Letër Ramës nga një djalë dëshmori: Pse kjo urrejtje prej ballisti për dëshmorët

Nga Gjon Bruçi*

Kur bie fjala për LANÇ, Veteranët dhe veçanërisht për Dëshmorët ai që nuk ia njeh kryeministrit Rama “biografinë” e familjes, do ta merrte për pinjoll të Ballit Kombëtar, apo të ndonjë kolaboracionisti të orëve të para. Kur fatkeqësisht është e kundërta. Dhe kjo fatkeqësi qëndron tek fakti i hidhur se, ai është bastard i njerëzve të tij të lidhur ngushtësisht me luftën çlirimtare, disa prej të cilëve i kushtuan asaj edhe gjakun e pastër atdhetar.

Nëse habiteni me këtë vrull që mora qysh në krye të shkrimit tim modest, lexoni debatin e tij me një mbesë veterani të zhvilluar gjatë një takimi elektoral në njësinë nr. 5 të kryeqytetit.

Debati në fjalë është skriptuar e botuar në datë 14 qershor 2017, shoqëruar madje edhe me një video të shkurtër, por për lehtësi të lexuesit po riprodhoj këtu pjesë nga ky debat:

Në bisedë e sipër me veteranë e qytetarë të ndryshëm të njësisë Nr.5 në Tiranë, ku ndodheshin Edi Rama e Pandeli Majko, ra muhabeti edhe për 5 majin, Ditën e Dëshmorëve.

Një e moshuar, mbesë veterani dhe njëherësh edhe bijë Dëshmori, i rikujton Ramës premtimin e para zgjedhjeve të vitit 2013 për rikthimin e shpërblimit për pasardhësit e Dëshmorëve, shpërblim që e hoqi Berisha, sapo erdhi në pushtet në vitin 2005.

Kryeministri ynë, jo vetëm premtimin e vitit 2013, për rikthimin e shpërblimit të pasardhësve të Dëshmorëve e ka harruar, por ka harruar edhe vetë Dëshmorët. Ndaj dhe përgjigja e tij për të moshuarën, bijën e dëshmorit është kjo:

-Ne kemi rritur shpërblimin për veteranët (një gënjeshtër e thatë kjo), ndërsa për dëshmorët, … ata nuk janë vrarë që të marrin shpërblim stërnipërit…

-Është fjala për bijtë e bijat e dëshmorëve e jo për stërnipërit, – mundohet të korrigjojë e preçizojë bija e dëshmorit, por Kryeministri me kopjen e “dy gishtave lart”, të huazuar nga Basha, vijon në të tijën:

-Ja, unë kam dajën dëshmor, por nuk marr shpërblim…

-Daja juaj nuk ka qenë i martuar dhe për pasojë nuk ka lënë trashëgimtarë, – ndërhyn Majko, i cili mundohet ta ulë kryeministrin nga lartësitë e qiellit qeverisës, në pluhurin e zakonshëm të Njësisë nr. 5 të Kryeqytetit.

-Kanë kaluar tashmë 70 vjet dhe s’ka vend për shpërblime, – mbylli debatin kryeministri dhe u ngrit për të vijuar bisedën në njësinë e radhës.

Megjithë ndërhyrjet me lezet të Majkos, i cili kishte edhe merakun e Televizionit ERTV, që po filmonte e incizonte, Kryeministri qëndroi mbi poturet e tij, pa u lëkundur asnjë fije nga era e egërsuar e fushatës,

Mbesa e veteranit dhe njëherësh bija e Dëshmorit, nuk arriti t’i thoshte Kryeministrit, se 70 vjet kanë kaluar edhe për të persekutuarit, por shpërblimin bijtë e tyre po e marrin. Madje jo vetëm bijtë, por edhe nipërit e stërnipërit.

Por, edhe nëse do të arrinte t’ja thoshte, gjatoshi ynë nuk ha pyka. Ai mund të “pranojë” pyka nga Berisha, Meta e Nano, por kurrsesi nga socialistët e thjeshtë, aq më pak nga bijtë e bijat e Dëshmorëve.

Pse kjo urrejtje prej ballisti për dëshmorët dhe pasardhësit e tyre? Nga përbërja familjare? Jo! Siç e thamë më lart ai është pjesëtar i familjeve të Dëshmorëve. Me gjakun, lavdinë dhe meritat e tyre, ka mbaruar të gjitha shkollat, madje në Kryeqytet, ku këmba i ka rrëshqitur në asfalt e pllaka shumëngjyrëshe, e jo t’i grisej ndër ferra si shumë të tjerëve.

Pikërisht se ka ndodhur kjo e fundit, ai i ka nxjerrë nga memoria Dëshmorët. Se ata nuk mund të votojnë, si veteranët, të gënjyer me 200 lek, të shtuar në shpërblimet e tyre mjerane.

Mund të kesh prejardhje nga gjaku i Dëshmorëve, por sa pare bën, kur në deje të lëvrin gjaku i shprishur. Dhe që Kryeministër ka gjak të shprishur, na e ka treguar me frazat që, së bashku me të ndjerin Ardian Klosi kanë lënë të shkruara në “Dekalogun” e tyre neoballist të viteve 190-92, ku midis të tjerave, e zeza mbi të bardhë kanë shkruar: “Komunistët në litar, veteranët në hanxhar”!

Çdo koment i mëtejshëm është i pavlerë.

*Bir i Dëshmorit të Atdheut, Zef Bruçi

Dita.al

SHKARKO APP