Lazër Stani: Jemi në prag diktature

Nuk ka asgjë më të tmerrshëm, më fyes dhe më depresiv se banaliteti”. Kjo thënie e Çehovit është për shkrimtarin Lazër Stani përshkrimi që i shkon sjelljes së politikanëve në pushtet sot në vend, duke marrë shkas nga leksiku i përdorur nga deputetë, ministra, në përgjimet e publikuara nga Bild. Sipas Stanit jemi në prag diktature dhe vetëm një protestë paqësore dhe e vendosur qytetare mund ta sjellin politikën në binarët e normalitetit.

Kriza politike në vend ka arritur pikën më të nxehtë, si e shikoni ju këtë që po ndodh në politikë?

Të gjitha krizat politike, që kanë ndodhur në Shqipëri gjatë viteve të postkomunizmit kanë një shkak të përbashkët: dhunimin e proceseve zgjedhorë, manipulimin, mosrespektimin e lirisë së qytetarit për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur. Kjo ka sjellë si pasojë zëvendësimin e qeverisjes demokratike me sundimin autokratik. Qytetari nuk ka mjet tjetër për ta kontrolluar qeverisjen veçse votën e lirë. Nëse kjo liri e qytetarit shtypet, mohohet, atëherë, pushteti bëhet i papërgjegjshëm, i pakontrollueshëm. Pikërisht kjo ka ndodhur në Shqipëri në vitet e fundit dhe ky është shkaku thelbësor i krizës së tanishme politike. Franklin Roosvelt thoshte se “liria e një demokracie nuk është e sigurt nëse populli lejon rritjen e fuqisë private deri në atë pikë, sa ajo të bëhet më e fortë se shteti demokratik”. Pikërisht në këtë pikë kemi arritur ne; fuqia private e kryeministrit është më e fortë se shteti demokratik dhe institucionet e tij. Ai qëndron mbi institucionin e presidentit, të gjykatave, të atyre që ekzistojnë dhe të atyre që janë shkrirë, të prokurorisë, të të gjitha institucioneve që përbëjnë shtetin demokratik. Gjithçka kemi arritur në këto tridhjetë vite, tashmë është e shtrirë nën këmbët e kryeministrit. Dhe në një farë mënyre të gjithë ne jemi përgjegjës për këtë, sepse me heshtjen, indiferencën, tolerancën, lejuam që një njeri të bëhet më i fuqishëm se shteti demokratik, aq sa, me arrogancën e tij të padëgjuar, refuzon t’i bindet edhe dekretit të presidentit për anulimin e zgjedhjeve, duke e futur vendin në krizë të thellë institucionale, çka nuk ka ndodhur asnjëherë gjatë tridhjetë viteve të fundit. Ky është prag diktature. A janë të gatshëm shqiptarët t’i dorëzojnë një njeriu liritë e tyre, ato liri të kufizuara që u kanë mbetur? Unë besoj se jo, sepse plagët e diktaturës ende dhembin fort në trupin e Shqipërisë.

Në analizën tuaj si shkrimtar e intelektual, mos vallë kemi dështuar ne si shoqëri që nuk marrim masa mbrojtëse ose garanci që mos të lejojmë politikën dhe politikanët të vijnë deri në këtë pikë?

Dështimi është një fjalë shumë e rëndë dhe nuk do ta shqiptoja kurrë këtë, edhe sikur të ishte i vërtetë. Por gjendemi në prag të dështimit. Para disa javësh isha në Kukës në një takim me nxënës të gjimnazit “Havzi Nela” në një dialog të hapur për të shkuarën diktatoriale. Në fund të bisedës iu bëra një pyetje nxënësve: “Sa prej jush e projektoni të ardhmen tuaj në Kukës?” Përgjigjja ishte shokuese: asnjë nxënës nuk e projektonte të ardhmen e tij në këtë qytet të bukur të Verilindjes. Shumica e tyre mendonin të studionin e të përgatiteshin që t’i siguronin një të ardhme vetes në Europën Perëndimore, ose në SHBA dhe Kanada. Para këtij fakti tronditës shembet e bëhet pluhur e gjithë propaganda ngashënjyese e “Rilindjes”. Po i rikthehem edhe njëherë Franklin Roosvelt-it që thoshte se “Liria individuale nuk mund të ekzistojë pa pavarësinë dhe sigurinë ekonomike”. Pa siguri dhe pavarësi ekonomike njerëzit shndërrohen në lëndë të parë për diktatorët. Dhe fëmijët tanë nuk duan ta pranojnë një fat të tillë ndaj ikin ku e si munden, nga sytë këmbët. Vetëm ky fakt do të mjaftonte që ne të ngriheshim të gjithë në këmbë dhe ta sillnim politikën në vete, ta kthenim atë në rrugën e arsyes. Unë ende besoj se shqiptarët do të gjejnë forca ta ndalin këtë proces të tmerrshëm të zhbërjes së kombit dhe pse më trishton fakti, që përballë një realiteti të tillë, elita e shoqërisë, nëse kemi një të tillë, qëndron indiferente, e trysur në banalitetin rrënues të përditshmërisë.

Pse është kaq agresive politika? Si shpjegohet që shkohet kaq lehtë deri në skaj?

Agresive është politika e veshur me pushtet. Një politikë, që t’i merr të gjitha liritë politike, ekonomike dhe njerëzore, që e siguron mbijetesën nëpërmjet një parlamenti të rrethuar me tela me gjemba e qindra policë si të ishte një kamp përqendrimi, shpreh një agresivitet ekstrem. Qytetari dhe opozita nuk ka mjet tjetër që t’i kundërvihet kësaj politike, veçse protestën, kundërshtimin, rezistencën. Unë besoj te fuqia e protestës paqësore, te fuqia ndryshuese e rezistencës paqësore. Nëse qytetarët e bashkuar rezistojnë paqësisht, do ta mundin ketë qeveri që mbrohet me gaz lotsjellës, shkopinj gome, kordonë policësh e skuadrone komandosh, që fshihet e mbrohet pas gardheve me tela me gjemba, pavarësisht agresivitetit dhe dhunës së saj. Të dhunshmit bëjnë dëme, por nuk kanë të ardhme.

Sipas jush, si mund të dilet nga kjo krizë? A mund të shohim një zgjidhje të afërt? Nëse jo, çfarë na pret?

Po shikoja këto ditë audiopërgjimet e publikuara nga “Bild” dhe në mendje më vinte një thënie e Çehovit: “Nuk ka asgjë më të tmerrshëm, më fyes dhe më depresiv se banaliteti”. E lëmë më një anë manipulimin e votave dhe po marrim vetëm aspektin estetik të atyre bisedave të zhvilluara midis deputetësh, ministrash, të atyre që duhej të ishin elita qeverisëse e vendit. Një banalitet llahtarisës. Si mund t’iu besosh të ardhmen e fëmijëve të këtij vendi, njerëzve që përdorin një leksik të tillë të tmerrshëm, fyes, depresiv. Edhe në rrugë njeriu normal përpiqet t’i shmangë njerëz me formim të tillë, larg qoftë të ulet me ta në kafe, e jo më të qeveriset prej tyre. Ky nuk është leksik elitash qeverisëse, po fjalor banditësh, fjalori i një bande rruge. Edhe ky fakt do të mjaftonte që qeveria të dorëhiqej, të zhdukej nga skena. Por nëse kjo qeveri me arrogancë vazhdon të mbajë pushtetin, duke e zhytur vendin përditë e më shumë në krizë, atëherë e vetmja zgjidhje është protesta, rezistenca paqësore dhe e përditshme e qytetarëve të bashkuar rreth opozitës. Asnjë bandë qeverisëse nuk mund t’i bëjë ballë kësaj rezistence paqësore dhe të qëndrueshme.

Pse këtu në Shqipëri shitblerja e votës nuk shihet vetëm si një problem penal, një problem i drejtësisë, por është kthyer në një çështje kulturore?

Sepse ne ende nuk jemi një shoqëri njerëzish të lirë, njerëzish që kanë pavarësi dhe siguri ekonomike. I varfëri nënshtrohet, shet mjerimin e vet për disa kacidhe dhe shpërblehet për këtë me katër vite të tjera mjerim. Kjo është njëra anë. Nga ana tjetër, ky tranzicion i zgjatur shumë, njerëzve ua ka vrarë shpresën, ua ka rrënuar vizionin e të ardhmes. Ne kemi një shprehje të tmerrshme që e quajmë edhe fjalë të urtë: “Më mirë një vezë sot se një pulë mot”. Kjo tregon mungesën totale të vizionit të së ardhmes, mungesën e shpresës që na ka shoqëruar në shekuj. Dhe ky sigurisht është një problem kulturor. Kjo, gjithashtu, ka të bëjë edhe me një mentalitet nënshtrimi, pajtimi me të keqen, çka ka lëshuar rrënjë thellë në mentalitetin tonë. A nuk jemi ne bartësit e asaj shprehjes së vjetër: “Në Selanik e tatëpjetë/siç ka qenë do të jetë”. Pra, pse të mundohemi. Asgjë nuk do të ndryshojmë! Këtë ua kemi ngulitur në mendje edhe fëmijëve tanë që vetëm ikin nga Shqipëria, e projektojnë të ardhmen e tyre tjetërkund. Edhe njëherë që studentët u ngritën për ta ndryshuar këtë realitet, ne nuk i mbështetëm. I lamë vetëm deri sa ata i thyen.

Si njeri i letrave cili është apeli juaj sot për klasën politike? Çfarë do të donit të shikonit te sjellja e politikanëve shqiptarë në këtë kohë krize?

Vetëm kryeministrin që flet për sukseset e “Rilindjes” nuk do të doja ta shihja. Dhe në veçanti kryetarin e Bashkisë së Tiranës, që bën fushatë me veten, se kandidatë rivalë nuk ka, çka më kujton figurat groteske të sekretarëve të Partisë së Punës që bënin fushatë duke sharë Mbretin, ballistë e zogistë edhe pse kishin kaluar tridhjetë a dyzet vjet në pushtet. Edhe ata flisnin për suksese imagjinare dhe për jetën e lumtur të popullit nën sundimin e tyre, ndërkohë që e identifikonin veten me Shqipërinë. Unë them se duhet të marrë fund spektakli i shëmtuar i këtyre ditëve, një spektakël fyes për inteligjencën e çdo shqiptari. Personalisht më bën të ndihem keq kjo gënjeshtër e madhe publike, ky banalitet politik i orkestruar me kujdes nga mashtrues profesionistë.

Ndërkaq është e kotë t’u bësh apel njerëzve që nuk kanë veshë të dëgjojnë dhe sy të shikojnë, sepse kemi të bëjmë me njerëz që janë verbuar dhe shurdhuar nga pushteti i tyre. Apeli im shkon për qytetarët, sepse vetëm ata me protestën e tyre, rezistencën e tyre paqësore, me vendosmërinë tyre për të mos i dorëzuar të drejtat dhe liritë politike te sundimtari i radhës, mund ta sjellin politikën në binarët e normalitetit. Dhe kjo zgjidhje unë besoj se do të vijë shpejt, pavarësisht se ngjan sikur jemi futur në një rrugë pa krye, në një tunel të errët pa dalje.

SHKARKO APP