Lakmia në lokalin “Stalla e lopëve”, që infektoi gjysmën e Europës me koronavirus

Fshati Ischgl ne Austri, qe infektoi gjysmen e Europes me koronavirus

Si e infektuan gjysmën e Evropës një qendër skijimi në perëndim të Austrisë dhe një ndeshje futbolli në Milano.

Nga Enver Robelli

Në këtë kolumne bëhet fjalë për dështimin e autoriteteve në Itali dhe Austri për të ngadalësuar përhapjen e koronavirusit. Asnjë qeveri nuk ka fuqi e mundësi të ndalë përhapjen e koronës, por disa mundësi për ta ngadalësuar kanë ekzistuar. Dhe nuk janë shfrytëzuar. Shumë redaksi të mediave evropiane këto ditë i kanë ngarkuar gazetarët më të mirë për të hulumtuar se çfarë ka ndodhur në Ischgl, një qendër skijimi në perëndim të Austrisë. Sipas dëshmive të deritanishme, Ischgl ishte një vatër prej nga u përhap epidemia e koronavirusit në mbarë Evropën, madje deri në Islandë.

Ischgl është një fshat malor në Luginën Paznaun (Paznauntal), lartësia mbidetare 1377 metra. Fshati ka 1600 banorë, 11’800 shtretër, 239 kilometra pista skijimi, 1000 topa për prodhim bore artificiale, 45 teleferikë. Ischgl është njëfarë Palma de Mallorca e sporteve dimërore. Për çdo vit, industria e turizmit në këtë rajon rrotullon 250 milionë euro. Këtu vijnë njerëz nga mbarë Europa për të skijuar, por edhe për të pirë, për t’u dehur, argëtuar, kënduar, me një fjalë, skijimi në Ischgl nganjëherë është veprimtari sekondare, prioritet është koha që quhet “Après-Ski”, pra pas skijimit turistët “u hipin skive” nëpër bare. Pihet Jägermeister i përzier me Red Bull, shumica e turistëve, siç shkruan revista gjermane “Der Spiegel”, para se të pushtojnë baret kanë pirë gjatë ditës nëpër kasolle lart te pistat.

Në Ischgl janë të gjithë bashkë: irlandezë e islandezë, gjermanë e danezë. Këtu në fillim të marsit u infektuan turistë nga shumë vende të Evropës. Me virus në trup ata u kthyen në vendet e tyre, për shembull në Islandë dhe atje e përhapën virusin. Përkundër paralajmërimeve nga kryeepidemiologu islandez, autoritetet austriake të rajonit të Tirolit reaguan tepër vonë. Turistët dhe shoqata austriake për mbrojtjen e konsumatorëve kanë paralajmëruar padi kundër autoriteteve në Tirol. Ato akuzohen se për arsye komerciale qëllimisht e kanë zvarritur mbylljen e pistave, teleferikëve dhe restoranteve.

Ndërkohë, tërë treva e Tirolit (nga data 18 mars) është nën regjimin e karantinës. Por, me gjasë, kjo masë ishte tepër e vonshme. Kancelari austriak, Sebastian Kurz, ka thënë në një intervistë televizive se në fillim të marsit është paralajmëruar nga “disa kryeministra të huaj jashtë Evropës” mbi rrezikun që buronte nga Ischgl si vatër infektimi. Kurz deklaroi se ka ushtuar presion që të ndërmerren masa të ashpra. Bare me emra kreativë apo më pak kreativë si “Stalla e lopëve”, “Kasollja e shampanjës” apo “Schatzi-Bar” (bari i shacave) u bënë përhapës të virusit në mbarë Evropën, sipas virologëve.

Një vatër tjetër e përhapjes së koronavirusit në Evropë ka qenë ndeshja e futbollit mes Atalanta Bergamo dhe FC Valencia. Kjo ishte një e teta e finales së Champions League. Ndeshja u luajt në stadiumin “San Siro” të Milanos më 19 shkurt. Tri ditë më vonë, në Itali vdiq pacienti i parë me koronavirus dhe numri i të infektuarve nisi të rritej shumë shpejt. Një “bombë biologjike” – kështu e ka quajtur kryetari i Bergamos ndeshjen e futbollit mes ekipit italian dhe atij spanjoll. Në stadium kanë qenë mbi 44 mijë shikues.

Sa larg duket tani 19 shkurti. Atëherë nuk kishte “distancë sociale”, me gjasë kjo do të jetë fjalia e vitit, ndoshta edhe e kësaj dekade e këtij shekulli ende të njomë. 44 mijë vetë duke brohoritur në stadium, shumica italianë, të cilët pas ndeshjes u kthyen në shtëpi, në Bergamo dhe rrethinë. Ndërkohë, pamjet nga Bergamo janë tronditëse. Kamionë të ushtrisë që bartin kufoma, fotografi ku shihen arkivole të panumërta, lajme se në Bergamo në çdo gjysmë ore po varroset dikush. Gazeta “Corriere della serra” citon mjekun e narkozës Christian Salaroli nga një klinikë në Bergamo, i cili thotë: “Ne vendosim sipas moshës dhe gjendjes së përgjithshme – si në çdo gjendje lufte.

Nëse dikush është në moshën mes 80 dhe 95 vjet dhe për shkak të pneumonisë së dyanshme atipike ka probleme të mëdha të frymëmarrjes, ne i rezervojmë shtretërit për kujdes intensiv për ata pacientë që kanë më shumë shanse mbijetese”. Ajo çfarë mjeku për arsye etike nuk e thotë, por nënkuptohet: ata që kanë pak shanse për të mbijetuar, nuk merren parasysh, lihen të vdesin. Dhe vdesin të vetmuar, familjarët nuk lejohen të jenë afër, në çastet e fundit mjekët nganjëherë vendosin një lidhje përmes telefonit apo iPad-it mes pacientit dhe anëtarëve të familjes. Vdekje në kohën e koronës. Larg njerëzve më të dashur. Mijëra tragjedi. Shumë dhembje e pikëllim. Dhe shumë njerëz që ende po e nënçmojnë rrezikun nga koronavirusi.

SHKARKO APP