‘’Lapsuset’’ që i ndeshim rëndom në media

Nga Ilirjan Gjika                   

***

Shpeshherë në median tonë të shkruar apo elektronike vihen re disa ‘’gabime’’ të cilat po shtrembërojnë kuptimin e emrave të vendeve, termave tradicionalë, apo dukurive të ndyshme. Disa prej këtyre ‘’lapsuseve’’ po i trajtojmë shkurtimisht në formën e këtyre shkrimeve të shkurtra, me qëllim që nëpërmjet përdorimit korrekt të tyre në media, të informojmë drejt publikun dhe mediumin.

***

“Diku në fillim të viteve ’90-të, në shtypin tonë të përditshëm, në mënyrë të gabuar, Berati, në vend të termit historik si ‘’Qyteti i një mbi një dritareve’’, nisi të emërtohej ‘’Qyteti i një mijë dritareve’’. Më pas u desh mëse një një dekadë e tërë përpjekjesh që vetë media ta korigjonte këtë ‘’lapsus’’ dhe ta etiketonte përsëri atë me emrin e ‘’ligjshëm’’: “Qyteti i një mbi një dritareve”.

Ndërkohë që kostatojmë me keqardhje që kjo ‘’sindromë’’ është shfaqur përsëri në median tonë. Lidhur me këtë rast po bëjmë një shpjegim të shkurtër për ta korigjuar përfundimisht problemin. Këtë emërtim, si ‘’Qyteti i një mbi një dritareve’’, Berati, e ka marrë nga lagja e tij karakteristike, Mangalem, e cila ndodhet në bregun e djathtë të lumit Osum. Duke u ngritur nga lumi drejt pjesës jugore të shkëmbit të kalasë, ku mungojnë hapësirat për ndërtim, shtëpitë e kësaj lagjeje janë ndërtuar duke u vendosur mbi njëra-tjetrën. Si rezultat edhe dritaret e tyre ngrihen një e nga një dhe nga kjo tipologji e tyre, Berati, është quajtur si “Qyteti i një mbi një dritareve”.   

Por në formën e këtij fenomeni po ndodh shpesh që të ngatërrohet edhe termi ‘’teatër’’ me  ‘’amfiteatër’’. Kështu, në shkrime, lajme, kronika apo reportazhe të ndryshme po lexojmë dhe dëgjojmë fraza të tilla, si: amfiteatri i Butrintit, ai i Apolonisë, Amfiteatri Veror pranë liqenit artificial të Tiranës, etj. Etiketime të tilla janë tërësish gabim sepse në këto raste nuk kemi të bëjmë amfiteatro por me teatro. Biles për të mos thënë që këto ‘’gabime’’ i kanë bërë edhe emra jo të panjohur të kësaj fushe.
Ndërkohë që edhe në këtë rast duhet të bëjmë shpjegimin përkatës. Duhet theksuar se, teatri kanë qënë një ndërtesë me arkitekturë dhe funksion të veçantë, i cili u ndërtua fillimisht në Greqinë antike. Më pas ai u përhap në Romë dhe në hapësirën mesdhetare, përfshirë edhe territorin e vendit tonë. Në teatër viheshin në skenë letërsia e teatrit, ku bënin pjesë dramat, tragjeditë dhe komeditë. Gjithashtu në të recitoheshin edhe poezi, nëpërmjet të cilave sipas Aristotelit bëhej ‘’katarsisi’’, fjalë që ka kuptimin e ‘’pastrimit të shpirtit’’ nëpërmjet artit dhe emocioneve.

Në territorin e Shqipërisë së sotme, godina të teatrove të dikurshëm kemi ato të Apolonisë në Fier, të Bylisit dhe Nikajës në Mallakastër, Orikut në Vlorë, Adrianopolit në Gjirokastër, Foinikes në Delvinë, Butrintit në Sarandë, etj. Ndërsa në Apoloni ndeshim edhe Odeonin ose teatrin e vogël, ku jepeshin shfaqjet muzikore apo ku nën tingujt e harpës recitoheshin poezitë.
Ndërkohë që ndyshe nga teatri, amfiteatri është një tjetër ndërtesë e antikitetit dhe krejt e ndyshme me të për nga arkitektura dhe funksioni. Amfiteatri vjen nga tradita e romake (i huazuar nga etruskët), në të cilin zhvilloheshin ndeshjet e gladiatorëve apo ato me kafshë të egra. Një përfytyrim të mirëfilltë të tij mund ta krijojmë nga skenat e filmit të njohur ‘’Gladiatori’’.

Duhet thënë se i vetmi amfiteatër që gjendet në vendin tonë është ai i Durrësit, ku shpjegime të sakta dhe të hollësishme për të dhe amfiteatrot e tjerë mund të gjenden në librat historikë, në enciklopeditë e ndryshme apo në fjalorët e arkeologjisë.

Ndërsa një tjetër problem që përbën ngatërresë është ai që shfaqet mediatikisht gjatë stinës së verës. Kjo kohë pushimesh sjell edhe interesin e madh për bregdetin e Vlorës, në të cilin  shpesh herë rubrikat informative apo reportazhet e ngatërrojnë detin që e lag atë, siç është rasti i Adriatikut me Jonin.
Rreth këtij probemi mund të bëjmë një shpjegim pak më të gjerë. Kështu mund të themi se, në antikitet kufiri ndarës midis Adriatikut dhe Jonit ishte diku pranë qytetit të Durrësit të sotëm. ‘’Epidamni është një qytet që gjendet në anën e djathtë kur hyn në gjrin e Jonit. Pranë tij banojnë barbarët taulantë…’’, shkruan në shkrimet e tij, ‘’Babai i Historisë’’: Herodoti. 
Përveç tij janë një sërë autorësh antikë që e përmendin këtë fakt si Pausania, Lukiani, Aristoteli, 
Klaud Eliani, Vib Sekuestri, Foti, Theofrasti, etj. Interesante janë edhe të dhënat që na jep mitologjia. Ato kanë të bëjnë me emrin e detit Jon. Sipas saj qyteti i Durrësit të sotëm u quajt Epidamn prej themeluesit të tij. Bija e Epidamnit, Melisa nga lidhja e saj me perëndinë  e detit, Poseidonin, lindi Dyrrahun. Ndërsa prej këtij të fundit lindi Joni, i cili u vra nga Herakliu.

Ky i fundit e hodhi trupin e Jonit në det dhe prej kësaj ngjarjeje legjendare deti nisi të emërtohej me emrin e tij: Jon.
Ndërsa sot gjithçka është ndryshe. Kufiri ndarës midis dy deteve është zhvendosur më në jug. Kështu segmenti imagjinar Karaburun-Otranto përbën vijën ndarëse midis Adriatikut dhe Jonit.
Pra, Vlora dhe gjiri i saj lagen nga ujërat e detit Adriatik, ku në brigjet shqiptare, vija ndarëse midis tij dhe Jonit merret kepi i Gjuhëzës në gadishullin e Karaburunit. 
Ngatërresa ndodh, sepse Joni shpesh identifikohet me Rivierën Shqiptare e cila quhet rëndom edhe si Riviera e Jonit. Ndërkohë që Riviera nis në jug të qytetit të Vlorës në vendin e quajtur si ‘’Uji i Ftohtë’’ Pra brigjet e Rivierës lagen nga dy dete: Adriatik dhe Jon, ndërsa Vlora dhe gjiri i saj vetem prej Adriatikut.

Si përfundim mund të themi se ka ardhur koha që këto fenomene dhe të tjera të ngjashme me to duhet të frenohen dhe korigjohen në kohë. Në të kundërt jo vetëm shumë prej vendeve, dukurive apo termave tradicionalë do të humbasin kuptimin e mirëfilltë të tyre, por nëpërmjet këtyre gabimeve do të ç’edukojmë publikun dhe mediumin.

Ndërkohë që zgjidhja është shumë e thjeshtë. Konsultimi i të dhënave përpara botimit të çdo shkrimi.

SHKARKO APP