Lamtumira e një ikone, lamtumira e zërit dhe sharmit që hymnizoi këngën shqiptare
Nga Albert Vataj
Të gjithë janë në udhën e ikjes, por ka prej tyre që mbeten këtu edhe pse fizikisht i janë dorëzuar vdekjes. Sepse ata kanë ardhur për të qëndruar përgjithnjë, për të mbetur në themelet e permendores që ngriten me pasion dhe përkushtim, me emër e me vepër, me atë më të lartën vlerë të shpërblimit me adhurim dhe mirënjohje. Një prej tyre është Nexhmije Pagarusha, e cila sot më 7 shkurt 2020 do të dorëzonte frymën e fundit në 86-vjeçare. Kanë qenë familjarët e së ndjerës ata që kanë dhënë lajmin e trishtë. Vajza e saj, Cuca Pagarusha ka publikuar një fotografi zie në profilin e saj në facebook. “Zemër ike e qetë ashtu si edhe në jetë. Vdiq Nexhmije Pagarushe”, ka shkruar ndërkohë një familjare e saj.
Ajo nuk është më, sepse ligjësitë e jetës nuk bëjnë përjashtime. “Bilbili i Kosovës”, “Mbretëresha e Këngës Shqipe”, “Primadona e Melosit Popullor”, “Ema Sumak Shqiptare”, “Madame Butterfly”, “Fyti i Kristaltë”, dhe një mori epitetesh vlerësuese e personifikojnë atë. Është ky piedestal mirënjohjeje, është ky panteon nderimi, ku qëndronte këngëtarja Nexhmije Pagarusha, fenomeni multidimensional, e i papërsëritshëm i muzikës shqiptare. Kënga e saj ishte religjion, besim, art, përjetshmëri që ngjallte shpresën dhe lartëson triumfet. Me 40 vite karrierë artistike dhe një repertor prej 150 këngësh e sollën atë ndër ne si një domethënie e vlerave shpirtërore të këngës shqipe, e ambrozit të ëndjeve të hyjshme që ushqen kumbimi nëpër ndërkohët e këtij zëri.
Ajo, në interpretimet e saja, nuk ndiqte rregulla, kumton studiuesi Akil Koçi, ajo e ndjente këngën, e ndjente fjalën e thënë përmes melodisë dhe krijonte imazhe të reja, qëndrime, rregulla, duke u bërë bashkë-autore e këngës, si fryt i perceptimit të saj të subjektit artistik, ku ndihet mesazhi përmes vokalit kumbues, rrëqethës, por plotë lëvizje në kompleksitetin e interpretimin të saj të shkëlqyer, që paraqiste sensacion të fenomenit tingëllor.
Artistja shqiptare e këngës, Nexhmije Pagarusha u lind më 7 maj 1933 në fshatin Pagarushë të Malishevës në Kosovë. Kur flitej për të, përdoreshin në një frymë shumë epitete si: Bilbili i Kosovës, Mbretëresha e Këngës Shqipe, Primadona e Melosit Popullor, Ema Sumak Shqiptare, Madam Butterfly, Fyti i Kristalte, etj. Mori shumë çmime, ndër të tjera “Këngëtare e Shekullit”.
Megjithatë, madhështia krijuese e saj nuk mbaron do të vijojë të jetë mes nesh. Kënga e saj është religjion, besim, art, përjetshmëri që ngjallte shpresën edhe në kohëra të errëta për shqiptarët e Kosovës. Qartësia e këtij fenomeni është evident, kur kemi parasysh traditën muzikore që ka populli i ynë i lashtë që nga Ilirët e deri në ditët tona, i cili ka kultivuar një muzikë të bukur dhe dinjitoze dhe kështu ndjekim gjurmët para-helenike, duke legalizua mënjanimin e idhujve në krijimtarinë personale, duke e shndërruar në magji muzikore ritmin e jetës bashkëkohore.
Lamtumirë Nexhmije Pagarusha, lamtumirë zërit dhe sharmit që hymnizoi këngën shqiptare.