmunë dhe jashtëtokësorë në stadiumet e Europës! …”, të cilin përmenda më sipër).
Por mbeta i shkordhur kur moderatorët e kësaj gazete të nderuar më kthyen përgjigje se e hidhnin poshtë fejtonin tim. U kisha shkelur në kallo, sepse, të rrimë shtrembër e të flasim drejt, vetëm një herë gjatë këtyre viteve të fundit kisha lexuar te “La Gazzetta…” një shkrimkë të një gazetari italian, ku ai shprehej ashiqare se 62 për qind e futbollistëve që luanin në Itali, ishin të huaj dhe në Angli, dava më keq, kjo arrinte në 73…
Dhe si një rrufe në qiell të kthjelltë, pas disa ditësh në faqen e parë të “La Gazzeta…”-s lëçita titullin: “Milani u paraqit në fushë me plot 8 futbollistë italianë!”. Më gufoi zemra nga hareja. Aq më shumë kur poshtë këtij artikulli gëlonin plot e plot komente, ku tifozë shpreheshin se i kishte marrë malli të shihnin në skuadra italiane futbollistë nga gjaku i tyre, sepse “jabanxhinjtë” ua kishin prurë shpirtin në majë të hundës…
Më kishin dalë mu në shteg. Ndaj, aty për aty sajova një koment, ku unë, gazetar dhe tele-komentator sportiv, shqiptar si italianët në zë, Nando Martelini e Sandro Cioti që i kisha takuar më 1994 në Romë, përgëzoja “Milanin”, i cili ashtu si “Juventus”, katër herë radhazi kampion i Italisë, rendiste në radhët e saj më shumë italianë se të huaj, dëshirë që kishin pasur gjithnjë dhe kolegët e mi të mësipërm, që tashmë kanë ndërruar jetë…
Ata tifozë që për kaq vite më viheshin kundër, nuk u ndien. Pra paskësh në Itali dhe siç kam këmbyer me shokë biseda, edhe në Shqipëri, tifozë që duan të shohin edhe te “Tirana”.,”Partizani” “Skënderbeu”…top-këmbës të lindur në truallin tonë dhe jo të ardhur nga nahi të botës…
Mirëpo, kur shoh ndeshje të “Inter”-it, “Fiorentina”-ës, “Napolit” e “Romës”, tek të cilat , të mbledhura të tëra së bashku, zor se gjen më shumë se 6-7 futbollistë italianë, dhe të gjykosh se ato janë të parat skuadra që mund të vënë mbi kokë kurorën e kampiones në një kampionat për të cilin Saki, një ndër specialistët më të mëdhenj italianë të futbollit, thotë faqeza dhe jo paqesendi, se “kampionati italian nuk është italian nga përbërja”, (ndaj e pësoi përsëri ligsht në Botërorin Brazil 2014, ku u mënjanua që në ndeshjet në grupe si në botërorin e katër vjetëve të shkuara në Bashkimin Jug-afrikan), kur shoh pra ndeshje edhe të kampionatit anglez, ku tifozët si në Itali çirren në kupë të qiellit për “Çelsin”, “Arsenalin”,”Mancester Sitin”…, që përmenda më lart, në Francë për PSG-në… në Spanjë për “Realin” e Madridit… pra në këto skuadra e të tjera, ku topkëmbësit vendalinj numërohen me gishtat e dorës, them me vete: “Ku po vete futbolli i kontinentit tonë të moçëm, me këtë gjoja globalizimin dhe qarkullimin e lirë të krahut të punës?!”…
Po këtë e kuptuakan bukur mirë ata që janë në krye të faltores së top-këmbës në Rusi, ku edhe atje kjo lojë është bërë larushane nga jabanxhinjtë, ndaj i thanë vetes: “Ndalu beg, se ka ende” dhe e caktuan kufirin deri te thana, domethënë në çdo skuadër mund të luajnë jo më shumë se 6 që nuk janë rusët.
Mbase do zoti edhe ata të faltoreve të Evropës, ku topkëmba ka lindur më parë, e kuptojnë këtë, se nuk thotë kot populli që “Sheh rrushi rrushin e piqet”.