Lënda kancerogjene në Vlorë, eksperti i mjedisit sqaron rreziqet dhe pse trafikohet amianti
Prof. Romeo Hanxhari, i cili është profesor dhe ekspert i poltikave të mjedisit, ka folur në lidhje me rrezikshmërinë e madhe, që kanë lëndët e tilla si asbesti apo amianti.
Prof. Hanxhari thotë se, nëse ngarkesa e sekuestruar dje në Vlorë, është e ngarkuar në Itali, atëherë kemi të bëjmë me një rast të trafikut ndërkombëtar të mbetjeve të rrezikshme.
Sipas Profesorit, kjo mund të jetë pjesë e aktivitetit të mafias e cila merret me krimet mjedisore.
“Ato trafikohen në mënyrë të paligjshme, sepse po të trajtoheshin në mënyrë të ligjshshme kjo gje ka kosto dhe kushton, duke qenë kështu anashkalohen rrugët e ligjshme për transportimin e tyre”, tha profesori.
Më tej eksperti i mjedisit tha se lëndë si asbesti apo amianti, janë lëndë të një rrezikshmërie të klasit të parë. Sipas tij rrezikshmëria e asbestit/amiantit, lidhet me faktin e ekspozimit ndaj agjentëve atmosferike.
Eksperti sqaroi se këto lëndë duke u lëshuar në ajër, shkojnë në frymëmarrjen e gjithësecilit, e më pas kapet në muret e mushkërive, duke shkaktuar kancerin që quhet mezioteliomë. Meziotelioma shfaqet tek njeriu pas 10 ose 15 vitesh.
Eksperti i mjedisit theksoi se është e pamundur të evidentohen personat e ekspozuar ndaj kësaj lënde, dhe pikërisht për këtë arsye, këto lëndë të rrezikshme për njeriun, izolohen.
Profesor, si e vlerësoni situatën për lëndët e rrezikshme që janë sekuestruar në Vlorë?
Prof. Romeo Hanxhari: Lajmi është alarmant. Nuk e di me saktësi cilat janë llojet e mbetjeve të rrezikshme por duke iu referuar medias flitet për një pjesë të mbetjeve të rrezikshme asbestit apo amianti. Është një mbetje e rrezikshme e klasit të parë.
Nëse trageti, ngarkesa, fugoni është ngarkuar në itali do të thotë që kemi një rast të trafikut ndërkombëtar të mbetjeve të rrezikshme, që është subjekt i kriminalitetit të organizuar ndërkombëtar. Ju e dini që një pjesë e aktivitetit të mafias merret me krimet mjedisore, pra trafiku i mbetjeve të rrezikshme, të cilat nëse trajtohen në mënyrë të ligjshme kushtojnë, sepse mbrohet shëndeti publik.
Duke qenë kështu tentohet gjithmonë të anashkalohen rrugët e ligjshme, protokollet e kështu trafikohen qoftë brenda vendit apo edhe në vende të tjera.
Shkencërisht, sa të dëmshme janë këto lëndë për shëndetin e njeriut?
Prof. Romeo Hanxhari: Nëse flasim për asbestin, se mund të ketë edhe lëndë të tjera të rrezikshme pasi pashë disa fuci që nuk e dimë cfarë janë, është i rrezikshëm në momentin kur ekspozohen në ajër.
Specifika e asbestit ose e amiantit është rrezikshmëria e tij që lidhet me faktin e ekspozimit ndaj agjentëve atmosferikë. Fibrat e asbestit merren nga era dhe mund të shkojnë në frymëmarrjen e gjithsecilit.
Aty pastaj ato kapen për shkak të specifikave që kanë fijet e tij, kanë strukturë të ashpër dhe duke qenë i tillë kapet në muret e brendshme të trupit të njeriut, në mushkëri, dhe aty fillojnë të krijojnë kancerin që quhet mezioteliomë, e cila shfaqet pas 10 ose 15 vitesh.
Pikërisht për këtë shkak, sepse është e pamundur që të evidentohen personat e ekspozuar, apo që të mund të kufizohet ekspozimi, pikërisht për këtë gjë ato izolohen dhe nuk lihen në gjendje të lirë.
Ditën e djeshme, policia e Vlorës ka vënë në pranga gjashtë persona të cilët akuzohen për futjen e një sasie të konsiderueshme mbetjesh të rrezikshme, e të dëmshme për mjedisin dhe shëndetin e njeriut.
Në kuadër të operacionit të koduar, “Amiant” është bërë i mundur ndalimi i përgjegjësve dhe sekuestrimi i tragetit “ST Damian” që transportonte mbetjet e rrezikshme, që vinin nga Italia në drejtim të portit të Vlorës me destinacion përfundimtar Shqipërinë.
Policia bashkë me Prokurorinë janë duke hetuar për këtë çështje pasi dyshohet se lënda nuk është hera e parë që hynte në Shqipëri./abcnews.al