Lamtumirë Agim Faja!

Nga Nikolla Sudar*/Fillimi dhe fundi janë të pashmangshëm për cilindo, por jo të gjithë e kanë nderin të quhen bij të shquar të Shqipërisë, ashtu siç e meritoi qëkur ishte gjallë, shijakasi i madh Agim Faja.  Kur ishim të rinj fundi na dukej tepër i largët, abstrakt dhe as që na shkonte në mendje ta përmendnim. Mirëpo me kalimin e viteve ai u bë më i pranishëm, më konkret dhe, jo rrallë, shqetësues. Vallë, a u ndodh kjo të gjithëve? Shpesh dëgjojmë se njeriu nuk ka të ngopur me jetë dhe është më se e natyrshme. Tanimë, pas kaq dekadash jete, kthejmë sytë nga e kaluara për të vështruar rrugën që kemi përshkruar, gjurmët që kemi lënë, sukseset dhe dështimet që kemi përjetuar. Sidoqoftë është e pamundur t’u shmangesh pendesave, sepse, pa llogaritur veprimet e nxituara në jetë, shumë gjëra nuk i ke në dorë. Por kur mendon se përreth vetes ke pasur miq edhe shokë që të kanë mbështetur apo kritikuar pa të keq, që të janë gjendur në momente tepër të vështira e që me ta i ke përballuar, ndien një kënaqësi të patreguar dhe një lumturi të madhe për të kaluarën e papërsëritshme. Në këtë kuadër kohor dhe shoqëror, Agim Faja zë një vend të veçantë.  Gjithnjë më del parasysh i ati i Gimit, “Mësuesi i Merituar”, modeli i edukatorit të vërtetë, Hamdi Faja, i cili futi në rrugën e vështirë të mësuesisë edhe dy djemtë e tjerë, njohësin e rrallë të letërsisë Eqerem Faja dhe historianin e suksesshëm Mustafa Faja. Xha Hamdiu, (siç e thërrisnim ne) gjithë jetën e tij e kishte kaluar në fshat, duke e filluar karrierën e mësuesisë në vitet 30, në Derjan të Matit e për ta përfunduar në fshatrat më të thella të zonës së Shijakut

   Me Gimin jemi njohur që në moshë të vogël, ndonëse banonim pakëz larg njëri-tjetrit. Por jeta do të na ndante për mjaft kohë, për të na bashkuar si studentë dhe më pas, përfundimisht si mësues. Që nga vitit 1964 në Shijak do të kthehej për të vazhduar veprimtarinë e vet, krijuesi i njohur që më vonë do të bëhej “Piktori i Merituar”, ilustruesi i përmendur i abetares dhe i revistës për të vegjëlit, “Fatosi”, që u bënë aq të dashura edhe jashtë vendit, Agim Faja. Vitet do të kalonin dhe ato do ta pasuronin akoma më tepër krijimtarinë e Agimit, si në formë ashtu edhe në përmbajtje, duke kristalizuar edhe individualitetin e vet. Në veprat e tij dinjitoze të paraqitura në ekspozita lokale, kombëtare apo vetjake do të spikaste dashuria e madhe për jetën, për vendlindjen, për njerëzit dhe për të bukurën. Ato tashmë e kanë nderuar, jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe në shumë vende të botës. Kjo është arsyeja që Agim Faja është bërë sot njëri nga piktorët më të njohur në vend, mjeshtër i pejzazhit e i portretit, prandaj është nderuar me titullin “Piktor i Merituar” si dhe me titujt “Qytetar nderi” i Durrësit dhe i Shijakut. Kthesën e madhe politike në vend te fillimit të viteve 90, Agimi si njëdemokrat i vërtetë e priti me një entuziazëm të papërshkruar. Që në ditëte parë u rreshtua në radhët atyre që kërkonin “Një Shqipëri ndryshe, një Shqipëri evropiane”. Kontributi i ti i atij fillimi dhe i mëvonshëm ështëi madh në Shijak, prandaj edhe meritoi tituli e nderuar “Pushtar i demokracisë”. Në një letër të datës 22 dhjetor të vitit 1998, Prof. Dh. Shuteriqi, me dashamirësi i shkruante: “I dashur Agim! E pasurofsh prap e prap Shijakun, për të cilin aq shumë ke bërë. Edhe kur e zë penelin, edhe kur qëmton histori…do të të kujtojë ngaherë qyteti yt…”. Në intervistën e botuar në gazetën “Shqip”, të datës 20 mars 2007, shkrimtari i madh Dritëro Agolli ndër të tjera shkruan: “… Shijaku është nga krahinat më të qytetëruara të vendit, ku kanë dalë njerëz të shquar në histori dhe në kulturë, ku jeton edhe piktori me emër të madh, Agim Faja, miku im gjysmëshekullor…”.

   Nga lartësia e dekadave të tëra vështroj shokun dhe mikun tim, Gimin, dhe entuziazmohem për ato virtyte njerëzore që spikasnin tek ai, të cilat mund t’i përmbledh: – ndjenja e lartë e qytetarisë ishte tipar përcaktues i tij. Të rrallë janë ata piktorë apo studjues që ta duan me kaq përkushtim vendlindjen e vet dhe që të shkrijnë të gjitha energjitë e tyre për t’ia lartësuar emrin. Të paktë janë ata artistë si Agimi, i cili me atë patriotizmin e tij të rrallë, pa marrë parasysh kohën e humbur, mundin dhe djersën, është shndërruar në një historian të vërtetë për të evidentuar të kaluarën shijakase, traditat më të mira të saj. Me atë skrupolozitetin e tij dallues përjetimet familjare, artistike, shoqërore e politike ai i ka përmbledhur me aq seriozitet dhe përkujdesjeje në vëllime të tëra, që do të nderonin cilindo. Agimi kontribuoi pa rezerva për zbulimin dhe zhvillimin e talenteve të rinj, mjaft nga të cilët janë bërë edhe krenari e vendit. Të tillë janë Luan Bërhami, Dashamir Gurabardhi, Abaz Hado, Aqif Keçi, Skënder Dika, Ramazan Baçova, Fatmir Sina, Xhevahir Berxulli etj.Ndër miqtë dhe bashkëpunëtorët më të ngushtë të piktorit hyn edhe regjizori i suksesshëm për dekada me radhë i pallatit të kulturës të Shijakut dhe për mjaft kohë edhe drejtuesi i saj, Ritvan Malltezi. Ekspozitat e shumta, të hapura në pallatin e kulturës dhe në qytete të tjera dëshmojnë për zhvillimin e madh që morën artet figurative në Shijak.

 Ndihmesa e tij për ngritjen dhe funksioninimin e muzeut është e rrallë dhe dinjitoze. Më kujtohet fare mirë data 2 qershor 1978, dita e fundit para inaugurimit të muzeut. Kishim ditë të tëra që me një intensitet të paparë punonim pa ndërpreprejë për sitemin e materialit grafik dhe relikeve të muzet të ardhshëm të Shijakut. Natën e fundit e gdhimë bashkë me Agimin dhe aktivistin e flaktë të muzeut, të kudondodhurin Aqif Buka. Lodhja ishte e tejskajshme, megjithatë Agimi, ky babaxhan i vërtetë, na mbante gjallë me optimizmin e tij.Ndonëse tashmë i rënduar nga vitet, i ndihmuar nga historiani dhe shkrimtari i njohur Halim Maloku, përfundoi historikun e Shijakut në dy vëllime e me ilustrime, që do të mbesë vepër e nderuar për brezat e ardhshëm.

  – humori i tij specifik përbën natyrën e dytë të këtij artisti të njohur, mbase edhe domëthënien e tij. Edhe në momente më të vështira optimizmi ka qenë tipari më i spikatur, që shoqërohej me shaka tepër të goditura. Barcaletat tërë kripë e të treguara me aq mjeshtri ngrinin në këmbë mjedisin shoqëror.

  – në jetën familjare mund të thuhet se ai qe model. Por asnjëherë Agimi nuk do të kishte mundur të arrinte ato suksese në krijimtarinë e vet të pasur, pa mirëkuptimin dhe mbështetjen e gjithanshme të bashkëshortes, mësueses së mrekullueshme të anglishtes, Durrije Fajës (Shtraza). Ajo e kuptoi thellë dhe e vlerësoi si rrallëkush talentin e Agimit, prandaj sakrifikoi karierën e saj në Radio-Tirana për të qenë pranë tij, për ta bërë atë që është. Këto cilësi të rralla të bashkëshortëve do të rrënjoseshin thellë tek të dy djemtë e tyre, tek Gusti dhe Diti, të cilët, duke ndjekur gjurmët e të atit, falë talentit dhe angazhimit të tyre, po krijojnë individualitetin e vet në artet figurative.

   Largimi nga jeta i bashkëshortes, i mësueses së paharruar për të gjithë Shijakun, Durrije Faja, qe goditja më e rëndë në jetën e tij. Por Agimi, me atë madhështinë e vet karakteristike, e përballoi dhe dhe nuk e ndërpreu aktivitetin e vet krijues.

   Atë nuk e mposhti as operacioni i rëndë i kryer para një viti, i cili për fat të keq, e bllokoi fizikisht. Por me atë stoicizmin e vet të veçantë ai ruajti deri në fund besimin në jetë, të shoqëruar me humorin e tij të rrallë. E gëzuan pa masë paraqitja e punimeve ditët e fundit si në galerinë qendrore në Tiranë ashtu edhe në Durrës, si tregues të vlerësimit të vazhdueshëm të veprës së tij. Me plot gojën mund të themi se biri i shquar i Shijakut dhe i gjithë Shqipërisë, Agim Faja, e kreu më së miri detyrën e tij ai atdhetar, si qytetar, si krijues dhe si prind.

   28 qrshor 2017. Kjo ditë shumë e trishtuar përtë gjithë në Shijak dhe më gjërë do të shënonte fundin e rrugës së jetës të piktorit të shquar dhe mikut tonë të madh Agim Faja. Në orën pesë të mëngjesit ai do të ndahej përfundimisht nga jeta. Arkivoli me trupin e të paharruarit Agim Faja u vendos në pallatin e kulturës të qytetit. Me qindra e qindra qytetarë të ardhur edhe nga Kavaja, Durrësi, Tirana etj, bëjnë homazhe në nderim të birit të madh të Shijakut e të gjithe Shqipërisë. Thëllësisht të tronditur epërcollën me fjalë zemre mikun e tyre, shkrimtari I shquar Shpend Topallaj, gjithashtu edhe miku dhe bashkëpunëtori tij i ngushtë N. Sudar. Jehonë patën vargjetshumë të ndjera të poetit kavajas Josif Doja, mik i vjetër I piktorit.

   Dekadat kanë lënë gjurmë të pashlyeshme, duke e ngritur gjithnjë e më lart figurën e rrallë të “njeriut të vërtetë” Agim Faja. Shkrimtarja e mirënjohur brendadhe jasht vendit, Flutura Açka, nga Utrehti i largët i Hollandës, tepër eprekur shkruan në fejsbuk:

Një shënim peng për Agim Fajën.

Një javë më parë, siç më ndodh shpesh kur jam jashtë, nga shkujdesja ndaj telefonit, e kisha humbur një telefonatë nga miku im Agim Faja. E pashë shumë më vonë se ora 10.28 kur ai kishte telefonuar. Ndaj i shkrova një sms: “I dashur Agim… “ dhe mes te tjerash i kërkoja lejë nëse mund ta botoj një foto nga të fundit që bëra me të, bashkë me një shënim të vogël të dashurisë dhe admirimit tim për të, dhe se do të vija ta takoja së shpejti. Nuk mora përgjigjje, dhe kam një peng të madh se nuk do ta marr më përgjigjjen. E kisha bërë rutinë të shkoja shpesh dhe ta takoja në studion e tij. Më telefononte shpesh, më shume ai me atë kujdesin e tij të patëdytë, thjesht për t’ia dëgjuar zërin njërit-tjetrit.

Me Agim Fajën jam takuar shpesh në studion e tij në Shijak dhe gjithnjë e kam vërejtur se edhe pse baritja ime shkonte nëpër një hapësirë më të gjerë se ç’ishte studioja a tij e vogël, ai ishte përherë më i informuar se unë mbi botën e madhe, me të mund të flisje gjithçka, por për politikë më pak se për gjithçka. Rrethuar nga shënime të pafundme të radhuar tashmë në fashikuj të lidhur bukur si ai dinte, mes pikturave të tij, ca edhe nudo të fshehura dikur në të ritë e tij, mes një dashurie dhe përkushtimi të rrallë si e bijve të tij dhe mes kujtimeve që dinte si t’i mbronte dhe çmonte në përkryerje, Agim Fajën e gjeje në punë, edhe pse të tetëdhjetat e tij e kufizonin. Dhe në çast, në tryezën e tij të mbushur me botën e tij pikturike, një tryezë pune që i ngjante një koleksioni të çuditshëm me përmasën e një minibote, nga kujdesii Durries, së shoqes, sa ishte gjallë, dhe më vonë të birit, Arditi, në tryezë ia behnin gjithfarë pijesh, ëmbësirash e frutash mikpritjeje, që e sfidonin për ca çaste shtrëngesën qe i ka shoqëruar gjithë jetën artistët e vërtetë shqiptarë. Në jetë më ka ndodhur rrallë të takoj njerëz që të kenë një respekt të tillë për kulturën dhe historinë shqiptare si ai. Agim Faja ishte një piktor i mrekullueshëm, por dhe një njeri aq i dashur. Por ishte edhe një muze i gjallë. Dhe ka lënë pas një muze të vyer. Agim Faja nuk kishte kompjuter që të të habiste me virtualitetin e ftohtë dhe fantazmagorik të dizajnit të sotëm, vazhdonte ashtu me penë e bojëra shkollën e tij “të vjetër” për të cilën botën do ta zërë gjithmonë malli, dhe edhe pse me shkëlqimin e tyre që zë pluhur ndonjëherë në këndin e relikteve, na ndjell një emocion akut kur e ndeshim dhe na bën të na kalojnë një grimherë sindromën e Stendalit, siç më bënin nudot dhe pikturat e hershme në studion e Agim Fajës, që nuk kishin vetëm peshën e dikurshme të emocioneve të tij, por të secilit prej nesh kur jemi tërësisht vetvetja. Unë nuk e di nëse i kam të sakta shënimet e takimeve me Agim Fajën, por di që Agim Faja mbante me kujdes çdo detaj të jetës së tij, pasi për të çdo çast kishte vlerën që i jep vetë njeriu, dhe një punëtori të madh si ai çdo çast kishte një peshë specifike të tillë, të pazakontë mes shqiptarësh. Do të më mungosh miku im, tani kthesën për Shijak do ta marr më rrallë, por ajo studio e vogël në shtëpinë e vjetër në Shijak, është ndër gjërash që do ta vizitoj përherë me mall.

U prefsh në paqe miku im, Agim Faja!

Utrecht, 28 qershor 2017

Në fjalën e tij ngushëlluese të mbajtur para popullit të Shijakut, me rastin e largimit nga jeta e humanistit të madh Agim Faja, shkrimtari ipërmendur Shpend Topallaj theksoi:

 Lamtumirë “Pishtari i demokracisë, AGIM FAJA!

I shtrenjti dhe i paharruari ynë Agim Faja! Ne, të afërmit, shokët dhe miqtë e tu, jemi mbledhur sot rreth teje, jo si herët e tjera; për të parë veprën tënde, për të dëgjuar fjalët e tua të mençura e për të shijuarhumorin tënd të pashuar, por, për të të dhënë me lot në sy dhe përmes një pikëllimi të thellë, lamtumirën e fundit. Ti vetë ishe i përgatitur shpirtërisht për këtë ditë, përderisa mbaje përballë, të varur në murin e studios tënde, porosinë proverbiale të Mark Tuenit “ Të jetojmë në mënyrë të tillë që kur të vdesim t`i dhimbsemi edhe varrmihësit”. Pastaj, ti e kishe zgjedhur edhe vendin ku do të preheshe në përjetësi;pranë Durrijes tënde të dashur, njësoj si Xh. Verdi dikur që kishte shfaqur dëshirën të varrosej atje, në Casa di Riposo, pranë Xhuzepinës së tij. Ithtar i Senekës që thosh se “Jetëgjatësia nuk varet prej meje. Por prej meje varet mënyra e të jetuarit për sa kohë do të jetoj”, ti u ndave paqësisht me jetën: ajo u tregua bujare me ty, por edhe ti, me talentin e rrallë, me vlerat e spikatura njerëzore dhe me vullnetin e pashembullt në punë, e zbukurove atë me penelin dhe penën tënde. Veç, ti ishe më shumë se kaq: pasi me emrin tënd të praruar u identifikua i gjithë qyteti i Shijakut me rrethina që ti i doje aq shumë, me ato traditat e njohura atdhetare, demokratike e kulturore. Me një durim e këmbëngulje të admirueshme, ti u shërbeve atyre me forcën e një institucioni të vërtetë, duke fiksuar dhe evidentuar historinë. Njëkohësisht, me dashamirësinë tënde, u bëre babai i aradhës së piktorëve shijakas,por dhe mburrja e sa e sa artistëve, shkrimtarëve dhe intelektualëve anë a mbanë Shqipërisë e më gjerë. Se ti, siç ishe mjeshtër i madh dhe artist i merituar në të pikturuar, nuk e kishe shoqin në të fituarit e zemrave të të tjerëve. Ti kishe pafundësisht shokë e miq që nga akademikë e deri fshatarë të zakonshëm, pasi ishenë radhë të parë vetë i tillë. Duke e parë jetën, sipas parimit filozofik, si dhuratë të natyrësdhe të jetuarit si dhuratë e mençurisë, ti me gjithë qenien tënde u mbështetedhe përfaqësove atë që thjeshtë e quajmë “tabani popullor”. Është kjo arsyeja që më jep të drejtën e pamohueshme të them se me ikjen tënde fizike, Shijaku humbi birine saj më të çmuar, Durrësi artistin emërmadh dhe i gjithë vendi, piktorin dhe ilustratorin më simpatik e shpirtlirë. Familjes, që ti Agim e kishe të shenjtë, do t`i mungojë babai, gjyshi dhe mësuesi i pazëvendësueshëm, gjë për të cilën ne me hidhërim të madh i shprehim ngushëllimet tona të sinqerta. Dhe me këtë rast, lejomë të të përcjell dhimbjen e madhe të mikut tënd 99 vjeçar, Heroit të Popullit dhe Nderit të Kombit, gjeneral leitenant Rrahman Parllakut, pasi në organizatën që ai drejton, ti Agim Faja ishe zgjedhur njëzëri anëtar nderi. Me të tillë dhimbje do largohemi nga Shijaku (i cili si kurrë më parë edhe pse në një ditë shkëlqimtare plot diell, po na duket më gri) edhe ne shokët e miqtë e tu të shumtë, të ardhur nga çdo anë, por, duke marrë me vete bindjen se banorët e tij do të të përjetësojnë si Njeri dhe Artist të mrekullueshëm, me një epitaf si ai që kishte zgjedhur Bajroni për veten e tij se “Unë jam hi, aty ku dikur isha zjarr.” U prehtë në paqe shpirti yt i mirë dhe të qoftë i lehtë dheu i vendit që ti e deshe aq shumë!”

  “Mjeshtri i madh i punës”, dirigjenti i mirënjohur brenda dhe jashtë vendit, Ermir Dizdari, shkruan:

   “Si shijakas dhe mik i hershëm i të paharruarit Agim Faja, u trondita thellë nga kjo humbje e madhe, jo vetëm për Shijakun e Durrësin, por për të gjithë vendin. E kam njohur Agimin dhe familjen e tij që në atë kohë të largët e më vonë në Liceun Artistik “Jordan Misja”, në Tiranë. Po kështu dhe edukatoren e rrallë Durrije Fajën, që e kam pasur mesuese. Me Agimin e kam ruajtur shoqërinë e miqësinë edhe kur unë punonja ne Durrës e ai në Shijak. Për vite me radhë ka drejtuar degën e Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të rrethit të Durrësit. Këtu spikati, jo vetëm aftësia e tij si krijues, por edhe si drejtues i suksesshëm i këtij organizmi, që përfshinte të gjithë krijuesit e rrethit. Gjatë gjithë kesaj kohe ruaj për Agimin kujtimet më të mira, si krijues shumë i përkushtuar per pikturën, por edhe për historinë e për gjithçka që kishte të bënte me vendlindjen e tij.

   E pamundur është ta veçosh Agimin – krijues, nga Agimi – njeri. Ai ishte shembull në familje dhe jashtëzakonisht i mirëpritur në shoqëri; gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar cilindo.

   Shpesh me time shoqe, Maritën, i shkonim për vizitë, ku ndjenim një kënaqësi të patreguar nga mikpritja e rrallë, nga biseda e këndshme dhe nga humori i tij shumë tërheqës. Kam shumë kujtime e mbresa, qëkur bënte ilustrimet e revistës “Fatosi” e deri ne ditët e fundit të jetës. Por sigurisht që në këto pak radhë nuk mund t’i shkruash të gjitha ato. Jam i bindur se ai e meriton një monografi të vërtetë për jetën dhe veprimtarinë shumëvjeçare. Largimi i tij nga jeta është një humbje e madhe, jo vetëm për artin, por për të gjithë shoqërinë tonë, prandaj do të shprehesha: “U prehtë në paqe!” sepse e meriton”.

Doktori i shkencave, Abaz Hado, ish nxënës i piktorit të madh, Agim Faja, nënvizon:

    “Piktori i merituar” Agim Faja është njëri nga figurat kryesore të pikturës shqiptare dhe sidomos të fillimeve të saj. Kontributet e tij mbeten kryesisht në fushën e vizatimit, të grafikës dhe të ilustrimit, ku mund të cilësohet si njëri nga piktorët kryesorë shqiptarë të zhanrit të ilustrimit. Qysh nga vitit 1965 e derii në ditët e fundit të jetës ai ka krijuar me mijëra vizatime, ilustrime, ku mund të përmendim ilustrimin e botimit prestigjioz “Tregime të moçme shqiptare”, ilustrimin e “Abetares”, që për mbi 30 vjet u bë Iibër shumë i dashur për fëmijët. Ai u angazhua si njëri nga ilustratorët më të mirë të revistës “Fatosi”.

 Në gjithë krijimtarinë e Agim Fajës dhe në vokacionin piktural të tij ka me dhjetra vizatime apo piktura si panoja dekorative “Verë e vitit 1965”, tabloja kushtuar dëshmorit “Gjikë Kuqali”, ato kushtuar “Zgjedhjeve të para të vitit 1945” dhe “Kanalit të Jubës”. Të përmendur do të mbeten edhe shumë pejzazhe të arrira nga e gjithë Shqipëria, portrete e grafika. E gjithë kjo krijimtari ka bërë që A. Faja të krijonte një korpus veprash, që dallojnë për trajtimin e figurave në mënyrë shumë interesante.

Emri i “Piktorit të merituar” shijakas, Agim Faja, do të mbetet një emër i nderuar edhe në shumë fusha të tjera të jetës dhe gjithmonë do të kujtohet me respekt të thellë”.

   Do të ishte në nderin e bashkisë së qytetit që të hapë një kënd muzeal kushtuar jetës dhe veprimtarisë së njërit prej bijve të shquar, jo vetëm të Shijakut, të Durrësit, por edhe te gjithë Shqipërisë, të piktorit, historianit dhe publicistit të paharrruar Agim Faja.

*Historian dhe përkthyes

SHKARKO APP