Legjendat që i dhanë emër ekipit “Erzeni”

 

DOSSIER

Nga Nikolla Sudar

Është e pamundur ta imagjinosh Shijakun pa sportin, sidomos pa lojën e mrekullueshme dhe aq popullore të futbollit. I lënë qëllimisht në harresë, me një zhvillim minimum ekonomik vetëm me profil bujqësor, Shijaku nuk e humbi kurrë optimizmin dhe shpresën për një të ardhme më të mirë, që, për fat të keq, do të vononte shumë. Të gjithë pa përjashtim, të vegjël e të rritur, gra e burra, prisnin me ankth tërë javën derisa të vinte e diela, që të ndiqnin në fushën e futbollit skuadrën e tyre të zemrës, “Erzenin”. Për vite me radhë njerëzit e thjeshtë do t’i konsideronin si pjesëtarë të dashur të familjes futbollistët e talentuar, që me përkushtimin dhe aftësitë e tyre bënë emër në historinë e Shijakut. Të shumtë janë ata që kontribuuan për zhvillimin e futbollit, por si sintezë e tyre do të përmend “babain e futbollit shijakas”, njeriun që gjithçka ia kushtoi skuadrës së tij të zemrës, futbollistin dhe trajnerin e mrekullueshëm të “Erzenit”, idhullin e rinisë shijakase, të paharruarin Tofik Jashari, krahun e djathtë të tij, veteranin e luftës, të punës e të futbollit, Sulë Zehiri dhe të mirënjohurin Sabri Peqini, i cili do të bëhej edhe lojtar i përfaqësueses së vendit. Veterani i nderuar Sulë Zehiri, tashmë afër të nëntëdhjetave tregon:

“Futbolli në Shijak do të shndërrohej në domethënie për banorët e qytetit. Breza të tanë futbollistësh do ta nderonin vendlindjen e dashur në shumë kampionate kombëtare të kategorisë së dyte dhe të parë. Shpirti luftarak, ndjenja e lartë e gatishmërisë për t’i dhuruar bashkëqytetarëve sportdashës ndeshje të bukura dhe fitore të denja për dekada me radhë kanë qenë udhërrëfyes për skuadrën e mrekullueshme të këtij qyteti të vogël, por me shpirt të madh. Pa asnjë lloj trajtimi, të mbështetur vetëm nga familjet e tyre dhe sportdashësit e shumtë, djemtë shijakas do të përmenden nga brezi na brez për sakrificat e bëra për të mbajtur lart emrin e mirë të Shijakut dhe për të argëtuar mijëra sportdashës, që mbushnin çdo javë fushën e futbollit. Nga e kaluara mbresëlënëse e këtij sporti kanë shumë për të mësuar futbollistët e rinj të “Erzenit”. Por asnjëherë nuk mund të quhet i plotë historiku i këtij sporti, nëse nuk do të përmendet ikona e tij, tifozi i pazakontë, ndoshta unikal në të gjithë vendin, për të cilin skuadra e “Erzenit” do të thoshte jetë, i paharruari Zyber Varosi. Ai u bë simbol i tifozërisë së mrekullueshme shijakase. Si tani më del para syve fytyra e këtij njeriu “babaxhan”, e këtij burri për të cilin futbolli ishte gjithçka. Amaneti i tij i fundit qe: “Të më varrosni sa ma afër fushës së futbollit…”. Këtë traditë domethënëse të tifozërisë shijakase do ta ndiqnin shumë të tjerë, të cilët me entuziazmin e mrekullueshëm vendas do të mbështesnin skuadrën e tyre të zemrës, “Erzenin” famëmadh. Por midis tyre për vite me radhë do të shquante më i zellshmi dhe ai ishte mësuesi i nderuar, Tofik Dardha. 

 Në vitet e para pas çlirimit, në horizontin e mrekullueshëm të futbollit shqiptar do të shfaqej një meteor, drita e të cilit do të shkëlqejë për sa kohë do të ekzistojë ky sport i bukur dhe më popullori. Ishte fare i ri, kur do të vishte fanellën e kombëtares shqiptare për të mos e hequr për vite me radhë. Dekadat do të kalojnë, por asnjëherë nuk do ta zbehin “mrekullinë shqiptare”, mjeshtrin e vërtetë të përdorimit të topit, golashënuesin e famshëm të skuadrës famoze “Partizani” e të kombëtares, atë që shkaktonte “tërmet” në portën e çdo kundërshtari, të madhin e të pavdekshmin Refik Resmja. Ky djalosh tiranas do të rrëmbente zemrat e qindra mijë dashamirësve të futbollit brenda dhe jashtë vendit. Me “sallaken” e tij të famshme ai do të tmerronte portierët më të mirë të Evropës.

Por ja që në Shijak, me emrin Refik Resmja, ne thërrisnim dikë tjetër. Ai ishte adhuruesi i flaktë i të parit për dekada me radhë, ndoshta më i madhi në Shqipëri. Njeriu që edhe frymëmarrjen e fundit do ta jepte për “legjendën e futbollit shqiptar”, ai, për të cilin Refiku ishte bërë pjesëtari më i nderuar i familjes, quhej Hamit Gurabardhi, njëri nga qytetarët më të ndershëm, më punëtor dhe më modest që ka njohur Shijaku. Marrëdhëniet midis këtij njeriu të thjeshtë dhe yllit të futbollit shqiptar kanë qenë të patreguara. Refiku pa në personin e Hamitit atë mik të vërtetë, atë adhurues të mrekullueshëm, i cili, bashkë me shumë të tjerë, për vite me radhë do t’i jepnin atij ushqimin shpirtëror për të arritur majat më të larta të futbollit. Vizitat e tij në familjen e Hamit Gurabardhit në Shijak ishin festat më të mëdha për të gjithë pjesëtarët e familjes, madje edhe për vetë qytetin. Në shtëpinë e Hamitit cilitdo do t’i binte në sy portreti i të madhit Refik Resmja, ndërsa një tjetër ai do ta mbante në kabinën e kamionit, bashkë me fotot e trofeve të ekipit të zemrës, “Partizanit”. Sot i biri i Hamitit, Hasan Gurabardhi, volejbollisti i dikurshëm virtuoz i skuadrës “Erzeni”, është bërë njëri nga trajnerët më të njohur të volejbollit shqiptar.

 Një entuziazëm të jashtëzakonshëm do të ngjallte për dekada me radhë në Shijak edhe sporti elegant dhe i bukur i vojebollit, ku do të shkëlqenin shumë sportistë të talentuar, që do ta bënin të njohur Shijakun edhe jashtë kufijve të atdheut. Për disa vite me rradhë këtë skuadër e ka sponsorizuar njëri nga sportistët më të mirë të saj, biznesmeni i suksesshëm në të gjithë vendin, Agron Duka. Gjatë kësaj kohe skuadra “Erzeni” u bë kampione e vendit, fitoi kupën e republikës, madje mori pjesë edhe në kampionatin evropian të volejbollit, Si rezulat i këtyre arritjeve befasuese, më të lartat në historinë e sportit në Shijak, qyteti ynë i dashur u bë i njohur edhe në arenën ndërkombëtare. Nuk është e rastit habia e madhe që ngjallte tek të huajt jashtë vendit kur mësonin se skuadra e volejbollit “Erzeni”, që përfaqësonte Shqipërinë, vinte nga një qytet i vogël me dhjetë mijë banorë. Për vite me rradhë u shquan shumë talente në këtë sport të bukur. Të gjithë ne, shijakasit, u detyrohemi shumë atyre për kënaqësinë e madhe që na kanë dhënë me lojën e tyre virtuoze dhe ndjenjën e lartë sportive në mbrojtje të ngjyrave të skuadrës së zemrës. Asnjëherë ata nuk i shtyu interesi material, por pasioni i zjarrtë për këtë sport të mrekullueshëm dhe dëshira e madhe për të argëtuar bashkëqytetarët e vet. Tifozëria e zjarrtë shijakase i ndiqte në çdo qytet të vendit sportistët e zemrës dhe mbështetja që u bëhej atyre ngjallte admirim të madh edhe tek tifozat kundërshtarë. Arritjet e padiskutueshme në këtë sport duhet të shërbejnë si frymëzim për sot dhe për të ardhmen. Volejbollistët e paharruar shijakas, që kanë bërë emër në vite janë të shumtë, por ndër ta do të përmend me respekt të veçantë vetëm dy, të cilët kontribuuan edhe si lojtarë të skuadrës edhe si drejtues të saj, Ali Gurabardhin dhe Lulzim Aliten.

 

Etja për kulturë…

 Krahas sportit shijakasit, si rrallëkush në të gjithë vendin, kanë qenë dhe mbeten të etur për kulturë, veçanërisht lëvizja amatore do ta gjallëronte jetën e qytetit në atë periudhë izolimi të gjatë. Institucioni i parë kulturor në Shijak, kinemaja, do të hapej në vitin 1942 me iniciativën e djaloshit entuziast, Sulë Gallaj. Në atë kohë shfaqeshin vetëm filma bardhë e zi, mjaft prej të cilëve edhe pa zë. Për banorët e qytetit e sidomos për të rinjtë, ajo u bë vendi më i frekuentuar. Pas Çlirimit ndërtesa e kinemasë do të shpërngulej atje ku është edhe sot. Në fillim u ngrit prej dërrase dhe më vonë me mure tulle. Për dekada me rradhë operatori i kinemasë, Rapi dhe punonjësi tjetër Demi (apo “Rapi i kinemasë” dhe “Demi i kinemasë” siç i thërrisnim të gjithë), do të bëheshin figura qendrore në qytet, sidomos për ne, fëmijët, që ndiqnim kohë e pa kohë mrekullitë njerëzore në ekran. Kjo ndërtesë do të shërbente edhe për shfaqje teatrale, të estradës si edhe për ato të grupeve amatore të qytetit, por që tani ajo e ka humbur funksionin. Vite dhe dekada do të kalojnë, por asnjëherë nuk do ta zbehin suksesin e jashtëzakonshëm të amatorëve shijakas, të cilët në vitin 1947 do të jepnin shfaqjen “Dasma shijakase”, që do të triumfonte edhe në qytete të tjerë të vendit, ku protagonistët kryesorë do të ishin Sulë Zehiri dhe e paharruara Besnike Keta (Zehiri).  Për mjaft kohë shtëpinë e kulturës të qytetit do ta drejtonte me pasion Zija Doraci, i cili do të bëhej këngëtar i njohur muzikës popullore. Më vonë ajo do të vendosej në ish xhaminë e qytetit dhe në drejtim të saj do të vihej aktivisti shkodran i kulturës Seit Alia. Ndryshim të dukshëm në veprimtarinë e vet do të provonte ky institucion kur në këtë post do të vinte mësuesi i përgatitur Rexhep Dedja, i cili do të përpiqej për të futur një frymë të re në aktivitetet artistike e kulturore në qytet.   Në kujtesën e banorëve të qytetit është ngulitur edhe një shfaqje shumë e suksesshme e realizuar nga shkolla e mesme “16 Shtatori”, me rastin e 20-vjetorit të Çlirimit të Atdheut. Atë e përgatiti grupi i mrekullueshem artistik mësues-nxënës i këtij kolektivi. Tematika e larmishme, loja e këndshme dhe me nivel e të rinjve të shkollës entuziazmoi te gjithe të pranishmit. I paharruar do të mbetet interpretimi me nivel të lartë i humoristëve të rinj e të talentuar Fatmir Varosi dhe Ruzhdi Rama. Një kulm tjetër do të arrinte deklamimi me pathos të fuqishëm dhe me atë zërin kumbues i poezisë-perlë “O moj Shqypni” nga ana e te riut të apasionuar Shuaip Veliu, të cilin mund ta kishin zili edhe aktorë profesionistë.

Por shkëlqimin e vërtetë lëvizja amatore në Shijak do ta merrte kur në pallatin e kulturës do të emërohej regjizori i talentuar Ritvan Malltezi (ndërkohë që në drejtim të tij për shumë kohë do të ishte veprimtari i zellshëm Baki Burrahi). Regjizori i ri dhe i apasionuar dijti me mjeshtri të përzgjedhë, të afrojë dhe të aftësojë talentet amatorë, të cilët vullnetarisht u angazhuan për të argëtuar bashkëqytetarët e vet shijakas. Shfaqjet e panumërta, të shumëllojshme dhe shumë të suksesshme të organizuara për dekada me rradhë në pallatin e kulturës, çmimet e fituara në rang lokal e kombëtar mbajnë vulën e përkushtimit të një angazhimi të madh. Ai do të mbështetej fuqimisht nga punonjësi i palodhur Agim Kalleshi, i cili dha një kontribut të dukshëm në veprimtaritë e zhvilluara nè këtë qendër të rëndësishme kulturore. Ndihmesë të madhe në të gjitha drejtimet për dekada me rradhë ka dhënë edhe punëtori i palodhur i skenës, duararti Hajro Miço.

Nga e kaluara më kujtohet një ngjarje disi e pazakontë. Në vitet 60-70 do të arrinte kulmin e vet njëri nga këngëtarët më të mirë shijakas, Ibrahim Trandafili (Hima). Në një konkurrim në Rrogozhinë, gjatë interpretimit të një kënge popullore, ai pati një sukses shumë të madh. Rastësisht në sallë u ndodh zonja e parë e vendit, Nexhmije Hoxha. Ajo insistoi që të përsëritej interpretimi. Por për çudinë e të gjithëve, Hima u përgjigj: “Thojini sh. Nexhmije se unë këndoj me tru dhe jo me fyt!” dhe nuk pranoi ta përsëriste këngën. Gjurmë të dukshme në veprimtaritë amatore artistike të Shijakut ka lënë kompozitori dhe instrumentisti i përgatitur, ish-drejtori i shkollës së mesme të qytetit dhe drejtuesi muzikor i grupeve artistike të kësaj shkolle, të qytetit e të kooperativës bujqësore, Niko Deda. Njohës i mirë i traditës popullore, ai kompozoi me dhjetëra këngë të zhanreve të ndryshëm, të cilat e pasuruan shumë veprimtarinë kulturore në qytet dhe fshatra. Për vite me rradhë në të gjitha ngjarjet apo festat ka drejtuar me sukses bandën frymore të qytetit muzikanti i njohur Rifat Malltezi. Ai u dallua edhe si kompozitor, duke krijuar nje numër të konsiderueshme këngësh me taban popullor. Koncertet e vazhdueshëm të bandës frymore të drejtuara prej tij u bënë pjesë përbërëse e jetës artistike të qytetit dhe të fshatrave të zonës. Ndër këngëtaret më të talentuara të qytetit për vite me rradhë do të shkëlqente e paharruara Besnike Deliallisi, të cilën populli me dashamirësi e respekt e thërriste “Vaçe”.

Thënia kuptimplote: “Një popull pa të kaluar, është i destinuar të zhduket!”, mbetet gjithmonë aktuale. Historia ka qenë dhe mbetet hobi më joshës në jetën time. Kështu, me atë entuziazmin e moshës, i hyra punës shumë të vështirë të historikut të qytetit me fshatrat e tij. Qysh nga viti 1964 fillova të grumbulloj të dhëna e materiale që i përkisnin ish nënprefekturës së Shijakut, që dikur përmblidhte territorin nga Ndroqi e deri në Prezë. Rezultat i kësaj pune shumëvjeçare do të ishin dhjetra e dhjetra shkrime historike për ngjarje, apo jetëshkrime patriotësh e dëshmorësh, të botuara në organe të ndryshme të shtypit. Bashkë me materiale të ndryshme të grumbulluara ato do të bëheshin bazë për ngritjen e muzeut historik të zonës. Por vështirësia kryesore ishin drejtuesit e këtushëm, që nuk ishin aspak të interesuar për ngritjen e një institucioni të tillë si edhe sjellja poshtëruese kur kalohej në “denigrime biografike” për shkak të origjinës.     Përkrahësi kryesor im në këtë ndërmarrje me shumë perIpeci dhe rreziqe u bë miku im i ngushtë, historiani i vërtetë, Agim Faja. Më në fund do të vinte çasti i shumëpritur kur në pushtet drejtonin kryetari energjik Sulë Ferra dhe shefi i seksionit komunal, Inxh. Sejfulla Tepshi. Gjithashtu në materialet ekspozuese të muzeut kontribuan seriozisht edhe kolegët Besnik Llaftiu, Mustafa Faja, Rexhep Dedja si edhe aktivisti i flaktë e me humor të rrallë Aqif Buka (Çiku). Të paharruar do të mbetet për mua kontributi i veteranëve Xhemal Kruja, i vëllezërve Marika, i Dilaver e Ali Domit, Fadil Dashit, Hamit Berberit, Hysni Shaqirit, Murat e Enver Deliallisit, Metali Alites, Abdyl Keçit, Qamil Kasës, Sulë Zehirit, Beniamin Pohumit, familjes Baholli, Niko Nishkut, Andon Kuqalit, Fiqiri Deliallisit, Kadri Zelës, Ferit Këlliçit, Sulë Shtrazës, Xhevahire Vezit, Anthi Dedës, Qefsere Shaqirit, Mine Markut, Aishe Laknorit, Leonora Dedës, Nasije Deliallisit, Irini Dedës, Sherif Keçit, Ibrahim Rexhepit, Isuf Kurshumit, Ilia Naskës, Xhemal Koçit, Sherif Nërjakut etj.       

    Në librin e nderit të muzeut gjatë njëzet vjetve të funksionimit të tij, kanë hyrë edhe ata krijues e dashamirës që, me veprat dhe ndihmën e tyre bënë që ky institucion të kalonte nga suksesi në sukses. Ndër ta, përveç piktorit dhe bashkëpunëtorit të përhershëm të këtij institucioni, krijuesit Agim Faja, mund të përmendim piktorët e mirënjohur Dashamir Gurabardhi, Abaz Hado, Luan Bërhami (skulptor dhe piktor), Aqif Keçi, Skënder Dika, Ramazan Baçova, Fatmir Sina. Me punët e tyre kryesisht me temë patriotizmin e trevës së Shijakut në të gjitha periudhat, janë hapur ekspozita tematike me vlerë të madhe artistike dhe njohëse në qytet dhe fshatra të zonës. Mbështetje kryesore që në ngritjen e muzeut e në vazhdim u bënë për muzeun piktorët e nderuar të ndërmarrjes komunale Hysen Pupa dhe Ndriçim Dardha, piktori i kooperativës Met Vokshi, fotografët e palodhur Qemal Metalla, Ruzhdi Domi, Hasan Shahini, tekniku i aftë Ed Doka. Por meritë të gjithanshme për ngritjen dhe funksionimin e muzeut kanë edhe dy nga figurat më të shquara të kulturës në Durrës, të paharruarit Vangjel Toçi dhe Llazar Ziu. Pas Vangjel Toçit do të kontribuonte mjaft për mbarëvajtjen e punës së muzeut edhe drejtori pasues i Muzeut Arkeologjik të Durrësit, doktori i shkencave arkeologjike, Sali Hidri.

   Larmi dhe bukuri të rrallë do t’i jepnin qytetit edhe artet figurative. Që nga vitit 1964 në Shijak do të kthehej për të vazhduar veprimtarinë e vet, krijuesi i njohur që më vonë do të bëhej “Piktori i Merituar”, ilustruesi i përmendur i abetares dhe i revistës për të vegjëlit, “Fatosi”, që u bënë aq të dashura edhe jashtë vendit, Agim Faja. Gjatë dekadave të punës së tij ai arriti të mbështesë një numër të konsiderueshëm talentesh të rinj, të cilët sot kanë bërë emër brenda dhe jashtë vendit, që u përmendën më sipër. Ekspozitat e shumta, të hapura në pallatin e kulturës dhe në qytete të tjera dëshmojnë për zhvillimin e madh që morën artet figurative në Shijak. Sot ky veprimtar model, ndonëse në gjendje jo të mirë shëndetësore, vazhdon të punojë pa u lodhur për historikun e Shijakut dhe gjallërimin e jetës kulturore në të.

  Veprimaritë e larmishme kulturore do të merrnin plotësisht karakterin e tyre të vërtetë me angazhimin e madh e shumëvjeçar të bibliotekës së qytetit, kur në krye të saj ishte shkrimtarja, poetja dhe amatorja e talentuar, Myzejen Çullhaj (Konduri). Tashmë libri u bë i pranishëm në jetën e përditshme të qytetarëve shijakas. Takimet me shkrimtarë deri edhe me të madhin Kadare, promovimi i botimeve të ndryshme dhe veprimtaritë e tjera me librin në qendra pune, shkolla, sektorë të kooperativës dhe reparte ushtarake i dhanë më tepër gjallëri qytetit tonë dhe janë një shembull shumë i mirë për ditët e sotme.

   Rol të veçantë në jetën kulturore të qytetit ka luajtur edhe funksionimi prej kohësh i librarisë së qytetit. Të gjithëve na kujtohet librari fjalëmbël e i papërtuar, që nuk zemërohej asnjëherë, miku ynë i nderuar e i paharruar Gani Kushi. Ashtu si jeta e shumë intelektualëve të stërmunduar, edhe ai do të provonte për vite me rradhë punën e vështirë të mësuesit në zonën më të thellë të rrethit të Durrësit, në Ishëm, ku edhe humbi shëndetin. E donim dhe e respektonim këtë njeri babaxhan, i cili gjithmonë na i plotësonte kërkesat tona. Ai “na ruante mënjanë” botimet e reja të shkrimtarëve vendas e të huaj dhe “fshehurazi” na kthente veprat e Enverit”, të cilat na i jepnin me detyrim. Tradita e bukur dhe fisnike e propogandimit dhe e përhapjes së librit në popull ka mbijetuar. Atë po e vazhdon me sukses dashamirësi i librit, Besnik Llaftiu, i cili në këtë kohë të vështirë tranzicioni, nuk e la qytetin pa librari.

   Një boshllëk të ndjeshëm në veprimtaritë kulturore të qytetit do të plotësonte ngritja dhe funksionimi i shtëpisë së pionierit, që mori emrin e dëshmorit “Bahri Shaqiri”. Ajo u hap në vitin 1987, me drejtues të parë piktorin Skënder Dika. E lidhur ngushtë me shkollat e qytetit, për vite me rradhë ajo do të realizonte veprimtari të larmishme në drejtim të edukimit dhe argëtimit të fëmijëve. Por ky institucion, që më pas mori emrin Qendra kulturore e fëmijëve, do të arrinte suksese të dukshme, kur në krye të saj do të vinte mësuesja e talentuar dhe e papërtuar Ruzhdije Keçi.

  Sihariq për të gjithë qytetarët e Shijakut dhe të gjithë Shqipërisë u bë hapja e të parit kanal privat televiziv në vend, në vitin 1995, prandaj edhe inicuesit e saj i vunë emrin “Shijak TV”. Këtë hap cilësor do ta bënte qytetari i nderuar i Shijakut Gëzim ismaili, i cili pa ngurrim vuri kapitalin e tij në këtë sipërmarrje të guximshme. Emisionet e shumta e të larmishme të këtij kanali, që u bë aq i dashur për të gjithë shqiptarët, plotësuan atë boshllëk të gjithanshëm që ndihej shumë në atë kohë. Pas kaq vitesh aktiviteti të pandërprerë kanali i parë televiziv privat shqiptar, “Shijak-TV”, vazhdon të ndiqet në të gjithë vendin.

   Në vazhdën e traditës, por që tashmë do të thellohej më tepër, në gusht të vitit 2006, në shijak u hap Galeria e parë e arteve figurative, nga ana e biznesmenit të njohur Fahri Kaçanolli. Ky dashamirës i artit mblodhi rreth vetes dhe i aktivizoi krijuesit e rinj e të talentuar si Sonja Morinën, Genti Fajën, Ermir Llaftiun, Ardit Çallikun e Elton Shahin. Ndonëse akoma e re, galeria ka hapur me sukses disa ekspozita me tematikë të ndryshme e të larmishme. Tashmë kjo vatër e rëndësishme kulturore është bërë shumë e dashur për banorët e qytetit. Më 25 shtator 2007, krijuesit pranë kësaj qendre arti hapën ekspozitën e titulluar “Veprimtarë shijakas në vite”. Portretet e realizuar bukur dhe me vërtetësi ngjallën admirim të veçantë në masën e vizitorëve shijakas dhe të huaj. 

   Në specifikën e qytetit tim nuk mund të lë pa përmendur një traditë shumë të bukur të krijuar nga një familje e nderuar kovaçësh, siç ishte ajo e të paharruarit Dull Rinxhi. Të ngulitura do të mbeten në kujtesën e shijakasve fisniku Dull Rinxhi dhe e shoqja e tij, nënë Bejtja, për mikpritjen e rrallë dhe për një traditë shumë të bukur të krijuar prej tyre. Në këtë familje të veçantë e me shumë fëmijë kryerja e shërbimit ushtarak vlerësohej shumë lart. Të gjithëve na kujtohen rast pas rasti kur fisi i Rinxhve, i shoqëruar nga orkestra popullore, përshkonte rrugën nga kodra deri në qendër të qytetit, për të përcjellur djalin që do të nisej ushtar. Në mes të fisit dalloheshin xha Dulla dhe nënë Bejtja, të veshur me kostume popullore. Këtij procesioni të hareshëm i bashkangjiteshin me dhjetra shijakas, të cilët i jepnin ngjyrë festive mbarë qytetit.  

 *Historian dhe përkthyes.

SHKARKO APP