Legjendari Rrahman Parllaku

Nga Sakip Cami

Rrahman Parllaku, Hero i Popullit, për merita në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, Nderi i Kombit, i dekoruar nga Presidenti Bujar Nishani, ish komandant i Divizionit të V gjatë LANÇ, Gjeneral Leitnant dhe Zv ministër i Mbrojtjes, Zv Shef i Shtabit të Përgjishëm të Ushtrisë Shqiptare, i burgosur politik me 25 vjet nga regjimi diktatorial, sot Kryetar i Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të Popullit Shqiptar

Rrahman Parllaku u lind në Novosej të Kukësit me 17 prill 1919.
Njerëz si Rrahman Parllaku janë të pavdekshëm sepse bëmat e tyre janë të pavdekshme.
Ai nuk vdiq kur u plagos dy herë gjatë luftës nacionalçlirimtare, nuk vdiq kur e burgosën dhe e internuan gjatë diktaturës komuniste. Nuk vdiq pasi nuk vdesin heronjtë e këtij populli të pavdekshëm.
Rrahman Parllaku është nga Novosej i Kukësit, nga Luma, nga ai vend ku nga një pasha turk e mbysnin për vjet ashtu siç thotë kënga popullore “Djemtë e Lumës nuk kanë dert, nga një pashë e mbysin përvjet”. Është nga ai vend ku serbët u zbrapsën me turp sepse udhëhiqeshin nga kryetrimat Ramadan Zaskoci e Islam Spahia.
I rritur në këtë vend me kaq shumë tradita të mëdha patriotike nuk kishte si të dilte ndryshe, veçse të bëhej edhe Ai një hero i popullit shqiptar.
Djaloshi kuksian e filloi veprimtarinë e tij luftarake në Vlorë që më 28 nëntor 1941, ku shumë shpejt u bë drejtues dhe organizator i grupeve guerile të këtij qyteti të Jugut të Shqipërisë. Më vonë u bë komisar batalioni batalioni në Br V S, Zv Komisar i Br VIII S, komandant i Divizionit të V në nëntor 1944 dhe komisar i Korparmatës së II në prill 1945.
I plagosur në Kallarat të Kurveleshit dhe në Junik të Kosovës, ai është shembull i trimërisë mbarëkombëtare dhe i qëndresës njerëzore.
Rrahman Parllaku është njeriu që gjithë jetën e tij ja kushtoi luftës nacionalçlirimtare, ushtrisë shqiptare dhe çështjes mbarëkombëtare.
Drejtor Politik më 1948, Zëvendës ministër i mbrojtjes më 1952, Zëvëndes Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Gjeneral Leitnant me gradë të fituar në luftë dhe në betejat e mbrojtjes së atdheut, komandant i forcave tokësore, detare, ajrore dhe i logjistikës, ushtaraku që njihte çdo rrahje të zemrës së uhtrisë, ky ishte Rrahman Parllaku. Heroi i Popullit shqiptar, Hero i Popujve që luftuan dhe fituan në Luftën e II Botërore, Gjeneral Rrahman Parllaku u burgos nga diktatura komuniste sepse njerëz të tillë viganë, patriot dhe të përgatitur nuk i donte diktatura.
Por a burgosen viganët, a vdesin heronjtë. Sigurisht që jo. Përsëri në krye të Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Popullit Shqiptar qëndron Heroi i Popullit Rrahman Parllaku.
Gjatë luftës së Kosovës në vitin 1999 shkon për herë të dytë në Kosovë në krye të një grupi të madhe veteranësh të LANÇ-it për të dhënë edhe një herë tjetër kontributin e tij. Në vitin 2002 si rrallë kush, kur politikanët dhe historianët strukeshin, Gjeneral Rrahman Parllaku deklaroi në një konferencë para Lordit Robertson , Sekretar i Përgjithshëm i NATO_s dhe Sekretar Britanik I Punëve të Jashtme se shqiptarët e Maqedonisë nuk janë terroristë, por luftëtarë për mbrojtjen e të drejtave të tyre. Ata nuk vrasin gra e fëmijë. Ata mbrojnë të drejtat e tyre që pushteti ua ka mohuar.
Marrëveshja e Ohrit ishte rrjedhojë edhe e ngritjes së zërit para ndërkombëtarëve nga burra trima si Rrahman Parllaku.
Është fat që të kesh personalitete si Rrahman Parllaku. Provokimeve dashakeqe se Lufta Antifashiste e Popullit Shqiptar ishte luftë civile, ai I është përgjigjur me forcë në çdo media. LANÇ ishte një luftë e lavdishme që e rreshtoi popullin shqiptar përkrah fitimtarëve, përkrah aleancës antifashiste të Luftës së II Botërore.
Kombet i mbajnë në këmbë popujt dhe heronjtë. Heronjtë nuk mposhten. Heronjtë nuk vdesin. Rron lavdia e tyre. Rron dhe do të rrojë në shekuj Shqipëria që do t’i nderojë bijtë e saj. Gëzuar ditlindjen Hero ! Pas një viti do të festojmë së bashku 100 vjetorin. Sa më shumë përvjetore me numra treshifror paç o heroi ynë, krenaria mbarëshqiptare !
Sakip Cami

SHKARKO APP